Brickos

Ahmet Qeriqi: Kush fshihet pas “meritokracisë” dhe cilët janë “mercenarët” në Kosovë?

Në një emision debati, me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, (7. 2. 2013) ish- i preferuari i  Stanishiqit, gazetari i bashkim vëllazërimit jugosllav, Baton Haxhiu, shkaktarin për “të këqijat”, të cilat sipas tij e paskan pllakosur Kosovën e gjen te ajo që ai e quan “meritokraci”, madje edhe mercenarizëm. Përderisa lavdëron  deri në qiell radikalin serb, Vuçiq, i cili sipas tij po  bëka punë kolosale në luftë kundër korrupsionit, në Serbi, ai demonizon Kosovën, veçmas Shqipërinë, për të cilën thotë se nuk meriton as të flitet për të, si dy vendet më të korruptuara në rajon. Ky farë analisti, i cili kishte dënuar demonstratat studentore të vitit 1997, për shkak se organizatorët nuk kishin kërkuar leje nga Policia e Milosheviqit dhe i cili ishte angazhuar shumë që të organizonte kontakte për të biseduar për fatin e Kosovës mes Stanishiqit, Mahmut Bakallit e Ibrahim Rugovës, në vazhdimësi ka manipuluar opinionin si para ashtu edhe gjatë dhe pas luftës në Kosovë.


 


Në debatet që zhvillon në televizionin e tij privat Klan, (sipas mostrës Klan të Tiranës), Haxhiu gjatë parashtrimt të pyetjeve për të ftuarit në studio,  flet dhe komenton vetë, jep gjykime e bën paragjykime, madje ndodh që më shumë i shpalos opinionet e veta, sesa i jep hapësirë për të folur të ftuarit të studio.  Në këtë mënyrë ai pretendon të plasojë bindjet e tij  jo vetëm për problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova, por edhe për të kaluarën e saj, gjithnjë sipas mendësisë së tij njëdimensionale, gjithnjë duke derdhur helm e vrerë sidomos kundër regjimit në Shqipëri, kundër ish të përndjekurve politikë në Kosovë dhe kundër luftës së UÇK-së.


 


Në emisionin me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, komentuesi e bashkëdebatuesi Haxhiu, fajtor për gjendjen,  “katastrofale” të Kosovës, e bën  “meritokracinë”, e cila gjithnjë  sipas tij, tashmë paska arritur nivelin e “mercenarizmit”, duke aluduar krejt haptas në politikanët me prejardhje nga  lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët konstaton ai, votat i paskan fituar për shkak të meritave gjatë luftës dhe jo për tjetër. Nuk e kemi ndërmend kësaj radhe të flasim për të kaluarën e këtij gazetari titist, as për naivitetet e tij, as për dështimet e tij, as për nivelin e ulët profesional e gjuhësor për çka edhe ishte dëbuar nga “Koha Ditore”, por vetëm për shpikjet e tij lidhur me mercenarizmin dhe meritokracinë.


 


Po të analizojmë mirë me gjuhën e fakteve e argumenteve dhe jo me inatin e profaninë naive titiste-komuniste, del se në Kosovë askund dhe në asnjë institucion nuk janë vendosur më meritorët, ata të cilët tërë jetën ia kanë kushtuar kombit e atdheut. Në asnjë instancë qeveritare, prej mbarimit të luftës e deri sot nuk janë postuar ata që më së shumti kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Cili meritor në Kosovë mund të krahasohet me meritat tashmë historike dhe mbarëkombëtare  të Adem Demaçit dhe shumë prej të burgosurve që kanë mbajtur deri në 20 vjet burg, që kanë marrë pjesë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe që angazhimin e tyre në dobi të kombit e atdheut nuk e kanë ndërprerë kurrë. Ata, jo vetëm janë anashkaluar por edhe janë demonizuar dhe demonizohen nga mendjeterratisurit si Haxhiu me kompani.  Prania, në krye të Kuvendit të Kosovës e Jakup Krasniqit nuk mund të përgjithësohet, sepse është i pari dhe i vetmi prej të burgosurve politikë dhe prej kreut më të lartë të UÇK-së që ka arritur në këtë post. Para tij, kurrë dhe asnjëherë Kuvendin e Kosovës, kuptohet as në Kuvendin  kukull të autonomisë së Kosovë-Metohisë, apo edhe më vonë pas luftës  nuk e ka udhëhequr ndonjë veprimtar meritor.


Kështu ka ndodhur edhe me Qeverinë dhe me të gjitha institucionet e Kosovës. Edhe kur është vendosur ndonjë meritor si Fatmir Limaj, ai është demonizuar si “kriminel lufte”, apo Ramush Haradinaj, i cili vetëm tre muaj pasi mori postin e kryeministrit u burgos dhe u mbajt nën arrest e në burg shtëpiak 5 vjet rresht, me akuza për “krime lufte”. Meritorët e luftës dhe të paqes, ata më meritorët, të pa korruptuarit, idealistët, të ndërgjegjshmit kanë qenë dhe kanë mbetur krejt në periferi, pjesa dërrmuese jashtë institucioneve, madje shumë syresh në mëshirë të kohës.


 


Meritat pas luftës i kanë korrë vetëm ata, që nuk e kanë pranuar kurrë luftën e UÇK-së, madje zgjedhjet e para pas lufte i kanë fituar kundërshtarët e UÇK-së, ata që kanë pranuar dhe pranojnë me lehtësi çdo regjim të huaj, servilët e dikurshëm të bashkim vëllazërimit, servilët e UNMIK-ut dhe EULEX-t, servilët e ambasadorëve, servilët dhe bashkëpunëtorët e 32 shërbimeve të huaja në Kosovë, ish dhe tani prokurorët, ish milicët dhe tani policët apo bijtë e bijat e tyre, gazetarët e bashkim vëllazërimit që kishin shpallur fajtor kreun e luftës së UÇK-së për shkak se ata i kanë prekur në “sedër” kryekriminelit serb, dhe ai nuk  paska pasur zgjidhje tjetër veçse t’i shfaros shqiptarët.


Asnjë meritor i luftës së UÇK-së nuk ka televizion privat, nuk punon në RTK, nuk udhëheq shoqata mercenare gazetareske apo OJQ, po ashtu mercenare, asnjëri prej tyre nuk ka gazetë të veten, për veç në dy rastet e medieve të luftës: Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjencia “Kosovapress”, të cilat nuk i financon Kuvendi i Kosovës ashtu sikur financon RTK-në dhe kjo pastaj financon  BIRN-in, ansamblin “Shota” të bashkim vëllazërimit, pastaj mediet e minoriteteve, kanalin special 24 orë të minoritetit serb në RTK e shumë të tjera.


 


Klasën e meritokracisë në Kosovë e përbëjnë ish pushtetarët e bashkim vëllazërimit, bijtë e bijat e tyre, kudo që janë postuar, në Presidencë, në Qeveri në Kuvendin e Kosovës, në Prokurori, në Polici, në Gjyqësi, një segment i fuqishëm i tyre edhe në FSK dhe në të gjitha segmentet e administratës shtetërore.  Përderisa kjo klasë në një shumicë dërrmues e përfaqëson meritokracinë aktuale është e turpshme, e pandershme dhe e papërgjegjshme të ta identifikosh krahun politik e ushtarak të luftës së UÇK-së, vetëm sepse në radhët e institucioneve prej 500 zyrtarëve më të lartë të shtetit mund të jenë postuar 50 apo 60 prej tyre. Janë statistikat që cilat japin këtë rezultat.


 


Kush janë mercenarët e vërtetë?


 


Është e vërtetë se në Kosovë, ka pasur në të kaluarën dhe  ka shumë mercenarë prej atyre klasikë, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë interesave të Serbisë, (ashtu sikur iu kanë shërbyer edhe Italisë e Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore), deri te ata që iu kanë shërbyer dhe aktualisht iu shërbejnë të gjitha agjenturave të huaja, nga të cilat, si shpërblim i kanë përfituar edhe postet në kupolën e shtetit e të qeverisjes. 


Mercenarë janë të gjitha ata shqipfolës që luftën e UÇK-së e identifikojnë me katër pesë agjentë të SHIK-ut, janë të gjithë dëshmitarët bashkëpunues dhe të mbrojtur të UNMIK-ut dhe EULEX-it, janë gazetarët, shqip-shkrues,  që i kanë ofruar gënjeshtra të Dik Martit ( Dodik Martinoviq) janë bijtë e bijat e ish-inspektorëve të sigurimit serb, në krye të Policisë së Kosovës, të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, janë ish dhe tani gjyqtarët hetues, prokurorët e gjykatësit,  që kanë dënuar me burg më tepër se 12.000 shqiptarë prej 1 deri në 20 vjet madje edhe me dënim me vdekje, gjatë viteve ’80, vetëm sepse  kërkonin liri, barazi dhe Republikë.


Mercenarë në Kosovë ka në të gjitha instancat pushtetare dhe pikërisht sepse ky mercenarizëm i neveritshëm është shumë aktual, Serbia kurrsesi nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës. Ajo vazhdimisht është mbështetur në klasën e mercenarëve të vetë  dhe vazhdimisht plason tezën se kundër Serbisë janë vetëm “terroristët e UÇK-së” dhe jo populli i “ndershëm” i  Kosovës që ka jetuar 100 vjet nën regjimet serbe, “me vetë dëshirë”.


Sot mercenarë politikë janë ata që me servilitetin e tyre dhe me qëllim për të ruajtur postet e favoret  ia mundësinë Serbisë hyrjen në BE, janë ata që do ta pranojnë shkëputjen e veriut nga Kosova, fillimisht përmes një autonomie speciale, e cila më vonë i bashkohet edhe “de jure” Serbisë.


 


Merecenarë politikë janë ata që pranojnë të bisedojnë gju me gju me kriminelët e Sheshelit, Milosheviqit e Arkanit, pa i kushtëzuar me kërkim falje për krimet monstruoze që kanë kryer në Kosovë, pa i kushtëzuar me zbardhjen e fatit të 1700 të zhdukurve, pa i kushtëzuar me largim të MUP-it serb nga Veriu, pa i kushtëzuar me njohjen paraprake të pavarësisë së Kosovës, pa i kushtëzuar me 99 kushte të tjera.


 


Sot në Kosovë ka akademikë mercenarë, të cilët i bëjnë vend në radhët e Akademisë një sllavisti antishqiptar, vetëm sepse ky është i preferuari i Akademisë serbe të Beogradit.


Ka shumë historianë mercenarë, që pretendojnë ta dredhojnë historinë, duke ndërruar tezat, duke i shpallur tradhtarët  heronj, dhe heronjtë terroristë, duke e shpallur Ballin kombëtar antifashist, ndërsa antifashistët,  stalinistë, duke i shpallur çlirimtarë pacifistët, ndërsa çlirimtarët e vërtetë terroristë.


 


Ka gazetarë mercenarë që orientimin e tyre primar në punën e gazetarisë e kanë luftën kundër kuadrove me prejardhje nga UÇK-ja dhe dihet se kush prin në këtë mes. Fushata e gazetarëve mercenarë shqipfolës ka qenë dhe po mbetet e  orientuar kundër vlerave të UÇK-së, kundër vlerave më të fisnikëruara shqiptare.


Ja vetëm një shembull klasik i kësaj gazetarie.


Për një muaj rresht përcillet me zellin e robit, nga qindra gazetarë,  çdo lëvizje e një ish-kryetari  të Komunës së Kaçanikut, i dënuar tre vjet  burg, duke e akuzuar dhe satanizuar  pse ai po  i ikë drejtësisë së EULEX-it, mision ky i cili qysh prej ditës së zbarkimit në Kosovë,  orientim primar ka pasur dhe ka  ndjekjen, arrestimin dhe diskreditimin e luftëtarëve të lirisë.  Gjatë atij muaji,  në asnjë gazetë të Kosovës nuk është botuar qoftë edhe një reportazh për krimet serbe në Kosovë, nuk është shkruar asnjë rresht për fatin e 1700 të zhdukurve pa gjurmë nga Serbia okupatore, nuk është botuar asnjë shkrim për ndonjë dëshmor nga mesi i 2000 dëshmorëve të kohës së luftës së UÇK-së, nuk është botuar asnjë shkrim,  për cilin do martir nga mesi i 12,000 të tillëve. Urdhëroni dhe lexoni, pastaj mund të demantoni. Përjashtim bëjnë dy mediet me prejardhje nga  lufta e UÇK-së  dhe ndonjë gazetë, apo medium me pak ndikim në opinion.


 


 


Një reagim për Baton Haxhiun


 


Prishtinë, 24 mars 2006 /TN /QIK


 


“E kush është Baton Haxhiu?”, ka pyetur ai dhe ka vazhduar menjëherë: “Prej vitit 1990 Baton Haxhiu është bashkëpunëtor i Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Nuk ka qenë Sllavisha Petkoviqi ai që në vitin 1994 ka mundur të hapë gazetën “Koha Ditore”, por këtë ka mundur ta bëjë Baton Haxhiu.


 “Dhe është një detal shumë i çuditshëm që ka ndodhur gjatë kohës së bombardimeve. “Tanjug ka publikuar lajmin se z. Baton Haxhiu është vrarë. E dini pse është dhënë ku lajm. Sepse z. Baton Haxhiu është frikësuar se shqiptarët do të dëgjojnë se po e ruajnë njësitë speciale të MUP-it dhe mu për këtë mund ta vrasin.


Andaj e ka shpallur vetëvrasjen e tij. Ka marrë telefonin e policisë dhe me të e ka thirrur vetë agjencinë dhe e ka shpallur vdekjen e vet”, ka pohuar Petkoviq duke shtuar se përveç këtyre që tha, ka edhe shumëçka tjetër të thotë për bashkëpunimin e tij me shërbime të ndryshme. Ai madje është shprehur i gatshëm të ballafaqohet publikisht me vetë z. Haxhiun.


I pakënaqur me disa emërime të fundit në Qeverinë e Kosovës, Ministri për Kthim, Sllavisha Petkoviq ngrinë përkohësisht funksionin e tij, pasi sipas tij nuk janë përmbushur marrëveshjet që ka bërë me Qeverinë.


 Ai po ashtu ka demantuar edhe disa shkrime në të përditshmen Express dhe ka paralajmëruar se do të ngritë padi kundër kësaj gazete dhe për ish shefin e kabinetit në këtë ministri Radomir Dimiq, i cili ka thënë se një nga bashkëpunëtorët e ministrit është vrasës dhe ka plaçkitur nëpër Kosovë. Ai tha se do ta padisë edhe gazetarin që e ka shkruar këtë shkrim dhe drejtorin ekzekutiv të kësaj gazete Baton Haxhiu.


Sipas tij marrëveshja ka qenë që pasi lista serbe nuk është duke marrë pjesë në Kuvend e Qeveri, atëherë postet e zëvendësministrit në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Pushtetit Lokal dhe postin e Ministrit të Bujqësisë, t’i takojnë partisë së tij – Partisë Demokratike serbe të Kosovës.


Petkoviq ka thënë se ngrirja e postit të ministrit nënkupton se nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e Qeverisë së Kosovës, por do t’i kryejë të gjitha aktivitetet brenda Ministrisë.


 


Sa i përket Dejan Jankoviqit, ish komandant i një stacioni të policisë, i emëruar në postin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Petkoviq tha se ai nuk vjenë nga partia e tij dhe sipas tij është një njeri që shumë shpejt ka marrë gradë të lartë të policisë.


Lidhur me vendimin e fundit të Ministrit Petkoviq për ngrirjen e postit, Zëvendëskryeministri Lutfi Haziri e quajti si presion mbi institucionet e Kosovës dhe u shpreh se kjo çështje do të tejkalohet me kthimin e Kryeministrit Çeku në Kosovë.


Petkoviq ka thënë për vete se po përpiqet të krijojë një shoqëri normale, shoqëri multietnike të cilën, sipas tij, po përpiqet ta rrënojë Baton Haxhiu.


 


“E kush është Baton Haxhiu?”, ka pyetur ai dhe ka vazhduar menjëherë: “Prej vitit 1990 Baton Haxhiu është bashkëpunëtor i Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Nuk ka qenë Sllavisha Petkoviqi ai që në vitin 1994 ka mundur të hapë gazetën “Koha Ditore”, por këtë ka mundur ta bëjë Baton Haxhiu.


  Nuk është Sllavisha Petkoviqi ai që, në kulmin e luftimeve, në kohën kur në Kosovë binin viktimat, është ulur dhe ka pirë uiski në Brezovicë me njeriun e parë së Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Jovica Stranishiqin, në vitin 1998. Nuk e kanë ruajtur forcat speciale të MUP-it Sllavisha Petkoviqin, por Baton Haxhiun. Dhe shtrohet pyetja, çka në të vërtetë dëshiron të arrijë Baton Haxhiu me shkrime të tilla”, ka pyetur ministri.


“Ndoshta dëshiron që në mënyrë eksprese ta kthejë kohën e Milosheviqit, ashtu që të mund të pasurohet më tej në llogari të njerëzve të kidnapuar apo të vrarë. Por, këtë më nuk do të mund ta bëjë.


  Dhe po e njoftoj publikisht, përmes mediumeve: Z. Haxhiu, Milosheviqi ka vdekur. Me të ka vdekur edhe koha e tij, andaj e keni kot”, ka shtuar Petkoviq. Për të forcuar këtë që po thoshte, ai ka shtruar edhe disa pyetje tjera. Si është e mundur që në kohën kur është formuar UÇK-ja Haxhiu ka mundur të shkojë e të vijë ku ka dashur, të marrë intervista nga UÇK-ja e askush nga policia serbe të mos e prekë?


  “Dhe është një detal shumë i çuditshëm që ka ndodhur gjatë kohës së bombardimeve. “Tanjug ka publikuar lajmin se z. Baton Haxhiu është vrarë. E dini pse është dhënë ku lajm. Sepse z. Baton Haxhiu është frikësuar se shqiptarët do të dëgjojnë se po e ruajnë njësitë speciale të MUP-it dhe mu për këtë mund ta vrasin.


  Andaj e ka shpallur vetëvrasjen e tij. Ka marrë telefonin e policisë dhe me të e ka thirrur vetë agjencinë dhe e ka shpallur vdekjen e vet”, ka pohuar Petkoviq duke shtuar se përveç këtyre që tha, ka edhe shumëçka tjetër të thotë për bashkëpunimin e tij me shërbime të ndryshme. Ai madje është shprehur i gatshëm të ballafaqohet publikisht me vetë z. Haxhiun.


“Nëse diçka nuk e ka që qartë, nga ky vend e ftoj në duel televiziv të drejtpërdrejtë. Kur të dojë dhe ku të dojë ai vetë”, ka shtuar Petkoviq, duke përmbyllur, siç tha, “kapitullin Haxhiu” dhe duke iu kthyer problemeve politike, përkatësisht problemeve të tij me Qeverinë e Kosovës.


 


 


 


RKL: Kosova në pesë-vjetorin e shpalljes së pavarësisë


 


 


Pesë vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 2008, kreu i vendit tonë shpalli Pavarësinë e Kosovës, e cila u pranua dhe u njoh nga shumë shtete të botës, në mesin e tyre edhe nga shtetet më të fuqishme dhe më me ndikim në botë, si Amerika, Anglia, Gjermania, Franca, Italia etj. Deri tani shtetin e pavarur të Kosovës e kanë pranuar 98  shtete të botës, ndërkohë që në dy-tri vitet e fundit ky proces stagnoi për shkak të diplomacisë, agresive virulente dhe shumë me ndikim të Serbisë, Rusisë dhe bllokut të ortodoksisë së Lindjes.


Megjithatë, për këto pesë vjet pavarësi, Kosova ka krijuar një legjitimitet të brishtë ndërkombëtar, por gjithnjë e shantazhuar nga Serbia dhe vendet e saj mike. Kosova sot po feston Ditën e Pavarësisë, ditën e realizimit vetëm të një pjese të aspiratave tona të ligjshme kombëtare, ditën kur Deklarata Kushtetuese mori formë zyrtare dhe jo improvizuese, sikur në fillim të viteve 90. >>>


Kosova  sot gëzon një legjitimitet ndërkombëtar, i cili mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo është pranuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Ndërkombëtar Monetar si dhe në shumë asociacione e organizata të tjera ndërkombëtare, por është larg pranimit të OKB dhe larg pranimit nga shumica e shteteve të botës.


Sido qoftë, pavarësia e Kosovës nuk mund të kthehet prapa. Njohjet mund të stagnojnë edhe për një kohë, por ato një ditë do të ndodhin, pavarësisht shantazheve të Serbisë dhe të Kremlinit.


Pesë-vjetori i pavarësisë doemos se shtron pyetjen, sa kemi bërë për Kosovën?


Përfaqësuesit e institucioneve kanë radhitur shumë suksese,  edhe pse, as ata nuk janë plotësisht të kënaqur me të arriturat.


Kritikët dhe opozita kanë kritikuar Qeverinë dhe diplomacinë e vendit se në procesin e lobimit ka qenë inerte dhe jo sa duhet imponuese.


Miqtë e Kosovës i kanë çmuar të arriturat, por kanë kërkuar më shumë punë dhe angazhim nga institucionet në shumë lëmenj të ndjeshëm që nuk varen madje as nga vullneti i kreut të Kosovës, sikur është pozita  e serbëve në Kosovë, me të cilët ka manipuluar dhe po manipulon haptas regjimi i Beogradit. Dhe, bashkësia ndërkombëtare, në pamundësi për të ushtruan ndikim në politikën destruktive të Beogradit në këtë segment, ajo po kërkon të pamundurën nga zyrtarët tanë.


 


Pesë vjet të rritës së pavarësisë janë vetëm pesë  vjet dhe pak kush ka pritur të arritura më shumë, sepse çështja e Kosovës është një ekuacion me shumë elemente të pazgjidhura, është një çështje komplekse, që ka të bëjë në radhë të parë me pozitën e palakmueshme të kombit shqiptar në Ballkan, me ndarjen e dhunshme në pesë pjesë  dhe me legjitimimin  e kësaj dhune nga faktori vendimmarrës ndërkombëtar. Kosova nuk mund të zhvillohet, as të përparojë, pa u integruar në pjesët e veta. Ajo nuk mund të bashkohet në BE pa u bashkuar paraprakisht me pjesët e veta në Kosovën Lindore, në Iliridë, me pjesën shqiptare të Malit të Zi dhe me Shqipërinë, që do të duhej të ishte Piemonti i Shqiptarisë në Ballkan dhe që mjerisht, jo vetëm që nuk është Piemont, por është një faktor, që ka defaktorizuar në tërësi zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan.


 


Pavarësisht nga kjo, Kosova ka obligimet e veta kombëtare, sidomos për viset shqiptare, që kanë mbetur nën okupimin e tri shteteve sllave të Ballkanit. Këto pjesë mund dhe duhet të integrohen me Kosovën, nëse duam të bëhemi faktor real dhe i natyrshëm në këtë pjesë të Ballkanit, ku kemi jetuar shumë kohë para ardhjes së fiseve sllave dhe pushtimit të tokave tona nga këto fise, që më vonë u zgjeruan në tërë territorin e Ballkanit e më tej.


 


Nëse, dikur Shqipëria ishte shteti amë, ku i kishin varur shpresat, sot Kosova është shteti amë për pjesën e vetë të tri komunave shqiptare në lindje, të trojeve shqiptare të Iliridës si dhe pjesës së shqiptarëve në mal të Zi, meqë ky shtet, i cili e ka pranuar Kosovën, po kërkon përfaqësim të njëjtë të malazezve sllavë me pakicat e tjera kombëtare në vendin tonë. Përderisa Podgorica shfaq interesim të tillë për bashkëkombësit e vetë, Prishtina zyrtare duhet të kërkojë edhe më shumë, meqë shqiptarët në Mal të Zi janë banorë autoktonë,  dhe jo kolonë sikur janë malazezët në Kosovë, të cilët kanë qenë të manipuluar nga të gjitha regjimet pushtuese serbe, derisa më në fund edhe u ndanë përfundimisht nga Serbia.


 


Kosova duhet jo vetëm të shfaq interesim, por duhet ta  ndërtojë një platformë të fuqishme unifikuese kombëtare në këtë drejtim. Kosova do të bëhet një faktor shumë me rëndësi për të mbajtur baraspeshat etnike në Ballkan, sepse katër milionë shqiptarë në Shqipëri dhe tre milionë në Kosovë dhe në Iliridë e më gjerë, vetvetiu përbëjnë një faktor, që nuk mund të injorohet më, as mund të zhbëhet as mund të manipulohet sikur është manipuluar në të kaluarën nga fqinjët grabitqarë dhe nga Fuqitë e Mëdha.


Pavarësia e Kosovës do të arsyetohet dhe do të mbështetet vetëm nëse ecën drejt rrugës së integrimit të të gjithë shqiptarëve, të mbetur jashtë Shqipërisë, duke kërkuar unifikim dhe duke shfaqur interesim maksimal për perspektivën zhvillimore dhe mirëqenien e tyre.


 


A ka mundur të bëhet më shumë gjatë këtyre pesë viteve?


 


Realisht në tri vitet e fundit pas shpalljes së pavarësisë, procesi drejt njohjeve të reja dhe zhvillimit ekonomik të vendit kanë stagnuar. Ky stagnim është rezultat i pranimit të bisedimeve të Kosovës me Serbinë edhe pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kishte legjitimuar pavarësinë e Kosovës. Qarqet pro serbe në Evropë dhe në botë, duke parë se Serbia mori një goditje të ashpër nga GJND-ja, nga e cila edhe kishte kërkuar të defononte qëndrimin e saj lidhur me pavarësinë e Kosovës, arritën ta bindin kreun poltik dhe insitucional të Kosovës, që sërish të zhvillonte bisedime me Beogradin, duke i segmentuar bisedimet e ardhshme thjesht si bisedime teknike, të cilat nuk kishin të bënin me statusin e saj.


