leoni

RKL: Qasja hipokrite e RTK-së kundër gjuhës letrare shqipe

Mënyra e qasjes së problemeve të caktuara nga RTK-ja, e cila vetë reklamohet si medium publik i pavarur, shpeshherë i çjerrë maskën vetvetes. Rasti më hipokrit i kësaj qasjeje djallëzore ishte raporti i gazetarit mbi Tryezën për Mbrojtjen e gjuhës shqipe, e cila u mbajt më 6 dhjetor, në Prishtinë. 
Gazetari i RTK-së, pasi raporton lidhur me punimet e Tryezës, ngutet që sa më parë të marrë mendimin kundërshtues të Migjen Kelmendit, i cili qe 20 e më shumë vjet po bën përpjekje sizifiane për ta përdhosur dhe për ta damkosur gjuhen letrare shqipe. Natyrisht se gazetari në këtë rast dëshiroi që të prezantojë edhe kundërshtimet, që i bëhen konferencës dhe me këtë rast i drejtohet, kujt tjetër në Kosovë, pos mjeranit dhe donkishotit të vetëm në vend, që quhet Migjen Kelmend dhe që boton një “Java” gazetë në gjuhen gege, e cila del njëherë në javë, dhe të cilën nuk dihet mirë se kush e financon, por dihet se për çfarë qëllimi financohet një plehrë e tillë. 
Në Kosovë botohen qindra gazeta ditore, javore të përmuajshme dhe periodike, të gjitha në gjuhën letrare, edhe pse mund të ketë gabime e lëshime të ndryshme gjuhësore, por që të gjitha e përfillin normën gjuhësore të shqipes. Madje edhe mediet e shkruara me përmbajte fetare, islame dhe krishterë, përfillin rigorozisht gjuhën letrare shqipe. 
Është e patolerueshme për një gazetar “profesionit” të RTK-së t’i japë hapësirë mendimit të një individi, ( prejardhjen projugosllave dhe pro bashkim vëllazërimit të të cilit e njohim fare mirë), kundër një konference shkencore, edhe pse në këtë konferencë lidhur me domosdoshmërinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës letrare shqipe, marrin pjesë dhe debatojnë akademikë, albanologë, profesorë, doktorë nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa tërë kjo po u kontestuaka nga ky farë Migjeni, i cili u plak “me ni pal’ mend” dhe nuk e ka ndërmend të ndal turrin e tij kundër gjuhës letrare shqipe, edhe pse qe 30 vjet po rrugëton krejt i vetmuar dhe krejt i handakosur, në rrugën drejt shkretëtirës së tij që quhet, “guha gege” shumë e pasur me sllavizma, magjupizma, turqizma, shkinizma e barbarizma.

Çështja qëndron në faktin se gazetari i RTK-së, shfrytëzon rastin dhe i hap derën këtij Migjenit, jo me qëllim për të treguar se në Kosovë ka edhe opinione dhe mospajtime të tjera lidhur me gjuhën letrare, por me qëllim të caktuar, për të kontestuar madje edhe konferencën, së cilës gazetari i RTK-së i kushton po aq kohë, sa edhe nopranive e pis-haneve të Migjenit. 
Ky gazetar do të duhej ta dinte se të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike në Kosovë e më gjerë përfillin normën gjuhësore të vitit 1972. Është vetëm një gazetë që del në Kosovë, në guhen gege, në mesin e mijëra gazetave e publikimeve të përditshme që dalin në gjuhën tonë standarde. Janë vetëm disa gazetarë të RTK-së si Jeta Xharra e ndonjë tjetër që flasin “guhen mushke” të Migjenit. 
Qëllimi është shumë hipokrit, madje krejt i tejdukshëm në shërbim të plasimit të ideve të Migjen Kelmendit kundër gjuhës letrare shqipe, e cila tashmë ka ndërtuar bazamentin e saj të fuqishëm, edhe pse kjo koha e sotme e daljes në sipërfaqe të antivlerave, të rrokmeve e rrokumeve dhe të magarhaneve e të trashëgimisë së qymezeve sllave, është rezultat i periudhës historike nëpër të cilin po kalon vendi, në kohën e kthesave historike drejt bashkimit kulturor, shpirtëror dhe gjithë-gjuhësor të shqiptarëve në Ballkan. 
Përpjekjet e tilla hipokrite, edhe pse janë në garë marramendëse e çmendurisë, nuk e dëmtojnë dot gjuhën as kulturën e vërtetë të shqiptarëve. Të gjithë nxënësit shqiptarë, në çdo shkollë shqipe, qoftë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të zi, në Kosovën Lindore, në tërë Shqipërinë, në ngulimet shqiptare në Itali dhe gjithandej ku mësohet shqipja, shërbehen me një gjuhë letrare, po me këtë gjuhë, e cila është kontestuar dhe po kontestohet nga disa qarqe shqip dhe gegefolcash, të cilët po e bëjnë punën e tyre, sipas porosive të “ndersymsave” të tyre në Beograd dhe në Athinë. Sepse çdo përpjekje për të sulmuar gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë e kombit shqiptar, orientimin e vet e merr nga Beogradi dhe Athina, mbase edhe nga ndonjë qendër tjetër, thash për tash jo edhe aq mirë e identifikuar. 
Duhet spikatur me këtë rast, se debatet lidhur me nevojën e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës letrare shqipe janë të arsyeshme. Ndoshta është mirë që gjuha shqipe në Kosovë të ruhet edhe me ligj, ashtu sikur ruhet dhe respektohet çdo gjuhë në botë. Ligji mbi mbrojtjen e gjuhës do të ndikonte sidomos në disa mediume, të cilat nuk bëjnë fare përpjekje për ta kultivuar gjuhën letrare. Mirëpo mediumet e tilla, sidomos disa nga mediumet elektronike kanë krizë identiteti, krizë financiare, krizë morale dhe në këtë krizë të përgjithshme edhe gjuha del si gjuhë e shprehjes së krizave aktuale, gjuhë shul-ship, guh’gege me gagarisje e kukurisje, që në radhë të parë tregojnë mungesë arsimimi dhe emancipimi.

RTK-ja publike, e cila financohet nga Buxheti i Kosovës dhe nga taksat e qytetarëve duhet të jetë në shërbim të po këtyre qytetarëve, në shërbim të gjuhës letrare shqipe, në shërbim të kulturës dhe arsimimit kombëtar. Mjerisht, kjo RTK, e cila vetë lavdërohet për shikueshmëri e shpeshherë edhe për dëgjueshmëri, ( dhe që ishte krejtësisht nën ndikimin e politikave të UNMIK-ut e tani e tutje do të jenë nën tutelë të EULEX-it), veç tjerash përdhos moralin qytetar me porno pamje, pastaj me emisione lasive, me porno filma latino-amerikanë. RTK-ja nuk pasqyron dot realitetin ekzistues në Kosovë, i cili po shprehet me tërë kompleksivitetin dhe kundërthëniet e vërteta sociale, mjaft të acaruara, të cilat po thellohen ditë e më tepër.
Lufta kundër gjuhës në njësuar ka vetëm një qëllim, përçarjen sa më të thellë kombëtare, ndasitë, bajraktarizmin, krahinorizmin, kthimin në feudalizëm dhe shpërfilljen e identitetit kombëtar. Mjerisht kësaj gjendje do t’ i ndihmojë shumë plani i Ahtisarit, të cilin do ta vë në jetë, protektori i ri, që quhet EULEX dhe që nën rrobat e UNMIK-ut po fillon të dislokohet në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …