Politika shqiptare, si në Tiranë, Shkup dhe në Prishtinë, është ndarë në dysh, ashtu sikur në të kaluarën e largët, kur në këto troje ishte ndarë në dysh, Roma e Bizanti, krishterimi lindor e perëndimor, qytetërimi i Azisë dhe i Evropës, komunizmi dhe kapitalizmi. Ballkani, dhe përgjithësisht trojet ende të paçliruara e të copëtuara të Shqipërisë, po prodhojnë dhe po gjenerojnë kriza, sidomos brenda për brenda etnikumit tonë, për shkak se shqiptarët kanë filluar të mbledhin fuqitë e tyre, fillimisht kundër njëri- tjetrit e më vonë ndoshta edhe kundër grabitqarëve dhe shkaktarëve të të gjitha humbjeve historike, që na kanë shkaktuar gjitonët grabitqarë.
Në Shqipëri, po homogjenizohen skajshëm dy botë kundërshtare, jo aq të kundërta në platformat politike, por të padurueshme dhe tejet agresive në grabitjen dhe mbajtjen e pushtetit. E njëjta klimë politike po mbretëron edhe në Kosovë, por edhe në trojet shqiptare të Iliridës.
Në Tiranë, opozita nuk e ka pranuar rezultatin e votimeve dhe Edi Rama kërkon hapjen e kutive. Sali Berisha, i cili si duket e di se brenda kutive janë fshehur shumë të liga, me asnjë kusht dhe me asnjë çmim nuk pranon hapjen e tyre.
Në Prishtinë, sipas rezultateve të deritanishme, në zgjedhjet e fundit lokale, në shumicën e komunave ka fituar PDK-ja. Këtë rezultat po e kontestojnë jo vetëm LDK-ja por të gjitha partitë politike, të cilat po ashtu janë bashkuar kundër fitores së PDK-së. Edhe në trevat shqiptare të ish-RJ të Maqedonisë pozita në pushtet kontestohet nga opozita, e cila po ashtu ishte në koalicion me VMRO-në sllavo-maqedonase, madje edhe gjatë tërë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Në këtë vështrim do të ndalemi për ta komentuar situatën politike pas zgjedhjeve të fundit vendore në Kosovë, ku humbësit kanë kontestuar rezultatin zgjedhor, madje duke paralajmëruar protesta në ruajtje të votës, e cila sipas tyre qenka manipuluar nga PDK-ja.
Në këtë koalicion anti PDK, janë tubuar të gjitha partitë parlamentare dhe shumica e partive të vogla, të cilat janë ndarë tejet të dëshpëruara nga rezultati i votimeve të fundit.
Motoja: Të gjithë kundër PDK-së, e nisur nga LDK-ja, parti e cila është në koalicion qeveritar me PDK-në, nxjerrë në sipërfaqe shumë të palara dhe shumë antagonizma brenda këtij koalicioni, i cili realisht tashmë ka marrë goditjet serioze, por ende po mbahet, sepse nënshkruesit e koalicionit, kryetari, Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi i kanë dhënë besën përfaqësuesve të zyrave të huaja, sidomos ambasadës amerikane, se ky koalicion nuk do të prishet, meqë i shërben “paqes dhe stabilitetit” në vend, për çka janë shumë të interesuar diplomatët e huaj, të akredituar në Prishtinë.
Duke komentuar sulmet e LDK-së madje edhe paralajmërimet për protesta, nëse LDK-së nuk i sigurohet fitorja në Prizren, në Gjilan dhe në Lypjan, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi u shpreh se “ne i ftojmë që të gjithë kompetentët ta luajnë rolin e tyre. Ata, që po ankohen në vendimet e KQZ-së dhe të KZAP-it, ata i ka emëruar kryetari i Republikës së Kosovë, sipas kompetencave kushtetuese, që ka vetë ai. E ftojmë publikisht kryetarin e Republikës, Fatmir Sejdiu, që është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kësaj radhe të jetë më shumë kryetar i Kosovës e më pak kryetar i LDK-së, pra të besojë në institucionet që i ka emëruar vetë, të kërkojë nga partia e vet, që ta bëjë të njëjtën gjë, pra të besojnë në institucionet e pavarura dhe të përfundojmë këtë proces me sukses”, ka thënë Kuçi, në një konferencë me gazetarë.
Ndërkohë, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk e ka komentuar deklaratën e zëvendës-kryeministrit Kuçi, por ka konfirmuar se ai është vetëm kryetar i Kosovës dhe jo i LDK-së, edhe pse realisht dhe botërisht dihet se kush është kryetar i Kosovës, por nuk dihet zyrtarisht dhe botërisht, se, kush është kryetar i LDK-së.
Se Lutfi Haziri, Eqrem Kryeziu sillen sikur të jenë kryetarë, këtë po e shohim të gjithë, por ende LDK-ja nuk ka kryetar tjetër, pos kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili thotë se e ka “ngrirë” postin në krye të LDK-së, por nuk ka treguar para opinionit se kush është kryetari i “shkrirë” i LDK-së, të paktën, kryetar zyrtar i kësaj partie, e cila pranon të jetë në koalicion me të gjitha partitë politike, vetëm për të ruajtur pozitat në pushtet. LDK-ja në nivelin qendror është partner me PDK-së, në nivelin lokal me AAK-në, LDD-në, AKR-së dhe të gjitha partitë e tjera të vogla.
Ky është morali i kësaj partie, por jo vetëm i kësaj partie, sepse edhe PDK-ja qysh moti ka sharruar në një moçal të tillë, nga i cili nuk ka bërë përpjekje serioze për t’ i nxjerrë këmbët, kur dihet se koalicioni me LDK-në ka qenë i panatyrshëm. i padëshirueshëm për shumicën e elektoratit, dhe si i tillë i papranueshëm, por me siguri se ka qenë jo vetëm i preferuar por edhe i imponuar nga ndërkombëtarët.
A mund të qëndrojë gjatë ky koalicion?
Brenda disa ditësh do të shpallen rezultatet definitive të zgjedhjeve lokale, sidomos në disa komuna, ku rezultati është i ngushtë dhe i kontestuar për shkak se LDK-ja ka qenë afër fitores dhe me siguri se në rast se PDK-ja do të shpallet fituese, pjesa e LDK-së, e cila është tejet e zhurmshme, ose do të çahet edhe njëherë, ose do ta prish koalicionin qendror me PDK-në, me qëllim për të shkaktuar krizë qeveritare, për të kërkuar pastaj zgjedhje të parakohshme.
Tani për tani, frerët për të parandaluar këtë turr të LDK-së i ka në duar timonieri, kryetari zyrtar i Kosovës dhe kryetari “i ngrirë”, i LDK-së, Fatmir Sejdiu, i cili ndodhet në pozitën mes kullës e çekanit.
Kryetari Sejdiu, me siguri se do të veprojë në të mirë të vendit, duke qenë se këto zgjedhje janë lavdëruar nga të gjithë monitorët dhe protektorët ndërkombëtarë.
Ndërkohë, duke komentuar zërat e të pakënaqurve në LDK, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ka thënë se këto ditë kishte dëgjuar e lexuar shumë komente për parregullsi të shumta gjatë procesit të fundit zgjedhor në Kosovë. Por, Dell ka theksuar se anulimi i nëntë vendvotimeve dhe parregullsitë tjera, në përqindje janë një shifër shumë e ulët, që të mund të konstatohet se procesi zgjedhor ka dështuar.“Po flasim për probleme në nëntë vendvotime, nga mbi 2.400 sish. Kjo është shumë më pak se 1 për qind e vendvotimeve”.“Të thuash se ka pasur probleme në më pak se 1 për qind të vendvotimeve, nuk mund të thuash se ka pasur mashtrim masiv, ose se kjo e zhvleftëson procesin – është thjesht një ekzagjerim”, ka vlerësuar Dell.
Nga kjo deklaratë e ambasadori Dell mund të përfundojmë se zgjedhjet do të shpallen të rregullta dhe rezultati i tyre do të pranohet detyrimisht nga të gjitha partitë politike, të cilat grindën e zihen mes veti, por kur është në pyetje autoriteti i z. Dell, të gjithë këta trima të kërleshur kundër njëri tjetrit, strukën e mjerohen.
E tërë kjo gjendje e ka një parahistori sa të hidhur, po aq dinake dhe shumë të neveritshme. Fushata e orkestruar kundër PDK-së nga LDD-ja e Dacit dhe LDK-ja e tandemit Haziri-Mustafa, e nisur në kohën e balotazhit dhe në vigjilje të shqyrtimit të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës në GJND, me nxjerrjen në sipërfaqe të rastit “Bllaca”, nga dy deputet të LDD-së dhe nga mediumet e opozitës, kishte për qëllim, jo vetëm damkosjen e PDK-së dhe ish UÇK-së, por edhe krijimin e hutisë dhe anarkisë në mesin e elektoratit. Këtë “fundosje” të PDK-së, të paktën e ka pritur LDD-ja, së cilës pikërisht kjo fushatë iu hakmor me përgjysmimin e elektoratit, po ashtu iu hakmor dhe do t’ i hakmerret edhe më keq edhe LDK-së, me një ndarje të re të partisë. Nuk iu hakmor AAK-së, për shkak se kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj nuk u bë pjesë e kësaj fushata, për rastin Bllaca. Tani, një pjesë LDK-së, krahu i Lutë Hazirit dhe i Isa Mustafës po ndihet tejet e zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve. Luta ka filluar sërish të mbledh fuqitë e fundit, meqë gjatë fushatës kishte paralajmëruar se, po të preken votat do të merren në duar hutat, jo për të ndërtuar, por për të shkatërruar, aq sa mund të shkatërrohet, nëse e lejojnë kushtet e rrethanat, dhe aq sa mund të fitohet duke prishur koalicionin dhe duke e detyruar Qeverinë të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Që Luta nuk ka qenë, as është i aftë për ta marrë në dorë armën, kjo është parë gjatë kohës së luftës së UÇK-së, madje edhe shumë më herët, qysh në vitin 1991, kur kishte shkuar në Tiranë për t u stërvitur, por ishte kthyer i ndërkryer, i thyer dhe gjatë hetimeve, para organeve të hetuesisë së Serbisë, kishte pranuar e zbuluar shumëçka, për të cilat Luta nuk ka folur në intervistën e tij, gjatë fushatës zgjedhore.
Luta, vetëm për një gjë është i aftë. Ai mund ta ndajë edhe një pjesë nga LDK-ja e mbetur, jo me grushte sikur kanë bërë Gani Geci e Agim veliu, as me ndërskëmca e djallëzi, sikur ka bërë dhe bën Eqrem Kryeziu, por thjesht me dërdëllisje të nxjerra nga gurmazi i ngjizur me fodullëk dhe bajraktarizëm të perënduar, duke iu bashkuar AAK-s- sikur bënë disa deputetë të tjerë të LDK-së.
Kjo parti me prejardhje nga LSPP dhe nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, “afirmimin” e vet kulmor e kishte përjetuar në kohën e regjimit të kriminelit Milosheviq në Kosovë dhe përnjëherë pas përfundimit të luftës çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së, duke u shtirë si viktimë,
Ajo tashmë po ikën drejt shthurjes së sigurt, jo nga presioni i PDK-së po nga forcat përçarëse brendapërbrenda nga grupet dhe katër-pesë klanet e identifikuara, të cilët me sa po shihet nuk i bën dot zap, Fatmir Sejdiu dhe asnjë nga liderët aktualë të kësaj partie. Vetëm nëse LDK-ja bashkohet me AAK-në do të mund të mbijetojë në këtë kohë krizash të brendshme e të pariparueshme.