RKL: “Shkizma” vështirë e riparueshme në radhët e drejtuesve të luftës së UÇK-së

Shpallja e listave të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me Njësitë vartëse, nga Komisioni qeveritar për verifikimin e kategorive të Luftës, nxjerrë në sipërfaqe  disa pikëpyetje, në të cilat dikush duhet të përgjigjet, për hir të luftës e gjakut të derdhur për liri.

 

Ajo që menjëherë do t’i bie në sy secilit që ka lexuar listat e kategorive të luftës të SHP të UÇK-së( nëse është listë përfundimtare) është mungesa e prezantimit si anëtarë të “Komandës” së Shtabit e disa prej krerëve më të lartë dhe më emblematikë të luftës. Komisioni Qeveritar nuk ka dhënë ndonjë shpjegim publik lidhur me mospraninë e emrave në “Komandë” që vetëkuptohen dhe që kanë qenë e kanë mbetur figura qendrore, me të cilat është identifikuar lufta e UÇK-së.

 

SHP i UÇK-së ka shpallur listën e dëshmorëve të vet, duke na dhënë për të kuptuar se ata kanë qenë anëtarë të tij në kohën kur kanë rënë. Ata janë: Adrian R. Krasniqi, Agim B. Qelaj, Bahri Rr.Fazliu, Bekim F. Berisha, Edmond I. Hoxha, Hakif S. Zejnullahu, Haxhi H. Hoti, Hazir A. Malaj, Ilir H. Kunushevci Luan H. Haradinaj dhe Qenë A. Qenaj. Komisioni Qeveritar nuk ka dhënë ndonjë shpjegim publik lidhur me mospraninë e emrave që vetëkuptohen dhe që kanë qenë e kanë mbetur figura qendrore të luftës. Sipas këtij publikimi del se dëshmorët e tjerë, si Legjendari, Adem Jashari, apo Zahir Pajaziti nuk paskan qenë pjesë e Komandës së Shtabit as dëshmorë nga radhët e anëtarësisë së “Komandës” së Shtabit.

Nuk janë dhënë shpjegime për opinion lidhur me këtë radhitje, lëshim apo përjashtim.

 

Radhitja alfabetike, pavarësisht se është një kriter gjuhësor, konsiderojmë se nuk ka qenë dashur të aplikohet, ose së paku ka qenë dashur të aplikohej me një përjashtim, duke marrë për bazë vlerat morale, humane e kombëtare të anëtarëve të SHP. Vendosja në numrin 1 të listës së veteranëve të Shtabit, e emrit të Adem Grabovcit para emrit të Adem Demaçit vë në pikëpyetje edhe seriozitetin e punës, meqë dihet se cila ka qenë, është dhe do të mbetet pesha kombëtare e morale e Adem Demaçit për Kosovën dhe popullin shqiptar në përgjithësi dhe cila ka qenë dhe është ajo e Ademit të njohur të skandalit të “Prontos” të PDK-së dhe jo vetëm kaq. Përpjekja për të krahasuar këta dy emra është njësoj sikur synimi për të barazuar Jovin me Bovin mitologjik. Se është bërë një përpjekje e tillë dëshmon edhe fakti se në rastin e tillë është shkelur edhe parimi i renditjes alfabetike, ngase mbiemri Demaçi do të duhej të ishte para mbiemrit, Grabovci, pavarësisht se kriter gjuhësor është marrë iniciali i prindit.

 

Komisioni do të duhej të kishte marrë  parasysh se çfarë aktiviteti zhvilloi  ta zëmë një “anëtar” i Shtabit, i cili tërë kohën e kishte kaluar me një kamerë xhirimi në dorë në odat e Shtabit, xhirime dhe incizime të cilat i shiti dhe i përvetësoi, madje edhe i “humbi” sikur është rasti me incizimin e momentit të hapjes së Radios Kosova e Lirë.  E pashmangshme do të duhej të ishte edhe pyetja se çka kishte ndodhur me anëtarët e SHP të UÇK-së, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s prej 24 marsit e tutje?

 

Në listën prej 32 anëtarëve të gjallë të ish-SHP të UÇK-së, janë të evidentuar emra që gjatë tërë kohës së luftës asnjëherë nuk kanë qenë të pranishëm në Kosovë, si Xhavit Haliti, Shaip Muja, por edhe të tillë që gjatë asaj kohe kishin qëndruar vetëm dy apo tri herë brenda saj. Kjo mbase edhe vetëkuptohet për shkak të rëndësisë që kuadrot e larta të Shtabit ia kishin përshkruar vetes, apo njëri-tjetrit, kur dihet se shumë nga prijatarët e lirisë, për të cilët “krenohet” Shtabi, ranë në altarin e Atdheut, si Mujë Krasniqi, (për të cilin supozojmë se duhej të kishte  qenë anëtar i Shtabit), Tahir Sinani dhe të gjithë komandantët e Zonave Operative. Gjatë kohës së luftës komandantët e shtatë zonave operative të UÇK-së, në të njëjtën kohë kishin qenë edhe anëtarë të Shtabit, e gjithsesi edhe anëtarë të “Komandës”. Të paktën kështu është thënë në vazhdimësi.

 

 Në mesin e 32 komandantëve, anëtarë të “Komandës” së Shtabit nuk ndodhen (ose janë përjashtuar për shkaqe që panjohura për opinionin) kolonel, Dilaver Goxhai, kolonel Spiro Butka (i refuzuar nga Operacioni “Shigjeta”), kolonel Bardhyl Tahiri (ndodhet një listën e Njësive të tjera vartëse, si veteran), kolonel Adem Shehu, (ndodhet në listën e veteranëve të Zonës Operative të Llapit, e jo në atë të Komandës së Shtabit të Përgjithshëm), oficeri,  Dritan Goxhai (i refuzuar nga Operacioni “Shigjeta”).

Asnjë prej kolonelëve të Shqipërisë nuk ndodhet në radhët e “Komandës”, ndërkohë që janë refuzuar dy kolonelë dhe një oficer nga Shqipëria. Të shpresojmë se Komisioni do ta përmirësojë këtë lëshim flagrant, të paktën për hir të së vërtetës. 

 

 Pyetja e radhës është, ku ishin, apo ku u ndodhën me detyra “speciale” këta 32 burra të Shtabit, në prill të vitit 1999, pasi forcat serbe ndërmorën ofensivën më të egër të luftës kundër UÇK-së?

 

Nuk duhet harruar se në rrethanat më të vështira të luftës, në selinë e SHP të UÇK-së, në Divjakë e në Kleçkë, pas intervenimit të NATO-s, në fund të marsit dhe në fillim të prillit të vitit 1999 kishin mbetur vetëm komandantët e operativës,  një kohë në krye  me Tahir Sinanin, ndërsa nga këta 32 anëtarët e Shtabit, vetëm inspektori i Shtabit, Rexhep Selimi.

Shumica syresh ishin vendosur në Zonën e Neredimes.

 

Në ditët e para të prillit të vitit 1999 në selinë e Shtabit, në Divjakë kanë qenë vetëm komandanti i Logjistikës së Shtabit, Idriz Hyseni me ushtar Dalipin, Ilmi Ramadani dhe katër anëtarët e stafit të Radios Kosova e Lirë: Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana dhe Ahmet Qeriqi (veteranë të radhitur një njësitë e tjera vartëse të Shtabit). Për kohën të cilën po shkruajmë, për shkaqe që dihen, disa anëtarë të SHP nuk ishin kthyer nga Konferenca e Rambujesë, sikur ishte rasti i zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili qysh prej fillimit, gjatë tërë kohës kishte qëndruar në zonat e luftës dhe në selinë e SHP të UÇK-së. Nuk ishte kthyer, as Fatmir Limaj meqë ishte kyçur në Operacionin “Shigjeta”.  Zëdhënësi i SHP të UÇK-së,  Jakup Krasniqi, pas Konferencës së Rambujesë ka qëndruar në Paris me detyrë zyrtare për të mbajtur takime me autoritetet e larta evropiane e botërore.

 

Në javën e parë të prillit të vitit 1999, selinë e SHP në Fshatin e Ri e kishin braktisur, (mbase për çështje taktike)  pothuajse të gjithë anëtarët e Shtabit, të gjithë truprojat dhe shoferët e tyre dhe të gjithë ushtarët që e siguronin dhe e mbronin selinë e Shtabit. Ata madje nuk kishin marrë  me vete as dokumentacionin sekret, në përpjekje për t’u larguar sa më parë nga frika se forcat serbe do të mund të depërtonin në Rrafshnaltën e Berishës. Me qëllim për t’i ruajtur dhe siguruar fletët e shpërndara nëpër zyre të dokumentacionit të Shtabit, Nusret Pllana e Martin Çuni kishin grumbulluar të gjitha dokumentet dhe i kishin vendosur në qese plastmasi, duke i siguruar që të mos humbnin, pavarësisht se Rrafshnalta nuk u shkel kurrë nga forcat serbe. Ishte stafi i Radios Kosova e Lirë ai që e ruajti në tërësi dokumentacionin e luftës dhe që e ruan në origjinal, për hir të së vërtetës, luftës dhe gjakut të derdhur për liri. Të tjerët mund të shkruajnë e të botojnë çfarë të duan, por për ta shkruar historinë e vërtetë të UÇK-së duhen dokumentet origjinale, e jo improvizimet e shumë turbo-botimeve të pas luftës.

 

Berat Luzha, me disa prej anëtarëve të tjerë të stafit të agjencisë  Kosovapress, në fund të marsit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, kishin ikur nga selia, që ndodhej në shtëpinë e vëllezërve Riza e Milaim Berisha në fshatin Berishë dhe ishin vendosur në fshatin Karaçicë, që ndodhet afër Grykës së Carralevës, ndërsa kishin kërkuar nga Elez Durmishi, komandant i Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 “Ismet Jashari- Kumanova” në Krojmir, që me ushtarët e këtij Batalioni t’ua siguronte rrugën dhe t’i përcillte për në Zonën e Neredimes, në drejtim të kufirit me ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë. Dhjetë ditë më vonë, eprori Rexhep Selimi, urdhëroi të kthehej në Fshatin e Ri, Berat Luzha me stafin e tij.

 

Në atë kohë të lëvizjeve dhe të luftimeve të përditshme ballë për ballë forcave serbe, stafi i Radios-Kosova e Lirë, me ndihmën e pak ushtarëve nga Toga e Berishës po hapte bunkerin historik të transmetimit, mu në kuotën më të lartë të Kodrës së Pallanikut, në mes fshatrave Kizharekë e Nekoc, mbi një masiv guror, ku u transmetua programi i radios deri në fund të luftës së UÇK-së,  deri më 21 qershor 1999. Askush në Rrafshnaltë nuk ishte më në shënjestër dhe më shumë herë i atakuar nga bombardimet  sesa kjo Radio, gazetarët dhe teknikët e saj.

 

Pavarësisht se kush kë e ka shpallur veteran, nga Komisioni qeveritar, nuk kemi qëllim të vëmë në dilemë kontributin e asnjë luftëtari, veprimtari, përkrahësi, por këtë po e bëjmë me qëllim të zbardhjes të së vërtetës mbi luftën e UÇK-së, sidomos në zonën ku veproi Brigada 121- “Ismet Jashari-Kumanova”, ku mbijetuan institucionet e SHP të UÇK-së. Në vazhdimësi do të prezantojmë fakte e argumente, të cilat kanë ndriçuar dhe do ta ndriçojnë të vërtetën e luftës nga brenda, me fakte e argumente, me dëshmi të mijëra atyre luftëtarëve të vendosur, që për asnjë çast nuk i lëshuan pozicionet dhe deri në ditën e fitores ishin në mbrojtje të rreth 100.000 pjesëtarëve të zhvendosur të luftës në grykat e maleve: Krojmir, Pjetërshticë, Shalë, Baincë, Nekovc, Kizharekë, malet e Arllatit, Llapushnikut, të Terpezës, Lladrovcit, Ngucatit, Bllacës e fshatrave të tjera të Rrafshnaltës së Berishës, që shtrihet nga Fshati Berishë, Fshati i Ri, Divjakë, Kleçkë, Lluzhnicë e deri te Qafa e Duhles, zonë e cila mbijetoi luftën me një heroizëm të veçantë. Kjo luftë dhe kjo qëndresë heroike nuk mund të zbehet, pavarësisht se kush kë e shpallë veteran, pjesëtar apo e mohon fare.

Lufta çlirimtare nuk është bërë për hir të emrave të caktuar në hierarkinë komanduese, por për hir të çlirimit të Kosovës nga robëria serbe dhe ajo nuk mund të zbehet me manipulimet e pas luftës, as me degradimin  që po mundohet t’ia bëjë një segment i bashkësisë ndërkombëtare.

 

Ky reagim drejtuar Komisionit Qeveritar i takon Radios-Kosova e Lirë, meqë ishte Radio e themeluar me vendim të Shtabit dhe ishte i vetmi medium i luftës brenda në Kosovë. Stafi i Radios Kosova e Lirë i njeh të gjithë, e di veprimtarinë e tyre konkrete ashtu sikur edhe ecejaket e tyre, nga një zonë në tjetrën.

 

Institucionet në Kosovë, historianët që do të merren me shkrimin e historisë së luftës së UÇK-së, duhet ta kenë parasysh faktin se në luftën tonë heroike çlirimtare dhe fitimtare kanë rënë 1930 dëshmorë, bazuar në listat e zonave operative të sajuara tre muaj pas përfundimit të luftës, (dokumentacioni ruhet në Arkivin e RKL-së), ndërsa kanë marrë plagë rreth 1.400 luftëtarë në mesin e rreth 18.000 veteranëve. Duhet theksuar faktin se vetëm Zona Operative e Drenicës, me rastin e publikimit të listave nuk ka shtuar asnjë dëshmor.

 

Fryrja gati trefish e pjesëtarëve të kategorive të luftës, nuk e zbeh luftën tonë çlirimtare, as e minimizon atë, sepse dyfishi i pjesëmarrjes së qytetarëve në konkursin e Qeverisë, është bërë në radhë të parë për përfitime politike, financiare dhe jo për përfitime morale, atdhetare e kombëtare, sepse ato merita nuk blihen me para, pavarësisht çmimit që mund të ketë akorduar ndokush, nëse supozojmë se ka pasur raste të tilla.

 

Përgjegjësia për manipulimet e bëra në favor të qarqeve dhe individëve të ndryshëm e për interesa të tyre, duke e shtrembëruar dhe falsifikuar një apo disa segmente të realitetit, lidhur me  pjesëmarrjen dhe kontributin e vërtetë të luftëtarëve në luftën heroike çlirimtare të UCK-së kundër pushtuesit serb, gjithsesi i përket Komisionit Qendror Qeveritar dhe të gjithë atyre që kanë qenë të angazhuar në procesin e përpilimit të listave të kategorive të luftës së UCK-së. Kjo përgjegjësi do të duhej të ishte e njëjtë me përgjegjësinë, që kanë pasur komandantët e përgjegjshëm për ushtarët e tyre gjatë luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Përfaqësuesit e Qeverisë, BQK-së dhe të Trustit takohen sot për të diskutuar zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbjen

Sot, në Prishtinë pritet të mbahen protesta për lejimin e tërheqjes së një përqindjeje të mjeteve të Trustit pensional

Sot, në orën 12.00 në Prishtinë pritet të mbahen protesta  për lejimin e tërheqjes së …