RKL: Protestë në mbrojtje të dinjitetit të të rënëve, të martirizuarve dhe të zhdukurve

Protesta, e cila parashihet të mbahet më 24 janar 2015, në Prishtinë shënon pikën e vlimit të pakënaqësive të shumta të shqiptarëve të Kosovës, për shkak të politikave të gabuara dhe kapitulluese ndaj Serbisë, të cilat kanë rezultuar me kthimin gradual të strukturave serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 të nënshkruar në Bruksel nga treshja: Ashton-Thaçi-Daçiq. Këto protesta janë edhe pasojë e lëshimit pe në bisedimet, që kanë bërë zyrtarët tanë karshi  Serbisë, si  dhe përpjekjeve të Beogradit për ta përvetësuar Kombinatin Trepça dhe pasuritë e tjera të patundshme të Kosovës.  Në kohën kur politika e vendit ka kapitulluar, populli i zemëruar ka vendosur ta shpreh revoltën, fillimisht kundër fyerjeve e poshtërimeve që po i bëhen nga kriminelët, nga ata dhe sivëllezërit e tyre që kanë vrarë e masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë, e pastaj mbase edhe kundër shkaktarëve të vërtetë të tërë kësaj krize, e cila nuk mbulohet me retorikë bombastike kundër terrorizmit as me nxjerrjen e ligjeve të përçudnuara, as me aprovimin e themelimit të  një Gjykate Speciale kundër  UÇK-së, as me përpjekjet për mbulimin e shumë të palarave.


 


Krijimi i  koalicionit qeveritar  PDK-LDK, Lista Srpska e Beogradit ilustron më së miri gjendjen kaotike në të cilën gjendet vendi, 15 vjet pas çlirimit nga robëria, kolonializmi dhe hegjemonizmi serb. Agresiviteti i zyrtarëve të Serbisë dhe i  së ashtuquajturës “Lista Serpska”, po shprehet dhe po manifestohet  me një fjalor fyes e poshtërues, jo vetëm kundër familjarëve të të zhdukurve, jo vetëm kundër të masakruarve gjatë luftës,  por edhe kundër të gjithë shqiptarëve. Kjo po manifestohet me një gjuhë rrugaçe, fyese e poshtëruese kundër shqiptarëve, gjuhë të cilën e përdor ministri i Isa Mustafës dhe  i Aleksandër Vuçiqit, Jabllanoviq dhe jo vetëm ai. Nënat e Gjakovës dhe tërë Kosovës nuk e kanë harruar as gjuhën fyese e poshtëruese të Vulinit, Vuçiqit e “vuqve e vulve”  të tjerë, po në Gjakovë e në Deçan një vit më parë, me ç’ rast  kriminelët serbë nuk u lejuan të vizitojnë kishat e tyre, ku popat serbë kanë bekuar kriminelët e Milosheviqit, Arkanit, Sheshelit e Daçiqit, për të vrarë e zhdukur shqiptarë.


 


Kokëfortësia e kryeministrit, Isa Mustafa dhe e zëvendësit të tij, Hashim Thaçi për të mos e marrë në përgjegjësi një ministër bandit, tregon se ata i kanë duart e lidhura dhe nuk mund të shkarkojnë madje as t’ i qortojnë ministrat e Vuçiqit, sepse ata kanë poste të dyfishta, të cilat i kanë siguruar në Bruksel. Po të shkarkohet Jabllanoviqi, del në sipërfaqe pazari që iu ka bërë Kosovës mbi kurriz, gjatë tri viteve të bisedimeve në BE dhe atëherë vala e urrejtjes popullore nuk do të ndalet te Jabllani, por do ta përfshijë Qeverinë aktuale.


 


Protesta duhet të heq dilemat, nëse nuk do të manipulohet nga politika dhe për qëllime politike, sidomos  nga një pjesë e opozitës, e cila synon pushtetin, ndërkohë që ka aprovuar bisedimet e Kosovës me Serbinë dhe heshtas ka pranuar edhe rezultatet e atyre bisedimeve. Në një rast të tillë, do të derdhet kot zemërimi popullor.


Në fjalën e tij për medie, Simboli i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi duke folur për protestat e javëve të fundit dhe për protestën e paralajmëruar  të 24 janarit 2015, e cila do të mbahet në Prishtinë ka saktësuar  se problemet e vërteta dhe të rënda të vendit nuk zgjidhen me protesta e as me largimin e Jablanoviqit e Stojanoviqit. “Faji është te ata që ia kanë bërë  të mundur Jablanoviqit që të jetë herë anëtar i Qeverisë së Serbisë, e herë anëtar i Qeverisë së Kosovës, të zgjidhet andej e këndej. Këto lojëra që po luhen e përbuzin Kosovën, e shkelin sovranitetin e saj, e shkelin pavarësinë e Kosovës dhe këtu dikush është përgjegjës. Jablanoviqi është një njeri, dhe në vend të tij mund të vijë Stojanoviqi, dhe vjen tjetri, kështu që mos të kapemi kot se nuk mund ta rregullojmë atë punë me largimin e tyre. Duhet të godasim atje ku mund të ndryshohet sistemi për ta shikuar bota dhe të tjerët që megjithatë shqiptarët nuk janë aq të paditur. Dikush është duke luajtur me ne dhe me dinjitetin dhe durimin tonë, ka thënë mes tjerash Adem  Demaçi.


Largimi mundshëm i Jabllanoviqit nga posti i ministrit, nëse paraprakisht pajtohen edhe Beogradi e Brukseli, do të rezultonte me një ndërrim teknik dhe nuk do të ndryshonte asgjë në esencë, sepse secili zyrtar serb i Listës së Beogradit mendon njëjtë si Jabllanoviqi. Ashtu dhe më keq mendojnë e veprojnë  në radhë të parë krerët politikë dhe institucionalë të Serbisë: Vuçiqi e Nikoliqi, ashtu mendojnë dhe rezonojnë tërë zyrtarët e Serbisë, pa asnjë dallim, sidomos tani kur Rusia po shpërfill Evropën dhe Amerikën dhe ka shpalosur programin agresiv luftënxitës të  “Aleancës së Shenjtë sllave” dhe të hegjemonizmit shekullor rus.


Në rast se  treshja: Beograd-Bruksel-Prishtinë merr vendim për ta shkarkuar ministrin bandit,  protesta në dukje do të rezultonte me fitore, por fitoren  e vërtetë  do ta korrte Qeveria e Kosovës, e cila do ta çimentojë kabinetin trepalësh, PDK-LDK-SRPSKA.  Fitorja e tillë për popullin e Kosovës, do të ishte si fitorja e Pirros.


Ndërrimi i një ministri dhe emërimi i një tjetri, është akti më i lehtë që mund të bëhet në çdo qeverie kredibile të botës. Shtyrja e deritanishme  ndoshta është bërë me qëllim për të përfituar sa më shumë dhe për ta “legjitimuar” koalicionin qeverisës.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …