Altin Krasniqi në përurimin e lapidarit të babait të tij: Drejtësia do të triumfojë

Në fshatin Negroc të Drenasit, sot është përuruar lapidari kushtuar ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njërit prej figurave të rëndësishme të luftës për çlirimin e vendit, Jakup Krasniqi, si dhe simboli me tri shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë nderimi për kontributin dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë. Në këtë ceremoni, në emër të familjes Krasniqi, ka folur djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, i cili ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij memoriali dhe që vazhdojnë të dëshmojnë respekt, solidaritet e mbështetje për familjen e tyre. Ai ka theksuar se vlerësimi i qytetarëve për Jakup Krasniqin merr një domethënie të veçantë në rrethanat e tanishme, duke dëshmuar se kontributi dhe respekti për njerëzit që kanë dhënë shumë për vendin mbeten të gjalla në kujtesën e popullit. “Në emër të familjes sonë, ju shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen, respektin dhe vlerësimin që ia keni dëshmuar vazhdimisht familjarit, kushëririt dhe mikut tuaj, Jakup Krasniqit. Për ne, kjo mbështetje ka një domethënie të veçantë. Ajo na jep forcë dhe na dëshmon se respekti, solidariteti dhe mirënjohja e njerëzve mbeten të palëkundura edhe në kohët më të vështira”, ka deklaruar Altin Krasniqi. Duke folur për pritjet e familjes dhe besimin në drejtësi, ai ka shprehur bindjen se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të përfundojë me triumfin e drejtësisë dhe se çlirimtarët do të kthehen sa më parë në atdhe, pranë familjeve të tyre. “Shpresoj dhe besoj se drejtësia do të triumfojë dhe të gjithë çlirimtarët do të kthehen sa më parë në atdheun e tyre, pranë familjes dhe njerëzve të tyre. Faleminderit nga zemra të gjithëve”, ka përfunduar ai.

Kontrolloni gjithashtu

Ardian Gjini vë në pikëpyetje raportin e Qeverisë: Qytetarët ta krahasojnë propagandën me realitetin

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar raportin e publikuar nga Qeveria për të arriturat …