Brickos

Fatmir Graiçevci: Kur horrat e derrat marrin mundin për të na mësuar se cilat qenkan vlerat dhe antivlerat

Ka kohë që nëpër disa faqe elektronike të dominuara nga faqet e verdha, afishohen shkrime të horrave, mendjerobëruarve, me një fjalor të pistë dhe etiketues që provojnë të bëjnë edhe diagnoza psikiatrike. Për mendimin tim, ky soj i njerëzve para se të provojë të analizojë dhe vlerësojë të tjerët është mirë të reflektojnë për vetveten e tyre por këtë mund ta bëjnë vetëm nëse kanë vetë vetëdije apo sikur do të thoshte Zigmund Frojdi, nëse nuk ju është dëmtuar superegoja e nëse kjo është dëmtuar është për keqardhje që ku do të katandisen të tillët. Kjo do të vlente edhe për drejtuesit e faqeve elektronike që postojnë shkrime të sojit të njerëzve të tillë – horrave.

 

Këtyre që duan të na tregojnë se sa humanë dhe trima po tregohen,  duke sulmuar heronjtë e gjallë të qytetarëve liridashës të Kosovës do të ju përkujtojmë se nëse këta vërtet çmojnë njerëzoren, se vërtet çmojnë Mandelën e Afrikës dhe të tillët si ai, nuk e di se si mund ta çmojnë atë e të përbuzin Mandelën e Evrpopës- shqiptarin liridashës dhe luftëtarin e pakompromis kundër së  keqes, Adem Demaçin!? Nëse këta duan të na tregojnë se sa trima po tregohen  duke sulmuar Adem Demaçin, këta horra kanë pasur rastin ta bëjnë këtë vite ë parë dhe ta luftojnë me armë apo me pendë pushtetin shqiptar vrasës të Serbisë. Por le të më falin këta se edhe kështu në një formë mund të tregojnë se janë trimosha që ju ngjajnë insekteve që sulmojnë luanët, por jo nga para por nga pas sepse e dinë se luani ka punë të tjera dhe nuk kthen kokën nga pickimet që ju bëhen në pjesën e prapme të trupit.

 

Njeriu ndjehet tejet mirë kur dëgjon deklarime që vlerësojnë lartë rolin dhe kontributin e Nelson Mandelës që ka vepruar mijëra kilometra larg nesh, në një kontinent tjetër dhe për një komb tjetër apo kur lexon ndonjë shkrim afirmativ për atë por ndjenjat e mira dhe gëzimi shuhen sakaq kur sheh se të njëjtit shajnë dhe fyejnë Mandelën që kemi në mesin tonë, Mandelën që nuk iu përkul asnjëherë as Jugosllavisë së Titos që shtypte dhe dëbonte shqiptarët, e as Serbia e Sllobodan Millosheviqit që synonte të zhdukte kombin nga Kosova.

Është për keqardhje dhe revoltuese kur dëgjon horrat duke sharë dhe fyerë Mandelën tonë që nuk heshti asnjëherë kundër padrejtësive që bëheshin kundër liridashësve dhe që vitet më të mira i kaloi nëpër burgjet e njohura për keqtrajtimin e skajshëm të të burgosurve politik shqiptar.

Psikologët dhe psikiatrit do të pyesnin se si ka mundësi që një person që i ka kaluar tri dekada nëpër burgje, nëpër situata skajshmërisht traumatike dhe duke u torturuar mizorisht nga shërbëtorët e UDB-së, ende të arsyetojë dhe jetojë pa probleme kur dihet se ka mijëra persona që janë traumatizuar dhe ju është bërë jeta ferr edhe nëse janë përballur vetëm për disa minuta me situata traumatike!?

Kjo pyetje do të ju vinte në mendje të gjithë atyre që kanë pësuar në ndonjë mënyrë nga regjimi i Jugosllavisë dhe Serbisë dhe që janë ballafaquar me UDB-në dhe shërbëtorët e saj besnik por nuk mund ta bëjnë këtë pyetje ata që i shërbyen atyre me besnikërinë që do t’ua kishte zili edhe qeni.

Kjo pyetje nuk do të ju vije në mendje as bijve, bijave, nipave dhe mbesave të tyre sepse ata ende janë të preokupuar me nostalgjinë e kohës së Jugosllavisë dhe Serbisë dhe përkujtojnë privilegjet që kanë përfituar në këmbim të shërbimeve që ju kanë ofruar regjimeve shqiptar-vrasëse të cilat mbanë në burg për afro tri dekada Mandelën tonë, Mandelën e Evropës, Adem Demaçin. Në këtë kuptim, Mandela ynë paraqet një mrekulli, sepse është personaliteti më mendjekthjellët dhe më vizionar pavarësisht etiketimeve që i bëhen nga horrat. Nuk mërzitet ai për të tillët por mbase ndien keqardhje ashtu sikur ndjente keqardhje Jezusi për horrat që e shanin, e fyenin e torturonin, e përbuznin dhe  ai lutej për ta: “Fali Zot se nuk dinë çka bëjnë”. Është mirë që këta horrat tanë nuk janë të pushtetshëm sikur ata që kishin mbështetjen e Perandorisë Romake, sepse nuk do të ndaleshin vetëm me sharje, etiketime, fyerje e torturime por do ta bënin edhe kanibalin.


