RKL: Për 200 milicët e mbetur pa punë të kohës së ish-Kosovë Metohisë, kërkohet trajtim institucional

Disa ish-kuadro dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës deri në vitin 1990, e njohur asokohe  si Milicia e Kosovës dhe Metohisë, ndihen të anashkaluar dhe të harruar nga institucionet e vendit.


Vetëm rreth 200 ish-policë shqiptarë, të cilët në vitin 1990 janë larguar nga puna, duke ia dorëzuar Serbisë, armët dhe uniformat, nga mesi i 8.000 syresh, thuhet se  sot paskan mbetur të harruar nga institucionet e vendit. Sindikalistët e ish-policisë thonë se gjendja e policëve, të cilët nuk janë përfshirë në strukturat e Policisë së Kosovës, është e mjerueshme.  Pra është fjala për 200 ish-milicë dhe jo për 7800 sa ka pasur Kosova në vitet 80, meqë përveç atyre që kanë vdekur, të gjithë të tjerët kanë gjetur punë në Policinë e Kosovës dhe në të gjitha institucionet e vendit. Duke folur për mediet Nuredin Ibishi, ekspert për siguri, vlerëson se “me një vullnet politik, gjendja e ish- policëve do të rregullohet.  Ish-policët të cilët në vitet ’90-të janë larguar nga puna, në forma të ndryshme, kanë dhënë kontribut në çlirimin e vendit dhe tranzicionin nëpër të cilin ka kaluar vendi ynë. Nga 3.500 policë të larguar nga puna prej tyre 300 janë burgosur nga regjimi i atëhershëm ka shpjeguar z. Ibishi”.


 


Pavarësisht pretendimeve për rehabilitimin e pjesëtarëve të Milicisë së Kosovës, faktet janë kokëforta dhe flasin më ndryshe sesa ka pretenduar, Nuredin Ibishi, apo gazetarja e RTK-së, Mejreme Tahiruka, e cila ka ngritur shqetësim për këta  policë-milicë, të cilët jo vetëm që nuk janë dënuar për veprat e tyre të shëmtuara antikombëtare, por edhe janë shpërblyer më tepër se çdo kategori tjetër, dhe shumë me tepër se veteranët, invalidët, të burgosurit politikë  dhe familjarët e dëshmorëve. Kur flasim për 8.000 milicët e kohës së autonomisë së Kosovës e Metohisë dhe jo për 3500 sikur thotë z Ibishi,  kemi parasysh faktin se një përqindje krejt e vogël prej tyre kanë qenë të angazhuar në luftën e UÇK-së, ndërsa 40 kanë rënë dëshmorë. Nuk mohohet as fakti se nga 8000 prej tyre afër treqind kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.


 


Këta 300 ish-luftëtarë të lirisë, me siguri se nuk i gëzojnë, as i kanë gëzuar ndonjëherë favoret që i kanë gëzuar dhe i gëzojnë kolegët e tyre, që nuk kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare, në mesin e tyre ka pasur  edhe të tillë që i kanë shërbyer MUP-it të Serbisë deri në çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal dhe barbaroid i Milosheviqit.


 






Përnjëherë pas luftës, në qershor të vitit 1999 me rastin e dëbimit të forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova, shumica dërrmuese e  ish-milicëve të Kosovë-Metohisë filluan bashkëpunimin me Policinë e UNMIK-ut, duke luajtur rolin e viktimës dhe duke u paraqitur si të përndjekur nga UÇK-ja, vetëm për faktin se dikur kishin qenë pjesëtarë të Milicisë  dhe më vonë të MUP-it serb. Një pjesë të madhe prej tyre UNMIK-u i kishte kthyer në punë, disa prej tyre i kishte inkuadruar në radhët e veta, ndërsa kishte treguar një përkujdesje, të posaçme, speciale, për të gjithë ish-policë-milicët, duke i mbështetur ata, meqë kishin edhe preferenca nga Beogradi zyrtar.  Me rastin e themelimit të Shërbimit Policor të Kosovës pjesa dërrmuese e atyre që nuk kishin kaluar moshën mbi 50 vjet u pranuan në radhët e SHPK-së, tashmë jo vetëm si policë të thjeshtë, por edhe kuadro të lartë udhëheqës,  deri në kreun e SHPK-së, ku ishte postuar ish-kryepolici i Kosovë-Metohisë, Sheremet Ahmeti me stafin e tij komandues.


 


Me rastin e shpërbërjes së UÇK-së, IOM-i dhe një segment i UNMIK-ut kishte marrë qëndrim për të pranuar në radhët e SHPK-së dhe TMK-së ish-pjesëtarët e UÇK-së, ndërkohë që prej vitit 1999, për çdo vit përjashtoheshin nga SHPK-ja qindra ish luftëtarë, për shkak të papërshtatshmërisë së tyre politike dhe për shkak se kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së. Të dhënat zyrtare flasin për më tepër se 3000 pjesëtarë të UÇK-së, që kohë pas kohe, vit pas viti janë suspenduar e më vonë janë larguar nga SHPK-ja, ndërsa në vendet e tyre tashmë janë postuar 90 për qind e ish-policëve dhe bijve apo bijave të tyre.


Të gjitha këto të dhëna janë reale, sa i përket zënies me punë të ish-milicëve. Këtë e ka pranuar edhe z Nuredin Ibishi, i cili ka hallin e 200 policëve, që kanë mbetur jashtë trajtimit institucional, por nuk e ka hallin e 20.000 veteranëve, 10.000 të burgosurve politikë, viktima të këtyre milic-policëve, fatin e invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, fatin e 30.000 arsimtarëve që për 10 vjet rresht kanë punuar falas për ta mbajtur gjallë arsimin në Kosovë dhe fatin e mijëra pensionistëve të keq trajtuar.


 


Nëse në kohën e pas luftës në Kosovës  ka ekzistuar një kategori e veçantë e njerëzve të privilegjuar, ata kanë qenë dhe kanë mbetur ish-milicët e kohës së pushtimit, prokurorët, gjykatësit, inspektorët, hafijet, spiunet e atëhershëm dhe të sotëm dhe krejt fundërrina antikombëtare, e cila iu ka qepur çdo institucioni  dhe e përkrahur fuqishëm nga UNMIK-u e EULEX-i ka arritur  deri  maje të pushtetit.


Në kreun komandues të Policisë së Kosovës është postuar djali i inspektorit të UDB-së, në vitet ‘80,  para tij kanë qenë të postuar, komandantët: Sheremet Ahmeti, Reshat Maliqi, e shumë të tjerë.






 


Kërkesa për trajtimin meritor edhe të 200 milicëve, të cilët për shkak të moshës nuk janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës, është mbase edhe kërkesë me vend, sepse edhe këta 200 veta kërkojnë të trajtohen ashtu sikur janë trajtuar 7800 ish-milicët e Kosovës. Z. Ibishi dhe gazetarja, Tahiruka, nuk kanë treguar se  ku punojnë bijtë dhe bijat e këtyre 200 milicëve, të mbetur jashtë trajtimit institucional dhe nuk kanë paraqitur qoftë edhe një rast të vetëm, që tregon dhe ilustron me fakte e dëshmi se nga familjet e këtyre ish-milicëve nuk ndodhen  në punë një-dy apo tre familjarë. Në mesin e familjeve të veteranëve dhe të burgosurve politikë ka dhjetëra mijëra familje, që nuk e kanë të zënë me punë asnjë anëtarë të familjes. Për këtë armatë të papunësh, pak kush interesohet, ndërsa për fatin e  200 milicëve ngrihet mjegull, duke lënë anash problemin e pazgjidhur të 30.000 arsimtarëve, 10.000 të burgosurve politikë dhe rreth 20.000 veteranëve. Tashmë gënjeshtrave të premtimeve zgjedhore u ka ardhur fundi, meqë as është miratuar ligji për veteranët, as ka filluar zhdëmtimi i të burgosurve politikë, as ka filluar të shqyrtohet çështja e trajtimit të 30.000 mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve që kanë punuar 10 vite falas për të mos lejuar shkëputje fatale në arsimimin e brezave. Me mbarimin e zgjedhjeve janë shuar edhe shpresat për trajtim e zhdëmtim, qoftë edhe si premtime boshe. Këto premtime do të ringjallen në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat pritet të mbahen vitin e ardhshëm dhe deri atëherëë 200 milicë-policët, meqë nuk janë shumë do të marrin pensionet e tyre, në mënyrë që asnjë familje e asnjë ish-milici në Kosovë të mos mbetet pa trajtim institucional. Të tjerët do të presin, sepse janë shumë dhe nuk e përballon dot buxheti i varfër i Kosovë, meqë dy të tretat e këtij buxheti janë premtuar për komunat ku do të fitojë PDK-ja si dhe për rritjen e pagave, por asnjë ndihmë  për ata që nuk kanë fare të ardhura.  E vetmja ndihmë e përkohshme për ta është shit-blerja e votave, që tashmë ka filluar për balotazh.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …