Sa herë që në hapësirën publike hapet tema e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, debati reduktohet menjëherë në shifra, kosto buxhetore dhe akuza të përgjithësuara, duke lënë në hije peshën historike të sakrificës popullore dhe të luftëtarëve të UÇK-së. Është ironike se si një shoqëri, që për dekada me radhë ka financuar (nga taksat)dhe respektuar pa asnjë hezitim privilegjet, bursat, kreditë, banesat dhe pensionet e majme të ish-luftëtarëve të sistemit të kaluar jugosllav të ashtuquajtur “borački”, sot ajo shoqëri shfaq një ndjeshmëri kaq të lartë dhe shpesh selektive kur bëhet fjalë për ata që luftuan për çlirimin e vendit. Ndërsa nevoja për pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së, dhe vendosjen e drejtësisë është e padiskutueshme, mënyra se si ky diskutim shndërrohet në përbuzje kolektive tregon një amnezi të çuditshme historike dhe një standard të dyfishtë në vlerësimin e kontributeve.
Ani se shumë prej tyre ishin mobilizuar dhunshëm, për të “ndjekur gjermanin” deri në viset më të largëta jugosllave, lufta e tyre solli okupim, diskriminim e nënshtrim të shqiptarëve nga sllavo-komunistët, përfitimet e 50-60mij veteranëve shqiptar të LNÇ ishin si në vijim:
1. Benefitet për Veteranët e LNÇ-së fillojnë me
llogaritjen e dyfishtë e stazhit të punës. Koha e kaluar në njësitë partizane (1941–1945) llogaritej me koeficient të dyfishtë në stazhin e punës. Për ata që ishin bashkuar para shtatorit 1943 (sidomos bartësit e “Spomenicës” së vitit 1941), kushtet e pensionimit plotësoheshin shumë më herët dhe me bazë më të lartë.
2. Lartësia e garantuar dhe shtesat nga 85%–100% të bazës mesatare të pagës (shtesë krahas pagës), varësisht nga viti i inkuadrimit në luftë. Nëse pensioni i rregullt i punës ishte më i ulët se minimumi i garantuar për luftëtarët, shteti paguante shtesën e luftëtarit për ta barazuar.
3. Kujdesi shëndetësor falas dhe rehabilitimi. Lirim i plotë nga participimet për vizita mjekësore, barna, proteza, pajisje ortopedike, si dhe e drejta për trajtim dhe pushim falas në banja shëruese-termale, dhe qendra rehabilitimi nëpër tërë Jugosllavinë.
4. Zbritje ose lirim në transport dhe shërbime publike, si bileta falas ose me zbritje të lartë (zakonisht 50%–75%) për udhëtime me tren, autobus apo anije brenda Jugosllavisë, si dhe lirime të pjesshme nga tatimet komunale apo tarifat administrative.
5. Përparësi në punësim dhe banim. Përparësi ligjore gjatë ndarjes së banesave shoqërore nga ndërmarrjet dhe bashkësitë komunale, si dhe lehtësira kreditore për ndërtimin ose riparimin e shtëpive.
6. Dekoratat me shpërblime të përhershme, bartësit e dekoratave të larta shtetërore (si “Spomenica 1941” ose Urdhri i Heroit të Popullit) gëzonin kompensime të veçanta mujore të përhershme, pavarësisht të ardhurave të tjera.
7. Benefitet për anëtarët e familjes. Bashkëshortët dhe fëmijët kanë gëzuar
pension familjar të trashëguar pas vdekjes së luftëtarit ose invalidit të luftës, e drejta e pensionit zakonisht 70% deri në 100% e pensionit të tij, varësisht nga numri i anëtarëve,kalonte te bashkëshortja (e veja) dhe fëmijët e mitur ose ata që vazhdonin shkollimin.
8. Përparësi dhe bursa në shkollim. Fëmijët e luftëtarëve të rënë, invalidëve të luftës dhe veteranëve me gjendje të rëndë ekonomike kishin përparësi të drejtpërdrejtë gjatë regjistrimit në shkolla të mesme dhe fakultete, vendosje falas ose me çmim simbolik në konviktet e studentëve, si dhe të drejtë për bursa shtetërore dhe libra falas.
9. Përparësi në punësim. Fëmijët dhe bashkëshortët e luftëtarëve të rënë ose invalidëve të rëndë të luftës kishin përparësi ligjore në konkurset e punës në sektorin publik dhe ndërmarrjet shoqërore.
10.Sigurimi shëndetësor përmes mbajtësit. Bashkëshortja dhe fëmijët mbuloheshin plotësisht nga sigurimi shëndetësor i përfituesit kryesor, përfshirë shërbimet spitalore dhe barnat.
11.Ndihma për shpenzimet e varrimit dhe ndihma e menjëhershme, në rast të vdekjes së pensionistit të luftës, fondi mbulonte shpenzimet e varrimit dhe i ndante familjes një ndihmë të menjëhershme financiare (zakonisht në vlerën e disa pensioneve mujore).
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
