Vendimi i fundit i Gjykatës Themelore në Prishtinë, që dënon me nga një vit burgim disa nga figurat kyçe të luftës çlirimtare të Kosovës, është një goditje e rëndë morale dhe historike për shumëkënd që e njeh sakrificën e këtyre burrave.
Është e dhimbshme të shohësh se ata që dikur luftuan për çlirimin nga Serbia fashiste, sot gjykohen me të njëjtën qetësi e heshtje, sikur historia e tyre të mos kishte rëndësi. Shumica prej tyre janë me plagë në trup, bartin dhimbjen e luftës jo vetëm në kujtim, por edhe në trup e shpirt. Disa nga ta janë familjarë dëshmorësh, invalidë dhe bashkëluftëtarë. Dhe sot, ata gjenden të vetëm përballë një drejtësie që, edhe nëse ka pasur lëshime apo tejkalime në procesin e verifikimit të veteranëve, do të duhej të ishin gjetur forma të tjera të adresimit — forma që nuk e gjunjëzojnë nderin e një lufte të shenjtë për liri.
A është drejtësi të njihen vetëm shifrat në letër, por nuk shihet realiteti i gjakut dhe sakrificës? A është kjo mënyra se si ky shtet i trajton ata që ngritën flamurin e tij në betejën për ekzistencë?
Më e dhembshmja në këtë situatë është heshtja – heshtja e disa bashkëluftëtarëve të tyre, e institucioneve që u ndërtuan mbi themelet e gjakut të tyre. Asnjë reagim. Asnjë zë. Asnjë fjalë mbështetjeje, qoftë edhe morale.
Lufta për liri, ka një histori, ka plagë, ka gjymtyrë të humbura, ka varre e ka amanete. Nuk mund të trajtohen çlirimtarët me gjuhën e ftohtë të një vendimi pa emocione, pa nuancë, pa kontekst historik.
Drejtësia është e nevojshme. Por drejtësia që harron për kë bëhet, kthehet në padrejtësi.
Koha është që kjo shoqëri të kujtohet jo vetëm për të përfituar nga emri i luftës, por për të qëndruar me dinjitet pranë atyre që e bënë atë të mundur. Heshtja është tradhti. Heshtja e sotme do të jetë turpi i nesërm.