Smajl Latifi: ME RASTIN E FESTAVE TË NËNTORIT

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore, përkujtimore e historike me rastin e festave kombëtare të nëntorit, në Muhadër të Hasit e vumë pllakën përkujtimore në shtëpinë e veprimtarit të çështjes kombëtare, të të ndjerit Haxhi Muhadri. Duke përshkruar rrugëtimin atdhetar të këtij luftëtari të UÇK-së, njëkohësisht hodhëm një vështrim mbi veprimtarinë e organizuar të njerëzve të Hasit, të cilët gjetën rrugë e mënyra për të kryer aktivitete të shumta me rrezikshmëri të lartë. Përveç pllakës në shtëpinë e bashkëluftëtarit Haxhi Muhadri, u zbuluan edhe pllaka përkujtimore në Rogovë të Hasit dhe në shtëpinë e Ahmet e Hajrush Muhadrit, të cilët kanë pasur rol aktiv në organizimin e luftës çlirimtare dhe në strukturimin e njësiteve të UÇK-së në zonën e Hasit. Përkujtojmë faktin, se veprimtari atdhetar dhe bashkëveprimtari Hajrush Muhadri ishte komandanti i parë i Shtabit Rajonal të UÇK-së 1000-shi në Has. Veprimtaria e luftëtarëve të kësaj treve dhe kontributi i hasjanëve në rrugën e lirisë është i madh. Hasi u bë portë e lirisë prej nga hynin e dilnin luftëtarë të shumtë, me mijëra luftëtarë që sollën zjarrin e lirisë që me zemrën zjarr, me pushkë e barot luftuan për çlirimin e Kosovës. Mbase të mirat që i erdhën atdheut prej kësaj treve i gjejmë në tri shkronjat: H-eroizëm, A-tdhedashuri, S-inqeritet.
Në fjalën time u fokusova në këto veprimtari të këtyre njerëzve liridashës, të cilët nuk rrezikuan vetëm jetën e tyre, por edhe të familjarëve e të banorëve të kësaj zone. Është e natyrshme që të mos mund të përmblidhen të gjitha aktivitetet në një fjalim të rastit, mirëpo është detyrimi ynë që të hedhim dritë mbi aspekte të veçanta të këtyre aktiviteteve. Më poshtë mund ta lexoni fjalën time të mbajtur në këtë ceremoni festive me përmbajtje historike.
RRUGËT E LIRISË DHE TË KRENARISË KOMBËTARE
Historia jonë është sa tragjike po aq edhe heroike. Shumë jetë njerëzish janë shuar në rrugëtimin e lirisë pa e parë një ditë të bardhë.
Në këtë rrugëtim, zona e Hasit, këndej dhe andej Pashtrikut, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin dhe zhvillimin e lëvizjes sonë kombëtare. Protagonistë të kësaj historie kanë qenë njerëz të zakonshëm, të cilët i kanë dashur familjet, vendin dhe lirinë. I tillë ishte edhe Haxhi Muhadri. Shtëpia e tij ishte bërë strehë dhe jatak për ilegalët, për ata burra të lodhur e të stërmunduar që ndiqnin shtigjet e lirisë. Ai u bë edhe udhërrëfyes i djemve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, e më pas edhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i shoqëruar nëpër shtigjet e vështira të Pashtrikut. Ishte i vetëdijshëm se po kryente një detyrim ndaj atdheut, ashtu siç e ndiente dhe siç ia diktonte vetëdija atdhetare dhe edukata familjare.
Sot, duke vendosur këtë pllakë përkujtimore, që tregon një të vërtetë historike, ne nuk po kryejmë vetëm një akt simbolik, por po e përmbushim një obligim moral e atdhetar ndaj një njeriu që rrezikoi veten, familjen dhe rrethin e tij shoqëror për idealin e lirisë.
Familja Muhadri dhe banorët e Hasit, këndej e matanë kufirit ndërshqiptar, qëndruan stoikisht dhe e përmbushën me nder detyrën ndaj luftës sonë të drejtë e të domosdoshme. Kontributi i tyre ishte pjesë e një përpjekjeje më të madhe që i bashkoi njerëzit rreth një qëllimi të përbashkët: lirisë së Kosovës.
Me këtë pllakë po u përcjellim edhe brezave që vijnë një mesazh të rëndësishëm: liria nuk është dhuratë! Ajo është rezultat i përpjekjeve, i mundit dhe i sakrificave të shumë brezave. Ndonëse nuk arritëm ta realizojmë synimin tonë për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, në rrethanat tejet komplekse gjeostrategjike të kohës, arritëm bashkimin shpirtëror të shqiptarëve. Dhe këtij misioni të shenjtë i kontribuoi shumë edhe Haxhi Muhadri.
Haxhiu nuk është më fizikisht në mesin tonë, por ai vazhdon të jetojë në kujtesën, mendjet dhe zemrat tona. Ky aktivitet, kjo pllakë përkujtimore dhe këto shenja të kujtesës historike janë dëshmi se veprat e mira dhe kontributet e sinqerta nuk harrohen. Ato bëhen pjesë e historisë dhe trashëgimi që u lihet brezave si dëshmi e një epoke të vështirë e të lavdishme.
Dëshiroj të potencoj një të vërtetë tjetër historike: burrat e kësaj lagjeje, Hajrushi, Qazimi, Besimi dhe shumë të tjerë, kanë qëndruar vertikalisht dhe e kanë kryer me nder obligimin ndaj atdheut. Ata i bashkërenduan aktivitetet e tyre, fillimisht me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), e më pas edhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Përkushtimi, kujdesi dhe përgjegjësia e tyre në këtë veprimtari ishin të jashtëzakonshme. Fatmirësisht, gjatë lëvizjeve dhe veprimeve tona, herë në njërën anë të kufirit e herë në anën tjetër, në zonat ku zhvillohej lufta, askush nuk pati pasoja. Ky është një fakt që na bën të ndihemi mirë edhe sot, por njëkohësisht na obligon ta vlerësojmë kontributin e secilit njeri të kësaj lagjeje, sepse secili prej tyre ishte pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët.
Në këtë ditë të veçantë, dëshiroj t’i përgëzoj trashëgimtarët e Haxhi Muhadrit dhe tërë rrethin e tij familjar për punën, përkushtimin dhe qëndrimin e tyre. Si shenjë e kësaj mirënjohjeje dhe respekti, sot po vendosim në muret e kësaj shtëpie një pllakë përkujtimore, e cila dëshmon rrugëtimin tonë atdhetar dhe shënon një prej shtigjeve në hartën e lirisë sonë. Këto janë gjurmë të historisë, të sakrificës, të besës dhe të qëndresës. Janë dëshmi se liria u ndërtua edhe nëpër shtëpitë që u hapën për luftëtarët, nëpër familjet që rrezikuan gjithçka dhe nëpër zemrat e njerëzve që nuk u kursyen për atdheun.
Prandaj, në shenjë mirënjohjeje e konsiderate për punën me përkushtim të këtij burri guximtar, kam vendosur që, sot në kuadër të festave kombëtare të nëntorit t’ia ndaj një mirënjohje komunale Haxhi Muhadrit, respektivisht Medaljen e Lirisë.
Qoftë i paharruar kujtimi dhe i përjetshëm nderimi për Haxhi Muhadrin, luftëtarin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare!

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla: DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHQIPËRISË - I

Prof. dr. Sabit Syla:  REAGIM: INSTITUTI I HISTORISË DHE INSTITUTI ALBANOLOGJIK NUK JANË AGJENCI ADMINISTRATIVE QË MUND TË RIORGANIZOHEN SIPAS LOGJIKËS SË RACIONALIZIMIT!

Racionalizimi institucional nuk mund të jetë arsyetim për cenimin e autonomisë shkencore, dobësimin e institucioneve …