RKL: Përderisa Kosova nuk meriton ta ketë kryetar, Adem Demaçin, ajo e meriton ta ketë president, Behxhet Pacollin

 


Marrëveshja e koalicionit PDK-ARK, për emërimin e biznesmenit,  Behxhet Pacolli, në postin e kryetarit të Shtetit të Kosovës, post i kushtëzuar nga AKR-ja për koalicion qeveritar me PDK-në, ka ngjallë reagime  në mesin e shumë liridashësve  Kosovës, por jo të klasës politike, e cila në radhë të parë mendon t’i qepet qeverisjes  dhe nuk merret fare  me vlerat morale, njerëzore e kombëtare, që duhet t’i ketë kryetari i Kosovës, sidomos  tani tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, e cila erdhi si rezultat i luftës së  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndihmës së pa kursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Përderisa nuk është meritor për postin e kryetarit të Kosovës, Adem Demaçi, apo Rexhep Qosja,  atëherë më meritori  u dashka të jetë Behxhet Pacolli, i cili gjatë fushatës zgjedhore  kishte thënë se postin e presidentit do ta pranonte vetëm me votën e drejtpërdrejtë të popullit. Kuptohet kjo është thënë gjatë fushatës dhe tash fushata ka kaluar. Pacollit nuk i kujtohet më as çka kishte thënë para disa vitesh për shtypin e Beogradit.>>>


Në saje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve është konstatuar se Partia e Pacollit nuk do të kishte kapërcyer pragun zgjedhor, po të mos ishte aleanca parazgjedhore  me PD-në PSD-në e disa partijëza të tjera.


Figura e Behxhet Pacollit  kombëtarisht  është shumë e damkosur sidomos në segmentin e bashkëpunimit me autoritetet e regjimeve pushtuese serbe e jugosllave në Kosovë.


Ai i përket një familje besnike të pushtetit jugosllav, dhe këtë fakt  jo vetëm që nuk e ka mohuar por flet me krenari për prejardhjen e tij politike e ideologjike, duke madhëruar sidomos xhelatin e shqiptarëve, Josip Broz Titon dhe regjimin  komunist të ish-RSFJ-së. Pacolli pranon me mburrje  se ka qenë pjesëtar i shërbimit sekret në Armatën jugosllave dhe i autorizuar për mbrojtjen personale të Josip Broz Titos në Beli Dvor.


 


 


Për lidhjet e tij të ngushta me botën sllave ai nuk mund të fajësohet, ashtu sikur nuk mund të fajësohet as bën të xhelozohet për shkak se i ka shkuar mbarë biznesi, edhe pse dihet fillim e mbarim sesi iu ka mundësuar dhe kush e ka ndihmuar për mbarëvajtjen  e biznesit të tij.


Gjatë kohës së luftës në Kosovë, Behxhet Pacolli ka bërë përpjekje të arrijë një marrëveshje mes kreut politik,  pacifist të Kosovës dhe kryekriminelit të Ballkanit,  Sllobodan Milosheviq. Ai pranon me keqardhje se planin e tij për arritjen e marrëveshjes me Milosheviqin e kishte prishur ambasadori amerikan, Riçard Hollbruk, për të cilin thotë se ai ka bërë një punë të keqe në mbarë Ballkanin.


Me qëllim për ta kuptuar nivelin e tij gjysmak  intelektual, mungesën elementare të një kredoje kombëtare, nostalgjinë e tij për Jugosllavinë, konstatimin se lufta e UÇK-së Kosovën e ka kthyer 50 vjet prapa, ideja e tij për formimin e një lidhje të Kosovës dhe Shqipërisë me shtetet sllave të Ballkanit  dhe marifetllëqe jo vetëm naive e qesharake, zbulohen më së miri në intervistën e tij dhënë gazetës serbe “Dnevni Telegraf” më  6 janar të vitit 2006, shtatë vjet pas luftës në Kosovë.


Po japim fragmente  të përkthyera lirshëm nga kjo intervistë, me qëllim për të vlerësuar këtë njeri, i cili me dy tre për qind të votave të fituara,  në zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe me pazarin e  kushtëzuar  politik me PDK-në, po imponohet në postin e kryetarit të Kosovës.


Faji historik për emërimin e tij në këtë post do ta bart PDK-ja, e cila për të ruajtur dy postet kryesore në Qeveri dhe  në Kuvend pranoi koalicion me AKR-në dhe hoqi dorë nga një koalicion gjithëpërfshirës.


Fajin do ta marrin përsipër edhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët do të kenë fytyrë e faqe që  Behxhet Pacollit t ia japin  votën, që ua ka besuar populli


 


 


Pjesë nga Intervista


(Takimi fundit me Milosheviqin. Hollbruku ka bërë një punë të keqe në Ballkan (“Dnevni telegraf” 6 janar 2006 f 16)


 


 


Behxhet Pacolli: Isha dëshiruar ta shoh Beogradin. Një kohë të gjatë nuk kam qenë atje. Herën e fundit kam qenë në Beograd në mars të vitit 1998 kur edhe jam takuar me kryetarin e Serbisë, Slobodan Milosheviq. Kemi biseduar shumë gjatë në rezidencën e tij në Beli Dvor. E njoh atë vend pikë për pikë prej kohës kur kam qenë ushtar i autorizuar për mbrojtje personale të Josip Broz Titos.


Dialogu me Milosheviqin ka qenë shumë konstruktiv. Për fillim Milosheviqi kishte pranuar që të hiqet postblloqet nga çdo vend në Kosovë, te hapte shkollat dhe fakultetet dhe ta lejonte lirinë e shtypit.


 


 


Në pyetjen e gazetarit serb se a kishte ndonjë motiv politik për bisedime me kryetarin Milosheviq, Pacolli përgjigjet:


 


 


Nuk kam pasur asnjë motiv, asnjë ambicie politike. Arsyeja e takimit tim me Milosheviqin ishte e natyrës humanitare. Kam dashur t’i ndihmoj edhe njërit edhe tjetrit komb. Gjatë bisedës, Milosheviqi më ka thënë  se me armët që disponojnë shqiptarët kurrë nuk mund ta mundin armatën e Jugosllavisë. Ai e njihte shumë mirë situatën në Kosovë. Kishte shumë informacione. Po ashtu jemi marrë vesh që unë të takoj kreun e Kosovës dhe të takohemi me të në Hotelin “Hajat” në Beograd


 


 


DT: Si do të dukeshin bisedimet e tilla


 


 


Pacolli: Në njërën anë do të ulej Milosheviqi me ekipin e tij e në anën tjetër Rugova me ekipin e vet. Ata do të bisedonin drejtpërdrejt dhe do ta zgjidhnin problemin e Kosovës. Kemi folur madje edhe për data të caktuara dhe për temat për të cilat do të bisedonin palët. Kur e arrita këtë  kam qenë shumë i lumtur dhe përnjëherë jam nisur për në Prishtinë, me qëllim për ta takuar delegacionin e Kosovës dhe në kohën e caktuar të shkonim në Beograd.  Mirëpo, ndërkohë mora një thirrje nga Fehmi Agani. Ai më tha se kryetari nuk bën të shkojë në Beograd. Më vonë kam marrë vesh se ai kishte takuar në Amerikë  Riçard Hollbrukun, i cili i kishte thënë që në asnjë mënyrë nuk bënte të bisedonte me Milosheviqin, sepse ai është mashtrues dhe do ta mashtronte Rugovën. Hollbruku i kishte thënë Rugovës se ai së shpejti do të bisedonte me Milosheviqin vetë, në Beograd. Shkova në Beograd pa mbaruar punë. Duhej që Hollbruku ta bënte punën e tij.


 


 


DT: A jeni takuar edhe ndonjëherë tjetër me Milosheviqin?


 


 


Po.  Dhe Milosheviqi më tha se kjo punë nuk  duhej të kishte ndodhur. ( Është fjala për shtyrjen e takimit). Do të shihni,  këtë do ta paguajnë shtrenjtë  shqiptarët. Atij që nuk i pëlqen të jetojë në Kosovë le të shkojë në Shqipëri. Do të bëhet ashtu si them unë…


U ktheva i zhgënjyer. Pak më vonë Hollbruku bëri përpjekje ta bëjë atë që unë e kisha provuar. Kam qenë dëshmitar i poshtërimit që i ka bërë Milosheviqi. Me orë të tëra ka qëndruar  para zyrës, duke pritur që Milosheviqi ta thërrasë për të biseduar me të. Hollbruku nuk ka bërë kurrgjë. Atë të gjithë po e akuzojnë për atë çfarë ka bërë në Ballkan. Mjerisht ndodhi ajo që kisha paraparë  të ndodhte, për shkak se nuk u realizua (propozimi im) për shkak se nuk u takuan serbët dhe shqiptarët.


 


 


DT: Përse Rugova nuk e kundërshtoi Hollbrukun, nëse kjo do të kishte sjellë dobi për bashkëqytetarët e tij?


 


 


Rugova nuk ka pasur fuqi për ta kundërshtuar Hollbrukun. Ai është betuar për Amerikën dhe kjo për të  ka qenë më me rëndësi sesa  mirëqenia e bashkë-vendësve të tij.


 


 


DT: A jeni të hidhëruar në Milosheviqin?


 


 


Konsideroj se Milosheviqi është përgjegjës për situatën në Serbi dhe në Kosovë. Është gabim që ai nuk po gjykohet në Serbi, sepse Serbisë i ka sjellë më shumë fatkeqësi. Haga ndoshta do ta lirojë meqë sikur po shihet  nuk ka fakte të mjaftueshme për ta dënuar….

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Rama: Kurti më tha “eja me neve, përndryshe projektet do të bllokohen”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë një deklaratë të fortë duke akuzuar kryeministrin në …