 

Jeta dhe vepra e Mandelës sonë paraqet një jetë unike, një rast të rrallë, një personalitet që duhet çmuar dhe studiuar nga këndvështrime të ndryshme, antropologjike, psikologjike, filozofike e pikëvështrime të tjera por këtë nuk e kuptojnë horrat, soji i tyre dhe ata që shpërndajnë sharjet, fyerjet dhe etiketimet e tyre.

Ata që provojnë të kritikojnë Mandelën tonë për qëndrimin e tij për Ibrahim Rugovën, do të bënin mirë të reflektojnë pak për të kaluarën e tyre të largët dhe kontributin që kanë dhënë për mbetjen e Kosovës nën Serbi pas Luftës së Dytë Botërore, të reflektonin pak edhe se në cilat raste ishin porotë gjyqëtarë, inspektorë, xhelatë, kuptohet, nëse kanë guxim intelektual dhe njerëzor për t’u përballur me të kaluarën e tyre, me veten e tyre, për të bërë të paktën një grimë autokritikë.

Nëse vërtet e kanë dashur lirinë e popullit shqiptar sikur aktrojnë tani në liri, pse nuk a kanë dashur këtë liri edhe gjatë apo pas Luftës së Dytë Botërore apo gjatë viteve në vijim!? Nëse vërtetë kanë dashur liri, barazi dhe të drejta për popullin shqiptar, kush ua ka ndaluar të angazhohen në këtë drejtim siç bëri Mandela ynë, Adem Demçai por bënin strucin dhe kameleonin!? Dihet botërisht se ata që u angazhuan për lirinë, barazinë dhe të drejtat e kombit shqiptar, sikur ishte Metush Krasniqi, vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka, Ukshin Hoti, brezi i të rinjve, vëllezërit Fahri e Bahri Fazliu, Afrim Zhitia,  Fadil Vata, e qindra e mijëra të tjerë, flamurtar i të cilëve ishte Mandela i Evropës, Adem Demaçi, u përndoqën, burgosën, torturuan, dënuan dhe u vranë e nuk u graduan nëpër pozita që ju sillnin privilegje të shumta. Është mirë që ata që kritikojnë flamurtarin dhe frymëzuesin e mijëra liridashësve të Kosovës dhe kombit shqiptar, Adem Demaçin, së pari të reflektonin për të kaluarën e tyre dhe nëse do ta bënin këtë, ata para se të kritikojnë kontribuesit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës do të kërkonin falje për bëmat e tyre,  sepse një pjesë të fajit për robërimin e Kosovës dhe dënimin e liridashësve të saj bie mbi supet e tyre, mbi ndërgjegjen e tyre, nëse ju ka mbetur ndonjë grimë ndërgjegje. Nuk duhet shumë mund dhe mendjemprehtësi për të ditur se kush është më meritor për lirinë e një vendi dhe kombi: ata që përndiqen, dënohen, torturohen, burgosen e vriten nga pushtuesi apo ata që gradohen nëpër pozita të larta dhe që përfitojnë privilegje dhe bëjnë karrierë politike?

 

Janë disa horra që drejtojnë kritika të ashpra kundër Adem Demaçit dhe marrin rolin e avokatit të Ibrahim Rugovës dhe vlerësojnë lart rrugën paqësore ( ! ) që kishte zgjedhur ai për ta çliruar Kosovën. Para ta lartësojnë e hyjnizojnë Ibrahim Raugovën dhe të fillojnë ta kritikojnë qasjen e Adem Demaçit i cili nuk përjashtonte as luftën për çlirimin e vendit, do të ishte mirë që këta të provojnë t’i përgjigjen pyetjes: Kur një pushtues pushton një vend, kujt i leverdisë paqja? Pushtuesit apo të pushtuarit?

 

Mandela ynë, Adem Demçi kurrë nuk është marrë me horrat, edhe pse i ka pasur kurdoherë me bollëk si nëpër burgje ashtu edhe jashtë burgjeve. Latinët thonë: Aquila non capto musca. ( Shqiponja nuk zë miza ). Nuk mbetet tjetër, vetëm që Mandelës sonë t’i dëshirojmë shëndet dhe jetë të gjatë e horrat le të ngarendin ta sulmojnë nga mbrapa sikur pickojnë insektet luanin në pjesën e prapme të tij. Nuk është e mirë kjo gjuhë metaforike por nuk mund të komunikosh me gjuhë tjetër me horrat pasi me këtë gjuhë janë mësuar dhe edukuar nga prindërit e tyre, që vite më parë po me këtë gjuhë etiketonin, shanin e denonconin të gjithë ata që ishin rreshtuar prapa Flamurtarit të luftës për liri, drejtësi dhe pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, Mandelës së Evropës heroit të gjallë të qytetarëve liridashës të Kosovës, Adem Demaçit. E horrat le të vazhdojnë të lartësojnë heronjtë e tyre, askush nuk ua ndalon këtë, vetëm se është për keqardhje se ku katandiset një bir njeriu nëse krenohet së qeni hero i horrave,  sepse askush me mendje të shëndosh nuk do të ndjehej mirë të ishte hero i horrave.


Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …