RKL: Serbia vazhdon të përfitojë gjatë negociatave në Bruksel, për shkak të lëshimeve të vazhdueshme të qeveritarëve të Kosovës

Ditë e më tepër po qartësohet fakti se të bisedosh me Serbinë, nuk është humbje kohe, sikur pretendojnë disa analistë fodullë e politikanë mendjeshkurtër, por është humbje sovraniteti e pavarësie, sikur realisht po ndodh gjatë bisedimeve që ia ka imponuar Brukseli zyrtar  Kosovës, me qëllim  për t’ i bërë koncesione Serbisë. Vetëm matrapazët e politikës  nuk e shohin as duan të binden se  në bisedimet aktuale, që po zhvillohen në Bruksel, po sakatoset pavarësia e vendit tonë, po degradohet lufta jonë çlirimtare, po instalohet një pjesë e fuqishme e sovranitetit të Serbisë brenda Kosovës, me pretekst të ruajtjes dhe sigurisë së serbëve, me qëllim që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë dhe trojet etnike shqiptare.


 


Këto pretendime Serbia po i realizon përmes zyrës se komisares së BE-së, Keterin Eshton dhe mekanizmave politikë e diplomatikë të saj, e cila mbi të gjitha është e interesuar  të ruajë status-quonë në Kosovë, pavarësisht sa dëmtohet sovraniteti  dhe ardhmëria e vendit tonë. BE-ja  edhe ashtu ka probleme të veta kapitale, ekzistenciale,  dhe nuk duket të jetë e interesuar të ndajë drejtësinë më ndryshe  për çështjen e Kosovës, sesa e kanë ndarë baballarët e gjyshërit e këtyre diplomatëve të sotëm evropianë. 


Në këto bisedime, në të cilat ka fituar dhe po përfiton Serbia, Kosova po humb, duke i qëndruar besnike partneritetit me Brukselin, duke treguar servilizëm të neveritshëm, duke lëshuar pe në të gjitha kërkesat e Serbisë dhe duke i mbuluar të gjitha këto me një retorikë pompoze, pa asnjë mbulesë reale.  


Sa e sa herë deri tani politikanët tanë kanë dhënë deklarata trimëruese se Kosova e ka shtrirë sovranitetin në çdo metër katrorë të territorit, edhe pse dihet mjaft mirë se Kosova nuk e kontrollon 25 për qind të territorit të vet, në veri dhe në enklavat serbe, as  në bastionet kishtare sllave brenda vendit. Dihet po ashtu se asnjë qeveritar i Kosovës, madje as me truproje, apo në përcjellje të forcave policore nuk merr guximin të vizitojë pjesën veriore të vendit, ku qenka  shtrirë qind për qind sovraniteti.


 


Delegacioni i Serbisë në Bruksel, në krye me kryeministrin Daçiq, besniku më i neveritshëm i regjimit kriminal të Milosheviqit, ka shtyrë sa e sa herë bisedimet  me negociatorët e Kosovës, duke insistuar ne realizimin e të gjitha kërkesave,  dhe vetëm atëherë kur ka konstatuar se nuk mund të ndukë  më shumë, ka pranuar marrëveshjen. Tani, kur pritet implementimi i marrëveshjes, e cila e ka dëmtuar deri në palcë pavarësinë dhe ardhmërinë e Kosovës, delegacioni i Serbisë për implementim nxjerrë në sipërfaqe kërkesa të tjera, meqë praktika ka treguar se ai që lëshon pe një herë, dy herë  e tre herë ai lëshon pe gjithmonë.


 


Aktualisht bëhet e ditur se delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë gjatë bisedimeve në Bruksel lidhur me implementimin e marrëveshjes  nuk kanë arritur t’i afrojnë qëndrimet rreth një plani të marrëveshjes. Duke folur pas këtij takimi, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se të dy palët kemi shprehur qëndrimet tona dhe mendoj se ndërmjetësuesi, Gjentilini do të paraqes një projekt plan të ri, sa i përket planit të zbatimit dhe shpresoj që do të diskutojmë për të. Kuçi nuk ka dashur t’i komentojë akuzat, që ka bërë pala serbe ndaj delegacionit të Kosovës, të cilin Serbia e akuzon për mungesë të fleksibilitetit. I pyetur për këtë, Kuçi ka thënë: “Nuk dua ta akuzoj askënd. Ne jemi këtu për të arritur planin e zbatimit dhe jo për negociata të tjera.  Ata duan të arrijnë diçka përtej marrëveshjes apo ndoshta një marrëveshje tjetër”.  Brukseli zyrtar nuk ka dhënë deklarata  lidhur me rrjedhën e takimit.


Këshilltari i kryetarit  të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili udhëheq delegacionin serb në këtë takim, ka thënë se Serbia kërkon që të diskutohet në nivel të lartë politik edhe për disa çështje jetike, të cilat deri më tani nuk qenkan  përfshirë në marrëveshje.  Ai, ka përmendur pozicionin e Kishës Ortodokse serbe, çështjen e pasurisë së saj, si dhe kushtet e integrimit të serbëve nëpër institucionet e Prishtinës. Gjuriq e thotë hapur se marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse lëshon pe Prishtina në kërkesat e Serbisë. Ai ka kërkuar nga Prishtina më shumë “fleksibilitet”, duke anashkaluar fjalën kompromis, meqë kompromisi tashmë ka ndodhur. Gjuriq, në deklaratën e tij ka përmendur edhe faktin se ndërmjetësit evropianë vazhdimisht kanë treguar mirëkuptim për kërkesat e Serbisë. Pikërisht për këtë ai ka paraqitur edhe kërkesa të tjera, të cilat në mos të gjitha, disa prej tyre pritet t’i realizojë, me shpresë se në të ardhmen do të nxjerrë edhe më shumë përfitime.


Mirëkuptimi i Evropës për kërkesat e Serbisë ka qenë dhe po mbetet evident. Është ky një fakt i pamohueshëm, të cilin zyrtarët tanë po e interpretojnë si këshillë e sugjerim të partnerëve tanë, me të cilët e paskemi çliruar Kosovën, e paskemi shpallur pavarësinë dhe tani po i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, duke e qasur atë brenda, për t’ ia plotësuar të gjitha kërkesat.


 


Po t i bëjmë një rekapitullim bisedimeve të deritanishme shqiptare-serbe, arrijmë në përfundim se  Serbia në vazhdimësi, qysh prej vitit 1912, kur ka filluar pushtimin, vrasjen masive dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet etnike, me ndihmën e Rusisë dhe të gjitha shteteve të Evropës,  ajo i  ka arritur qëllimet e veta në negociata me shqiptarët, qysh prej marrëveshjeve  me  Esad pashë Toptanin, Ahmet Zogun, Ceno beg Kryeziun,  pastaj me Ali Shukriun, Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Rrahman Morinën, Azem Vllasin, Sejdo Bajramoviqin, Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, Fatos Nanon, Veton Surroin,  Fatmir Sejdiun, Atifete Jahjagën, Hashim Thaçin, Blerim Shalën e të tjerë.


Serbia kurrë nuk ka pranuar të bisedojë, as të negociojë me Azem Galicën, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Elez Isufin, Ymer Berishën,  Adem Demaçin, Adem Jasharin dhe liribërësit e vërtetë të Kosovës.


 


Duhet pranuar fakti se shqiptarët karshi Serbisë, jo në të gjitha situatat kanë qenë në pozitë të pafavorshme. Përderisa me të drejtë mund të konkludohet se deri në qershor të vitit 1999, të gjitha bisedimet shqiptaro serbe kanë qenë të pabarabarta, meqë Serbia si fuqi ushtarake dhe politike me ndikim në Evropë dhe në botë ka ushtruar presion të fuqishëm diplomatik, për të mbajtur të pushtuara trojet shqiptare, pas fitores së UÇK-së dhe ndihmës nga ajri të forcave të NATO-s, në qershor të vitit 1999, që rezultoi me dëbimin e forcave ushtarake, policore dhe tërë administratës serbe nga Kosovës, kreu politik shqiptar në Prishtinë dhe në Tiranë është treguar i papërgjegjshëm dhe tërësisht  i paaftë për ta marrë në dorë fatin e kombit, në raport me Serbinë e mundur, të anatemuar, të sulmuar nga tërë bota dhe të katandisur në gjendjen më të mjerë, si asnjë shtet tjetër i Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Serbia është i vetmi shtet në botë që është bombarduar nga fuqia më e madhe e botës, nga NATO-ja. Turpin e këtij bombardimi historia e popullit serb  nuk do të mund ta gëlltisë kurrë, edhe pse qarqet evropiane, pro serbe  të Brukselit po bëjnë përpjekje ta “ndreqin” imazhin e Serbisë, duke i bërë kompromise mbi kurriz të Kosovës.


Nuk duhet harruar edhe faktin se cilado marrëveshje, që prek interesin e shqiptarëve shumicë në Kosovë, që anashkalon trevat shqiptare nën pushtimin e Serbisë, nuk mund të jetë kredibile dhe në rrethana të caktuara duhet kërkuar korrigjimin ose prishjen e njëanshme të saj, meqë unioni globalist evropian edhe ashtu nuk i ka të gjata ditët e mbijetesës. Është fat që këto bisedime nuk po zhvillohen me ndërmjetësimin e OKB-së, dhe si të tilla nuk kanë ndonjë  garanci të fortë ndërkombëtare.


Po ashtu, duhet pasur parasysh edhe faktin se dominimi serb në Ballkan është tkurrur dhe po tkurret vazhdimisht edhe nga pasojat e dobësimit demografik në Serbi, ndërsa shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan dhe në Evropë që ka shtimin më të madh demografik.  Serbia në të ardhmen do të ballafaqohet me humbjen e Vojvodinës, Timokut, Sanxhakut, ndërsa bashkimi i territoreve të shqiptarëve në një shtet të vetëm do të krijojë një ekuilibër të qëndrueshëm në rajon.


 


Pas dështimit të bisedimeve në Bruksel lidhur me  përpjekjet për sikur po thuhet normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Qeveria e vendit tonë është shprehur tejet e  zhgënjyer me refuzimin që pala serbe i bëri propozimit të Brukselit, meqë konsideron se propozimet e BE-së ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit dhe si të tilla ato do të shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon. Kosova tashmë ka bërë një varg kompromisesh që kulmuan me Pakon e Ahtisarit. Po ashtu, edhe përgjatë tërë këtij procesi qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme për vendime jo të lehta, por në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane.


Kjo komunikatë e mjerë e Qeverisë së Kosovës, tregon më së miri mungesën elementare të pozicionit të mbrojtjes  së interesave të shtetit, përderisa pranon vetë se janë bërë një varg kompromisesh në dëm të ardhmërisë së vendit duke paralajmëruar edhe gatishmërinë për kompromise të tjera, apo sikur thuhet tekstualisht “Kosova ka qenë të gatshme edhe për vendime jo të lehta”.


Tani kur bisedimet kanë dështuar, kur ka dështuar edhe BE-ja e veçanërisht komisarja e BE-së, Keterin Eshton, tani kur Serbia faqe botës edhe njëherë tregoi se nuk ka ndërruar asgjë nga qëndrimi i kohës së Milosheviqit, Sheshelit dhe i forcave më retrograde të së kaluarës,  tani kur duhet të frymohej lirshëm dhe t’ i tregohej botës se  nuk janë shqiptarët ata që nuk kanë dashur apo nuk duan fqinjësi të mirë me Serbinë, Qeveria e Kosovës, mjerohet dhe qyqohet, sepse Serbia nuk e paska pranuar ofertën e Brukselit, e cila edhe si e tillë, e mbështetur në Pakon e Ahtisarit e trajton Kosovën si një  shtet kukull me sovranitet të kufizuar dhe pa asnjë perspektivë për të ardhmen.


Deklarata e tillë e Qeverisë së Kosovës është për keqardhje, është një deklaratë e mjerë, qyqare dhe krejtësisht e papërgjegjshme, pikërisht në kohën kur ajo ka shpëtuar nga bisedimet e imponuara. Kjo deklaratë lë mundësinë e vazhdimit të bisedimeve, por nuk përjashton as mundësinë e  kompromiseve me qëllim që Serbia “të evropianizohet”, sepse vaj për ne nëse nuk evropianizohet ajo. Kështu është kur këmbësori i çan hallin kalorësit se i shkojnë këmbët varur. Serbia sa e sa herë e ka dëshmuar se nuk jep qoftë edhe një kokë serbi, nëse ajo kokë kushtëzohet me anëtarësimin e saj  në BE.


Është për keqardhje ky qëndrim demobilizues i Qeverisë së Kosovës kur dihet mirëfilli se Serbia e ka dëshmuar me vepër qëndrimin e saj konstant historik kundër shqiptarëve, qëndrim të cilin ajo e ka përkufizuar edhe me kushtetutën e saj, meqë Kosovën e konsideron provincë të veten.


Komisarja për Siguri dhe Politikë të Jashtme e BE-së, zonja Ashton duke folur lidhur me dështimin e  marrëveshjes, ka thënë se të gjitha elementet për një marrëveshje mbi veriun e Kosovës janë ende  në tavolinë. Marrëveshja duhet të jetë e arritur midis dy palëve dhe nuk i takon Bashkimit Evropian ta imponojë atë. Unë besoj në një të ardhme të ndritur për Serbinë dhe Kosovën dhe e di se, sado i vështirë të ketë qenë ky sukses, ai ka hapur mundësisë për qytetarët, veçanërisht në veriun e Kosovës, që qytetarët etje  të kenë një jetë më të mirë. Shpresoj se Kosova dhe Serbia nuk do ta humbin këtë shans, për ta lënë të kaluarën prapa tyre dhe për të lëvizur përpara drejt së ardhmes”, ka thënë Ashton, e cila  shpreson se do të zhvillojë diskutime brenda BE-së në ditët e ardhshme. Deklarata e zonjës Ashton nuk e akuzon Serbinë për mos arritjen e marrëveshjes, por nuk e lavdëron as Kosovën, e cila e pranuar duar hapur tekstin e marrëveshjes.  Mirëpo, zonja e BE-së  e di  se pala e cila ka lëshuar pe disa herë, sikur me rastin e pranimit të Pakos së Ahtisarit, një ditë sërish do të pajtohet me fatin, do të lëshojë pe  dhe Brukselit nuk i ngutet shumë pse ky proces mund të zgjasë edhe për shumë kohë.


Në rifillim të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, madje edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe verdiktit pro pavarësisë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri Thaçi kishte  deklaruar se nuk do të bisedonte me Serbinë me dëshirën as vullnetin e tij, por do të bisedojë për hir të partnerëve ndërkombëtarë.


Tani kryeministri, Hashim Thaçi insiston në vazhdimin e bisedimeve, madje ka mbetur vetëm edhe të kërkojë lutje nga Serbia për vazhdimin e bisedimeve. Kjo ofertë e Thaçit është jo vetëm për t u habitur por edhe një fakt shumë shqetësues, që le për të dyshuar në shumë aspekte. Në një bisedë  për gazetën serbe, ‘Blic’ Thaçi ka shprehur gatishmërinë për një takim të ri, në Bruksel, i cili do të organizohej nga komisarja Ashton. “Dështimi i dialogut nuk duhet të jetë opsion as i Kosovës dhe as i Serbisë. Për këtë arsye mbetem i vendosur dhe i gatshëm të pranoj çdo ftesë të re për takim të përbashkët në Bruksel që do të caktohej ditëve në vijim nga zonja Ashton, ka thënë ai. Më tej, kryeministri ka vlerësuar se Kosova ka bërë tashmë shumë kompromise dhe ka mbetur konstruktive në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje dhe konsideron  se marrëveshja është e domosdoshme për të hapur një kapitull të ri paqeje, tolerance e bashkëpunimi midis dy shteteve, edhe pse e di fare mirë se Serbia nuk e ka njohur, as e njeh shtetin e Kosovës, përkundrazi ka ndërmarrë sa e sa fushata deri tani në diplomacinë ndërkombëtare duke ndikuar negativisht në  procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme të botës.


Se çka po synon Thaçi me ofertat e tij super të moderuara, super internacionaliste dhe super evropianizuese nuk është vështirë të kuptohet, por cili do të jetë tagri i këtyre hapave për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi kjo nuk është vështirë të kuptohet, sepse barrën e turrit të tillë të politikanëve tanë ne do ta bartim mbi supet tona, ashtu sikur e kemi bartur edhe sa e sa herë në të kaluarën.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …