Brickos

RKL: Trefishohet numri i invalidëve, rritet numri i dëshmorëve, rritet për 40 % numri i veteranëve

Vetëm Zona e Drenicës nuk e ka rritur numrin e dëshmorëve, të gjitha zonat e tjera e kanë rritur këtë numër madje deri edhe në 40 për qind.


Nga 1831 dëshmorë të shpallur nga zonat operative të luftës së UÇK-së në  vjeshtë të vitit 1999, tani statusin e dëshmorit e kanë fituar  2.269, numri del të jetë  i rritur për disa qindra


Nga 1350 invalidë, të evidentuar në vitin 1999 tani  janë shpallur 4.590, numri del të jetë trefishuar. Numrin më të madh të invalidëve e ka shpallur Zona e DukagjinitNë krahasim me numrin e ushtarëve, numrin më të madh të invalidëve e ka shpallur Zona Operative e Llapit.


Numri i veteranëve, të evidentuar në mbarim të luftës  ka qenë përafërsisht 18.000  tani janë evidentuar  26. 269.


Kategoritë e tjera nuk kanë qenë të evidentuar në fund të luftës.


 


Publikim i listës përfundimtare të Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorëve të Kombit, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve apo të Internuarve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, ka rezultuar me fryrjen e të gjitha kategorive, kategori këto të cilat kanë qenë përcaktuar nga Qeveria me rastin e aplikimit nga qytetarët.


 


Tani shihet qartë se me qëllim të përfitimit material dhe moral, mijëra qytetarë nga vendi e më gjerë kanë keqpërdorur vlerat e luftës, për qëllime individuale, grupore e mbi të gjitha për qëllime  partiake.


Trefishimi i numrit të invalidëve, është turpi më i madh që i është bërë luftës së UÇK-së, meqë në këtë mënyrë devalvohet lufta, kur dihet fare mirë se përcaktimi i shkallës së invalidit është bërë me një apo dy mjekë, të cilët kanë shkelur etikën mjekësore e betimin e Hipokratit. Statusi i invalidit për këta parazitë të luftës, të cilët mund të jenë gërvishtur diku duke ikur, apo mund të kenë lënguar nga ndonjë sëmundje jo serioze, është akt i një papërgjegjësie totale të zyrtarëve që janë marrë me këtë kategori. Trefishimi i numrit ka ardhur si rezultat për faktin se invalidët marrin më së paku 200 euro në muaj e në raste të caktuara edhe dy e tre fish më shumë.


 


Po kështu edhe rritja e numrit të dëshmorëve devalvon dëshmorët e vërtetë, ata që me armë në dorë ranë duke luftuar kundër forcave policore serbe. Shtimi i numrit është bërë duke shpallur dëshmorë, martirët dhe viktimat e luftës, meqë paga mujore për familjarin e  dëshmorit është më e madhe sesa për martirin. Këtu kanë përfituar ata që kanë pasur të njohur komandantët, militantët e partive politike dhe ata që rrëmojnë e shterojnë çdo mundësi për të arritur një qëllim, qoftë edhe duke korruptuar të korruptuarit e një shoqërie krejtësisht të korruptuar.


 


Edhe numri i veteranëve është rritur gati 50 për qind, duke llogaritur faktin se rreth 3000 veteranë gjatë këtyre  15 viteve, tani dalin të jenë evidentuar si invalidë. Nëse tani janë shpallur  26. 269 veteranë nga rreth 18.000 sa ishin pas luftës, kemi rreth 11.000 veteranë, më shumë. Dhe kush janë këta veteranë, është pyetje më vete që duhet të shqetësojë çdo liridashës të vendit.


 Janë shpallur veteranë edhe të tillë që krejt haptas kanë bashkëpunuar me regjimin, madje edhe gjatë luftës. Janë shpallur veteranë edhe dezertorët, ata që kanë lënë armët në front dhe kanë ikur nga Kosova, për t’ u kthyer pas luftës me uniforma të reja, të blera në Kukës apo në Shkup. Të tillët në emër të veteranit të vetëshpallur, (dikush nga ata pretendon të jetë edhe veteran i vërtetë), nuk kanë lënë gjë pa vjedhur, djegur e plaçkitur. Ata, me triskat e veteranëve kanë bërë malervizime e abuzime ndër më të ndryshmet. Dhe këta ikanakë të llojit të vetë barazohen me bashkëluftëtarët e gjallë të Adem Jasharit, Agim Ramadanit dhe të atyre veprimtarëve që kanë gjysmë shekulli veprimtari atdhetare, burg, izolim e luftë…


 


Me lëshime të tilla krerët e luftës në Kosovë herdokur duhet të japin përgjegjësi morale, sepse tani për tani nuk bëhet fjalë për përgjegjësi penale. Me lëshime të tilla krerët politikë dhe institucionalë të vendit, dashur pa dashur kanë zbehur luftën heroike të UÇK-së, përderisa kanë lejuar të goditen vlerat nga antivlerat, përderisa kanë shpallur konkurs për aplikim, në vend që çështja e këtyre kategorive të zbardhet e të zgjidhet në bazë të dokumentacionit të kohës së luftës. Çdo komandant i togut, njësisë, batalionit e Brigadës ka pasur shënime për luftëtarët e tij. Ata që nuk kanë mbajtur  shënime, do të duhej të kishin dhënë apo duhet të japin llogari, sepse puna më e lehtë ka qenë evidentimi i luftëtarëve.


( Një shembull konkret. Anëtarët e Shtabit Civil ushtarak në Krojmir: Heset Olluri, Ramadan Rizani, Vehbi Qeriqi, Bajram Rizani etj, përveç ndihmës që i kanë ofruar çdo familje të zhvendosur, kanë evidentuar në fletore emrat, mbiemrat, fshatin lokalitetin e banorëve të zhvendosur në Grykën e Shpëtimit, e cila në saje të këtyre evidencave në fund të luftës kishte rreth 27.000 të zhvendosur. ( Dokumentacioni ndodhet në arkivin e Radios-Kosova e Lirë).


Cili nga komandantët e batalioneve nuk paska pasur kohë të shënojë  emrat e 100 apo 200 ushtarëve?


Të besojmë se rezultati i publikuar nga Komisioni  duhet të jetë provizor, meqë shqyrtimi i kërkesave e ankesave duhet t’ i nënshtrohet një rigoroziteti qytetar e moral.  Në të kundërtën lufta e pastër,  e ndershme dhe heroike e UÇK-së së vërtetë, e asaj ushtrie që ka luftuar dhe ka derdhur gjak, duke qenë e përkushtuar për çlirimin e vendit nga robëria, duhet të distancohet nga lufta në hije, apo nga lufta për përfitime e favore materiale e politike. Ata që kërkojnë të përfitojnë para e përfitime  për luftën e tyre, nuk janë veteranë të vërtetë, por shpifarakë e parazitë, mercenarë e  dezertorë, të tillë sikur ishin edhe gjatë kohës së luftës.


 


Veteranët e vërtetë të UÇK-së në Kosovë duhet të riorganizohen në një institucion, shoqatë apo organizatë të veçantë, për të hulumtuar dhe për t’i  publikuar faktet, dëshmitë, dokumentet, argumentet e luftës, me qëllim për të mos lejuar që lufta të deformohet për qëllime grupore e politike. Luftëtarët e lirisë që nuk janë komprometuar, idealistët dhe  ademjasharianët e vërtetë, tani e kanë radhën, ta zbardhin të vërtetën e faktuar dhe të dëshmuar për luftën, sepse kjo i duhet në radhë të parë kombit, historisë dhe brezave që do të na trashëgojnë. Të mos lejojmë të përsëritet praktika e Fadil Hoxhës, pas Luftës së Dytë Botërore,  i cili për ta shtuar numrin e partizanëve shqiptarë, bazohej në dy dëshmitarë. Dhe kur u mendua se numri ishte rritur, filloi të botohej monografia “Në flakën e Revolucionit” ku evidentohej biografia e partizanëve dëshmorë. Për 7 numra të kësaj monografie anëtarët e Redaksisë dhe bashkëpunëtorët hartuan dhe botuan biografitë vetëm për 170 dëshmorë, shumica e tyre serbë e malazezë. Duke parë se nuk nxirrej  dot dhjamë nga pleshti, u shua edhe “Flaka e Revolucionit” e Fadil Hoxhës  dhe historianëve të politizuar komunisto-jugosllavë të Kosovës.


 


Pikërisht, duke parë se kishte filluar të  manipulohej me gjakun e dëshmorëve, Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” e themeluar në vitin 2001, në Prishtinë, me pajtimin dhe nënshkrimet e kreut të luftës dhe të komandantëve të zonave kishte filluar botimin e edicionit, “Feniksët e lirisë”. Prej asaj kohe e deri tani janë nxjerrë në dritë 16 vëllime, ku është, hulumtuar, faktuar, dëshmuar e  pasqyruar jeta e çdo dëshmori, në kontakt me bashkëluftëtarët, familjarët dhe pjesëmarrësit në luftë. Pikërisht sepse në këtë vëllime është shkruar dhe do të shkruhet historia e vërtetë e luftës, disa nga krerët e luftës edhe pse ishin zotuar dhe i  kishin  premtuar përkrahje institucionale  Redaksisë, nuk e mbajtën asnjëherë premtimin.


 


Veteranët, invalidët e vërtetë dhe familjarët e dëshmorëve i kanë borxh Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve, që ta zbardhin të vërtetën e luftës së UÇK-së. Dhe do ta bëjnë këtë, jo për përfitime të pensioneve, por  sepse liria është gjaku i dëshmorëve që nuk falet, që nuk guxon të deformohet, as të harrohet.

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …