Kuvendi miraton Këshillin Kombëtar të Shkencës, Teuta Haxhiu akuzon për përbërje të politizuar

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota për, një kundër dhe katër abstenime përbërjen e re prej 15 anëtarësh të Këshillit Kombëtar të Shkencës, pavarësisht kritikave të deputetes së Aleancës, Teuta Haxhiu, për kriteret profesionale dhe ndikimin politik në përzgjedhjen e tyre.
Gjatë debatit parlamentar, Haxhiu ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin profesional të disa prej të propozuarve, duke vlerësuar se një institucion i tillë duhet të përfaqësohet nga personalitete me integritet dhe autoritet të dëshmuar në fushën e shkencës.
Ajo ka përmendur edhe emra konkretë, duke vlerësuar kontributin e Fetah Podvoricës, por ka shprehur rezerva për përgatitjen profesionale të disa anëtarëve të tjerë.
Kritika më e fortë e saj kishte të bënte me pretendimin për dominim partiak të listës, të cilën e cilësoi si të përbërë në masë prej 90 për qind nga përfaqësues të Vetëvendosjes.
Pavarësisht këtyre vërejtjeve, shumica parlamentare e votoi listën e propozuar nga Qeveria, pa i ndryshuar emrat e paraqitur.
Përbërja e një Këshilli Kombëtar të Shkencës nuk është çështje e thjeshtë emërimesh politike. Besueshmëria e tij varet nga meritat shkencore, përvoja dhe autoriteti profesional i anëtarëve, ndërsa çdo dyshim për ndikim partiak rrezikon ta zbehë rolin e këtij institucioni në zhvillimin e shkencës dhe arsimit në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

BE-ja kërkon konsultim për çdo ndryshim të Ligjit për Specialen: Mandati dhe pavarësia e Gjykatës duhet të respektohen

Bashkimi Evropian ka kërkuar të konsultohet për çdo nismë që synon ndryshimin e legjislacionit për …