Përpjekjet për të hyrë në mënyrë ilegale dhe për përvetësim të Kishës e Shën Gjonit në Shas, ( në troje shqiptare të mbetura nën Mal të Zi) nga kryeprifti serb, Amfilohije, që gjatë luftës në ish -Jugosllavi kishte bekuar ushtarët serbë për luftë kundër myslimanëve në Bosnje dhe në Kosovë, dështuan nga organizimi i popullatës shqiptare dhe kundërvënia meritore, për të mos lejuar edhe më tej përvetësimin e trashëgimisë sonë, sikur kanë bërë serbët, sidomos në këto 100 vitet e fundit.
Ajo, për të cilat janë tmerruar priftërinjtë serbë, portalet e mediet në Serbi, është fakti pse shqiptarët e besimit islamë, nuk kanë lejuar të mbahet liturgji, në një kishë katolike shqiptare. Serbët me logjikën e tyre ekspansioniste, naive e morbide ende mendojnë se të gjithë të krishterët duhet ta ruajnë interesin serb, ashtu sikur ruan interesin grek, prifti satana, Janullatos, me bekimin e Sali Berishës e Ilir Metës në Shqipëri.
Marrja në mbrojtje e trashëgimisë së përbashkët shqiptare, kudo në trojet tona është në radhë të parë detyrë kombëtare, dhe kështu ka qenë e kështu do të jetë. Jo pak kisha e manastire të krishtera i kanë ruajtur shqiptarët gjatë shekujve të sundimit osman në trojet tona. Ata madje kanë ruajtur edhe trashëgiminë fetare ortodokse, të vetëdijshëm se ajo fillimisht kishte qenë e krishterë burimore, por pas ndarjes së krishterimit, sidomos në Mesjetë, atë trashëgimi e përvetësoi Dinastia e Nemanjidëve. Në Kodin e Dushanit, ndjekja e katolikëve dhe konvertimi i tyre në ortodoks, lejohej të bëhej edhe dhunshëm, pa dhënë asnjë përgjegjësi. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse Papa, në Avinjon në vitin 1350, nuk kishte pranuar që Mbreti Dushan ta emërohej kapiten i kryqëzatës kundër Turqisë, në shenj hakmarrjeje sepse ai kishte konvertuar dhunshëm katolikët në ortodoksë, kudo në trojet e Ballkanit. Po ashtu në mjaft burime shkruhet se Mbretin Dushan e kishte helmuar Kisha serbe, për shkak se ai kishte pranuar autoritetin e Papës.
Ja si përshkruhen këto fakte në historinë serbe: “Mbreti Dushan e kishte dërguar një mision të veçantë, të udhëhequr nga Nikollë Buçaj i Kotorit, drejtuar Papës për ta emëruar komandant të krishterimit në një kryqëzatë kundër turqve. Ai përmes Nikollë Buçës kishte shprehur gatishmërinë për të njohur zyrtarisht Papën si kreun suprem të kishës Romake Katolike. Gjatë kthimit, Nikollë Buça takoi deputetët e mbretit çek i cili shkoi në Romë për t’u kurorëzuart si perandor i Shenjtë- romak gjerman. Ai i kishte dërguar një letër Dushanit ku shprehej kënaqësia që ai dëshironte ta pranonte kishën katolike për UNAM Sanctam… Papa kishte rënë dakord me kushtet e perandorit serb dhe kishte dërguar dy deputetë, të udhëhequr nga peshkopi, ( katolik shqiptar) Pjetër Toma, me një letër, në të cilën Dushanin e kishte quajtur mbret dhe jo Perandor, e për këtë ai ishte hidhëruar dhe të dy të dërguarit e Papës i kishte përzënë nga Serbia. (Wikipedia, Dusan Nemajnic).
Në burimet e tjera të kohës, arsyetimi pse Papa nuk e kishte pranuar propozimin e Dushanit, thuhet se kishte qenë pikërisht për shkak të masakrimit dhe konvertimit me dhunë të katolikëve në atë që quhet, “pravosllavna vera”. E tillë ka qenë historia, përvetësimet, konvertimet e dhunshme, ndërrimi i ikonografisë romake katolike me atë ortodokse sllave, sikur ka ndodhur me Manastirin e Deçanit dhe po thuajse me të gjitha kishat e manastiret ortodokse, të përvetësuar nga Kisha serbe, e cila nuk ishte pranuar madje as nga autoriteti fetar i Kostandinopojës. Dhe ja si ngre kokë edhe sot në vitin 2018 lubia hegjemoniste fetare serbe, nën petkun fetar të mesjetës, për të përvetësuar tërë trashëgiminë e krishterë, shqiptare.
Po tani, ka ndërruar shumëçka. Kompleksi i kishave të Shasit dhe kudo ku ato ndodhen, ashtu sikur në të kaluarën, sërish i ruan populli shqiptar, pa dallim feje e krahine.
Të përkujtojmë faktet se gjatë kohës së luftës së UÇK-së, çlirimtarët tanë nuk dogjën as rrënuan asnjë kishte ortodokse. Ata ruajtën edhe Manastirin e Deviçit në Drenicë, i cili u dogj në vitin 2004 nga revolta e shqiptarëve më 17 e 18 mars, për shkak të mbytjes dhe hedhjes në lumë të tre fëmijëve shqiptarë nga serbët. As sot e kësaj dite, pas 14 vitesh nuk dihet se kush i dogji kishat e manastiret ortodokse në vitin 2004, por dihet se atë mllef të ligjshëm të shqiptarëve nuk e ndaluan segmente të caktuara paqeruajtëse të ndërkombëtarëve, me qëllim që kryengritja të degjeneronte në një fushatë gjoja kundër krishterimit. Politikanët tanë pa verifikuar asnjë element të dhënë, apo dëshmi relevante, morën qëndrim kundër protestave, për hir të Brukselit, në mënyrë që Serbia nga dhunuese, masakruese e okupatore shekullore e shqiptarëve, të paraqitej si viktimë e shqiptarëve me fe islame.
Ruajtja e trashëgimisë sonë kulturore, tregon më së miri se vlerat e kulturës sonë të tolerancës fetare, janë promotor i shqiptarizmit, që lejon kishë e xhami, sinagogë e teqe, por nuk lejon që këto ta drejtojnë kombin, por secili ta drejtojë fenë dhe besimtarët e vetë, me një tolerancë maksimale, që nuk njihet te asnjë popull i botës.
Në fund të këtij shkrimi një rrëfim popullor që i përshkruhet Bajram Currit. Në vitin 1912, kur kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinë, Isa Boletinin, Bajram Currin e të tjerë kishin marrë në qeverisje katër vilajetet, Bajram Curri ndodhej në Gjakovë. Asokohe një prift kërkon nga ai lejen për ndërtimin në qytet të Kishës Katolike. Bajram Curri kishte pyetur të pranishmit se sa xhami ishin në qytet. Pasi i kishin treguar numrin e xhamive ai iu kishte drejtuar priftit. Zgjidhe një, cilën të duash e bëje kishë, e ke mbështetjen time.
Kjo është ajo solidarësia fetare shqiptare që aq shumë iu ka penguar dhe iu pengon serbëve e grekëve dhe të gjithë atyre analistëve pizeveng, shqip-shkronjës, që për eurot e majme që marrin nga OJQ-të e Janullatosit, Amfilohijes, Irinejit e të tjerëve vendin tonë e prej 8 milionësh e etiketojnë se tokë e pëlleshme i ISIS-it, sepse qenkan gjetur dy-treqind shqiptarë islamë që kanë luftuar në Siri e gjetkë, nën famujt e huaj. Dielli është i madh dhe nuk mbulohet me shoshë, ndërsa Shasi historikisht ka qenë dhe do të jetë në radhë të parë pronë shqiptare dhe trashëgimi e fesë së të parëve.