Pranimi i bisedimeve me Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë dhe mbështetjes që Kosova mori nga GJND-ja, ishte gabimi më i madh që është bërë ndonjëherë pas mbarimit të luftës sonë çlirimtare në  qershor  të vitit  1999.


 


Me rastin e rifillimit të bisedimeve me Serbinë kreu politik dhe institucional i Kosovës ishte zotuar se kurrë nuk do të pranonte bisedime politike lidhur me statusin e Kosovës. Asokohe Radio-Kosova e Lirë kishte paralajmëruar se  rifillimi i bisedimeve me Serbinë pa dyshim se do ta degradonte edhe me keq procesin edhe ashtu të stagnuar të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet e tjera të botës, e veçanërisht nga shtetet islame, të cilat po shihet qartë se më shumë janë nën ndikimin e Rusisë dhe të Serbisë, sesa armiqësisë që kanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimi i bisedimeve, edhe pse po thuhet se nuk do të preket çështja e statusisit, është vetëm një mashtrim ose një hipokrizi më shumë, meqë të gjitha bisedimet e deritanishme janë zhvilluar me qëllim për ta përcaktuar statusin e Kosovës.


Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, është thënë sa e sa herë se bisedimet për statusin kanë përfunduar dhe bisedime të tilla nuk do të ketë më me Beogradin. Aktualisht thuhet se mund të ketë bisedime të aspektit teknik. Kështu është thënë edhe gjatë dy viteve të bisedimeve. Grupi negociator vazhdimisht kishte deklaruar se nuk po bisedohej për statusin, se në bisedimet e mbajtura në Vjenë Kosova po avanconte tetë me dy(!). Sigurisht se edhe kësaj radhe do të gjendet ndonjë mbulesë për rifillimin e bisedimeve, të cilat nëse fillojnë, jo vetëm do ta degradojnë shpalljes e pavarësisë, por do ta stopojnë njohjen e mëtejshme të kësaj pavarësie edhe nga shtetet e tjera.


Nëse Kosovën e kishin pranuar 45 shtete të botës deri në rifillimin e bisedimeve dhe nëse kreu politik dhe institucional i vendit i beson me sinqeritet kësaj pavarësie, atëherë nuk mund të anashkalohet pyetja se për çfarë aspektesh të bisedohet me Beogradin? Duke komentuar mundësinë e rifillimit të bisedimeve, zyrtari i atëhershëm i Qeverisë së Beogradit, Oliver Ivanoviq, në një intervistë për BBC-në  kishte  deklaruar se statusi i tashëm i Kosovës është i përkohshëm, duke shtuar se aktualisht nuk mund të hapet për bisedime çështja e statusit të Kosovës ndonëse shtoi se në një periudhë të caktuar, ajo, sërish do të mbledhë në tryezë shqiptarët dhe serbët. Beogradi zyrtar kishte saktësuar se i takon kryeadministratorit të Kosovës, Lamberto Zanieri, që të gjejë momentin dhe modalitetet se si t’i përfshijë në bisedimet e përbashkëta edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duke precizuar se çfarëdo marrëveshjeje që eventualisht mund të arrijë UNMIK-u me përfaqësuesit serbë, ajo do të kalojë përmes konsultimeve ose në pajtim me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.


Tre vjet më parë Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri, Hashim  Thaçi dhe kryekuvendari, Jakup  Krasniqi, ishin zotuar se kurrë më në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë nuk do të bisedohej me Beogradin për statusin e Kosovës.


Ata ishin zotuar se kurrë më dhe në asnjë mënyrë nuk do të bisedonin për pjesën e veriut të Kosovës, të cilën e mban të okupuar Serbia me një segment të policisë ndërkombëtare.


Ishin zotuar se nuk do të bisedohej as për kishat e manastiret serbe, sepse ato me pakon e Ahtisarit kanë siguruar jo vetëm autonominë, por pavarësinë e plotë nga Kosova.


Ishin zotuar se nuk do të  bisedohej as lidhur me procesin e decentralizimit, sepse edhe kjo punë është kryer në dobi të plotë të serbëve.


 

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …