Brickos

RKL

RKL: Populli gjithnjë ka pasur dhe ka dinjitet, nuk e ktheu dinjitetin një protestë e 1 tetorit, të vitit 1997

Populli gjithnjë ka pasur e ka dinjitet, dhe nuk e ktheu  dinjitetin një protestë e 1 tetorit, të vitit 1997  sikur ka thënë me mburrje e prepotencë, kryeministri,  Albin Kurti, njëri ndër protestuesit, i cili për atë protestë nuk u dënua me burg, por u rrah nga policia, ashtu sikur u rrahën e u hoqën zvarrë edhe  disa protestues të tjerë.

Protesta  shumë më të fuqishme e të përgjakshme se kjo  janë zhvilluar kudo në Kosovë, në vazhdimësi deri në kohën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Se kjo ishte një protestë paqësore, të cilën e përgjaku regjimi serb i Milosheviqit,  e deklaron edhe vetë Kurti  kur thotë: “Çdo 1 tetor kujtojmë marshimin në protestat e 1997-ës ( protestat  në shumës !) të mijëra studentëve të veshur në të bardha, që me vullnet për liri e dëshirë për dije kërkonin lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb dhe përkujtojmë intelektualin që na priu profesor Ejup Statovci”. Ai ka deklaruar se më 1 tetor të vitit 1997 u thye një heshtje dhe frikë e gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej dinjiteti.

Heshtjen dhe frikën i ka thyer, komandanti i UÇK-së,  Adem Jashari me trimat e tij,  qysh në vitin 1991 me aksionet jo paqësore kundër milicisë serbe dhe ato kanë vazhduar deri në masivizimin e UÇK-së. Është tjetër “muhabet”, sesi politika pacifiste e kohës ishte distancuar nga veprimet luftarake të UÇK-së.

Mbivlerësimi i një proteste, në mesin e qindra të tjerave , është përpjekje për t u veshur me merita politike dhe për të shënuar ditën e lindjes së “Republikës së Tretë”.

Nuk e mohon askush se protesta e 1 Tetorit ishte një protestë më shumë në vazhdën e protestave të pandërprera, sidomos prej vitit 1981 e deri në vitin 1998, kur ato u zgjeruan krahas aksioneve të UÇK-së dhe daljes publik të saj, më 28 nëntor të vitit 1997.

Përpjekja për të përvetësuar ngjarje të veçanta, duke i ekzagjeruar, duke i paraqitur si të jashtëzakonshme, si protesta që paskan bërë kthesa, si protesta  mbi të gjitha protestat, nuk i bën nder në radhë të parë protestuesve të asaj kohe, sepse ata e dinë fare  mirë se sa protestues shqiptarë i ka vrarë Serbia deri në  vitin 1998, sa  mijëra të tjerë i ka burgosur, e dinë po ashtu se sa   i ka rrahur më 1 tetor të vitit 1997. Por politika e caktuar nuk ka nevojë për matematikë.

Nuk ka popull në botë pa dinjitet, po ka politikë, pushtet, regjim pa dinjitet. Andaj duhet të jemi të përgjegjshëm, kur kërkojmë të vishemi me dinjitet, sepse dinjiteti i një populli,  nuk është pronë individuale e akëcilit politikan.

Një popull, i cili me shekuj ka luftuar  kundër pushtimeve e robërisë, një popull që gjatë shekujve ka derdhur gjak, ka ruajtur gjuhën, traditën, besën, kulturën, rezistencën  aktive, gjithnjë ka pasur, ka dhe do të ketë dinjitet.  Dinjiteti i popullit kurrë nuk humb, për t’ia  kthyer pastaj një individ, cilido qoftë ai.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …