ASHAK-u po bën përpjekje për atentat kundër gjuhës së përbashkët letrare shqipe

Nisma e kahershme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të  Kosovës,  kundër gjuhës standarde shqipe, ka filluar të dalë në sipërfaqe në Kosovën tonë të pavarur, të krijuar  me sakrificën dhe gjakun e dhjetëra mijëra dëshmorëve e martirëve. Ky sulm mbi kulturën dhe unitetin gjuhësor të shqiptarëve të mbarë botës,  po bëhet me qëllime politike, të dirigjuara nga Beogradi dhe BE-ja, në mënyrë  që Kosova ta ketë edhe gjuhën e vetë letrare, gege, ashtu sikur e ka kombin “kosovar”, flamurin dhe himnin “kosovar”, ashtu sikur e ka edhe Akademinë “kosovare”,  tërësisht LDK-iste për nga forma përmbajtja, njëmendësia partiake e ideologjike. ASHAK-u  është Akademi njëpartiake dhe në asnjë mënyrë nuk mund ta përfaqësojë botën e tërë intelektuale të Kosovës. ASHAK-u është një krijesë politike dhe ideologjike e së kaluarës,  ashtu sikur janë krijuar në Kosovë dhe po marrin frymë edhe shumë institucione mushke, me frymën e multietnicitetit aktual, të prejardhur nga bashkim vëllazërimi i kohës së Rankoviqit, Titos dhe Milosheviqit.


 


Duket paksa paradoksale, por të gjithë “akademikët  aktualë, LDK-istë” me ndonjë përjashtim, janë ish-kuadro të LKJ-së, ky është nus prodhimi i kohëve së robërisë, i ringjallur në kohën kur BE-ja po bën përpjekje ta rikthejë Serbinë dhe epokën mushke të bashkim vëllazërimit në vendin tonë. Jo rastësisht, pikërisht në kohën e bisedimeve të dhunshme të Kosovës me Serbinë, në Bruksel, në kohën kur delegacioni i Kosovës po bën lëshime pas lëshimeve, në të gjitha kërkesat e Beogradit, të arbitruara nga BE-ja,“Kosovska Akademija…” i shkon në ndihmë konceptit të “kosovarizmit” duke bërë përpjekje që Kështjellën Gjuhësore të themeluar në vitin 1972, në Tiranë,  ta paraqesë si projekt të kohës  së Enver Hoxhës, për të pasur pretekst për fillimin e rrënimit të  saj.


 Këta “akademikë”, në 20 vitet e fundit nuk kanë lënë gurë pa lëvizur me qëllim që ta shkatërrojnë unitetin gjuhësor të shqiptarëve, që është diga e vetme e përbashkët e komunikimit e krejt shqiptarëve në Ballkan dhe në mërgatë. Përpjekjet  për shkatërrimin e normës drejtshkrimore e morfologjike të gjuhës standarde, duke ndërhyrë në to në një shkallë të paparë, profesor,  Rami Memushaj me të drejtë i ka cilësuar si përpjekje për atentat në gjuhën e përbashkët letrare të shqiptarëve.  Profesor, Rami Memushaj, por edhe të gjithë intelektualët e kombit  janë kundër ndryshimeve në standardin e gjuhës shqipe dhe nuk ka forcë në botë që i detyron shqiptarët të pranojnë një diversion të tillë kundër gjuhës shqipe, sepse në radhë të parë është projekt politik regresiv, antihistorik dhe antikombëtar.


 


Kush do ta përfillë variantin e gjuhës letrare të Akademisë së Shkencave të Kosovës?


 


Përderisa gjuha letrare në Kosovë, as është ruajtur as ruhet me ndonjë ligj të veçantë, vetvetiu shtrohet pyetja,  kush do ta përfillë variantin e “gjuhës së përmirësuar” të Akademisë së Kosovës?


Kush do të obligohet që ta përfillë mendimin gjuhësor, deviant dhe të deformuar të Rexhep Ismajlit, Hivzi Islamit apo Nexhat Dacit, tre akademca të cilët nuk e kanë pranuar kurrë emërtimin, historik dhe gjuhësor, “Kosova Lindore”. Ata shërbehen me përkthimin nga serbishtja, Lugina e Preshevës.  Cili është kredibiliteti moral, kombëtar, njerëzor, sakrifikues, specialist, politik  i këtyre akademikëve, mendimet e të cilëve u dashka të përfillen?


 Kush mund të më detyrojë që në shkrimet e mia ta përfill gjuhën gege, përveç kur e ilustroj si gjuhë personazhi të së kaluarës?


 Cili institucion, cili medium, cila administratë në Kosovë e më gjerë u dashka të obligohet që ta zbatojë korrigjimin e gjuhës letrare shqipe, sipas shijes së pleqve senilë e të retarduar të ASHAK-ut?


 


Kjo përpjekje për diversion gjuhësor të këtyre “akademikëve” është një marrëzi e llojit të vet, ashtë donkishotizëm, “adhamudhizëm” dhe qoftë edhe vetëm si përpjekje e tillë nuk do të mund të vihet në jetë për së gjalli,  as për së vdekuri të këtyre kufomave të gjalla të ASHAK-ut.


Pas  40 vjet të ekzistencës, përparimit, begatimit  dhe depërtimit të gjuhës letrare shqipe në të gjitha entet arsimore, shkencore, kulturore të  shqiptarëve të mbarë botës, të kërkosh ndryshime që prekin unitetin gjuhësor të kombit, kjo është sikur ajo fjala e urtë e popullit që thotë: “Po të mos kesh punë nxirre derën prej vendit”. Këta akademikë në vijimësi kanë pranuar dhe  pranojnë gjithnjë me përkulje bisedimet me Serbinë, kanë qenë dhe kanë mbetur aminxhij të të huajve,  ashtu sikur i kishte pranuar dikur krye-akademiku i tyre, Syrja Popovci, ndryshimet kushtetuese që pezullonin autonominë e Kosovës, në vitin 1988. Prej këtij stafi akademikësh ka dalë edhe Ibrahim Rugova, i cili Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishte quajtur dorë e zgjatur e Serbisë, ndërsa në të njëjtën kohë  përqafohej në Beograd me shqiptarë-vrasësin,  Milosheviq. Në prill të vitit 1999, ai  nga selia e Milosheviqit në Beograd  kishte kërkuar nga NATO-ja ndërprerjen e bombardimeve kundër krimit të makinerisë serbe, pikërisht në kohën kur brenda ditës, nga serbët  pushkatoheshin qindra shqiptarë dhe dëboheshin nga Kosova dhjetëra mijëra të tjerë,  ndërsa Rugova me aeroplanin special të Milosheviqit kishte vajtur në Itali. Prej këtij stafi ideopolitik të këtyre akademikëve  ka qenë edhe pararendësi i tyre  ideologjik i viteve të 50-60, “akademiku”, Shefqet Pllana, i cili kërkonte nga këngëtarët popullorë, që këngët të këndoheshin shqip e serbisht, në stilin e tij shumë të preferuar:  “Oj dragane iza brega, ja te trazhim majka ne da”, O i dashur në at breg, un’ po t du, nana s’ po m jep. Ose “ Od Kosova grob do groba, majka trazhi sina svoga, ( Prej Kosovës varr në varr, kërkon nana djalin e saj?)  Po ashtu akademiku,  Shefqet Pllana dhe akademcat e asaj kohe kishin porositur këngëtarët, që këngën atdhetare “Prej Prokupjes deri në Nish”, apo sikur quhet edhe “Kënga e Maliq Pashës”  ta këndonin, të konvertuar në “Marshall  Tito n’ kali të Bardhë, ugurolla mor shqiptarë”. Këto këngë janë kënduar nga këngëtarët e njohur si: Marash Krasniqi me të vetët  nga caravadikët e moçëm dhe, mjerisht edhe  nga shumë këngëtarë të bashkim vëllazërimit. Kjo ka qenë dikur edhe një si shpikje “gjeniale” e folkloristëve dhe akademikëve të Kosovës.


E tillë dhe krejt donkishoteske është sot përpjekja për ta shkatërruar gjuhën e njësuar letrare. Qëllimet janë politike, grupore partiake dhe aspak shkencore e gjuhësore. Kjo është e njëlloj, sikur me rastin e shkatërrimit të Jugosllavisë, kur gjuha serbokroate u nda në gjuhë serbe, për serbët dhe në gjuhë kroate, për kroatët, në gjuhë boshnjake për boshnjakët dhe në gjuhë malazeze për malazezët, edhe pse baza gjuhësore leksikore gramatikore, morfologjike e sintaksore  i përket brumit sllav- serbokroatishtes, apo kroatoserbishtes. Dikur Jugosllavia kishte vetëm një gjuhë zyrtare, dhe nuk ishte gjuha, shkaku i shkatërrimit të Federatës, sepse po atë gjuhë e flasin dhe e shkruajnë të gjitha pjesëtarët shteteve të ish-Jugosllavisë dhe që kanë  prejardhje sllave.


Pretendimet politike që shqiptarët e Kosovës të flasin e të shkruajnë “kosovarisht”, fillimisht duke bërë disa ndërrime të vogla, kanë për qëllim degradimin dhe deformimin e idesë së bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Vetëm nga ky segment duhet parë përpjekja për sulm dhe atentat mbi gjuhën letrare, të përbashkët, të kombit tonë. Dhe ky atentat bëhet pikërisht në kohën kur BE-ja me ndihmën e klasës servile e poltrone politike të vendit tonë, e ka rikthyer Serbinë në Kosovë. Pikërisht në këtë kohë u dashka të hapet edhe ndryshimi, apo sikur thuhet “plotësimi”  dhe “korrigjimi” i disa normave gjuhësore.


Është turp i madh dhe i pafalshëm për Institutin Albanologjik të Prishtinës, të Tiranës dhe gjithandej për të gjitha institucionet  që merren me gjuhën dhe kulturën e kombit, t’i  nënshtrohen një grushti akademikësh të vetëshpallur, të prejardhjes titiste, rankoviqiste, komuniste  dhe të lejojnë fillimin e degradimit të gjuhës dhe të kombit shqiptar. Kjo përpjekje për thellimin e hendeqeve mes shqiptarëve, madje duke prekur edhe gjuhën,  që është ruajtur, begatuar e zhvilluar me djersën dhe  gjakun e atdhetarëve më emblematikë të kombit,  i shërben vetëm Beogradit dhe Athinës. Asnjë komb i qytetëruar i botës nuk lejon që të preket norma gjuhësore që ka mbijetuar si projekt komunikimi dhe unifikimi për afër gjysmë shekulli. (Ahmet Qeriqi)


 


Dhe për fund të këtij reagimi po sjellim një konstatim parimor e shkencor të profesor,   Rami Memushajt, i cili thotë:


Deri tani, përveç punës për shqipërimin e huazimeve nga anglishtja, nuk është ndërmarrë asnjë studim për shkallën e zbatimit të normave të gjuhës së shkruar në shkollë, në shtypin e shkruar në televizion dhe, rrjedhimisht, asnjë këshillim prej tij për institucionet shtetërore, për shkollat, redaksitë e shtypit dhe shtëpitë botuese. Mjafton të ndalesh vetëm një çast në ligjërimin e Radiotelevizionit të Kosovës për të kuptuar se sa urgjente është nevoja për vrojtime të tilla e këshillime. Ajo që po përpiqet të sjellë ky këshill, do të jetë një pështjellim i normës gjuhësore, sidomos i normës drejtshkrimore e morfologjike, të cilat po gatuhen sipas shijeve të përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pra, një organizëm i ngritur për t’u kujdesur për zbatimin e normave të gjuhës standarde po bën të kundërtën. Dhe ky është një atentat ndaj gjuhës së përbashkët, tiparit themelor dallues të kombit shqiptar.


 Është për t’u përshëndetur fakti që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në morinë e problemeve me të cilat po përballet qeveria, kujdesin për gjuhën e shpalli si një ndër përparësitë kryesore. Por qeveria duhet të bëjë edhe shumë gjëra të tjera për gjuhën. Ndër këto gjëra që duhet të bëjë, është edhe të mos paguajë Këshilla të tillë dhe projekte që synojnë prishjen e gjuhës. Sepse kostot e projekteve të tilla, nëse do të jetësohen, do të jenë me pasoja të paparashikueshme kulturore, por edhe financiare. Nga ana tjetër, duhet hartuar e miratuar sa më parë, bashkë me Kosovën, ligji për gjuhën. Gjuha shqipe duhet mbrojtur me ligj si nga ata që i shkelin normat e saj nga padija, edhe nga ata që e prishin me qëllim. Kambanat e alarmit po bien dhe shteti nuk duhet të rrijë mënjanë. Është koha që qeveritë në Tiranë e Prishtinë të reagojnë sa nuk është vonë.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …