RKL:“Traktati i paqes” me Serbinë një ide e rrezikshme në rrethanat ekzistuese

Ideja për një “Traktat paqeje” mes Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur Qeverinë e Beogradit e udhëheqin forcat retrograde nacional-shoviniste, në kohën kur kryetari i Serbisë Nikoliq, insiston rikthimin edhe faktik të sovranitetit mbi vendin tonë, në rastin më të butë, duket ide anakronike, politikisht naive, madje  në një masë edhe prepotente.


Pretendimi për ta bindur opinionin se “Traktati i paqes” me Serbinë, nënkupton një traktat të lidhur mes dy shteteve është më së paku një “non sens” politik, kur dihet mirëfilli se traktate miqësie e paqeje  lidhin shtetet, që e kanë pranuar dhe e njohin njëri-tjetrin. Në rastin konkret, Serbia jo vetëm që nuk e ka njohur Kosovën, por rikonfirmon qëndrimin se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e saj, duke ofruar zgjidhje për një status të një autonomie, sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.


 


Në një situatë të  tillë, ideja e Qeverisë së Kosovës për “pajtim me Serbinë”, në kohën kur Qeveria e Beogradit kërcënon madje edhe me intervenim ushtarak, në rast se Policia e Kosovës pretendon ta shtrijë sovranitetin në këtë pjesë të saj, është një ide e rrezikshme, e cila deklamohet për hatër të ndërkombëtarëve dhe për të rikonfirmuar një lojalitet të neveritshëm ndaj Brukselit.


Duke komentuar këtë nismë, ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë dhe deputet i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, u shpreh kundër idesë së zëvendës-kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, për një traktat paqeje me Serbinë. Ai ka thënë se aktualisht një traktat paqeje mes Serbisë dhe Kosovës do të vendosej detyrimisht në kuadër të një dokumenti ndërkombëtar, që do të ishte Rezoluta 1244.  A do të pranonte Kosova të hynte në kontekstin e këtij dokumenti në bisedime për një traktat paqeje? Për Serbinë, Rezoluta 1244, e cila përmban edhe fjalën ‘Jugosllavi’, do të nxiste perceptime juridike dykuptimëshe. Për Serbinë kjo do të ishte marrëveshja mes “Shtetit’ dhe Krahinës’”, ka saktësuar  Majko, i cili ka paralajmëruar  se një situatë e tillë do të rihapte debate edhe në NATO rreth vazhdimit të pranisë ushtarake në Kosovë.


Ideja e zëvendës-kryeministrit, Hajredin Kuçi që Kosova të lidh një traktat të paqes me Serbinë, ka nxitur reagimin edhe të kryetarit  të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka saktësuar se Kosova nuk mund të lidh traktat, pasi që nuk ka ushtri dhe një Traktat i Paqes ishte Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë së Jugosllavisë. Edhe LDK-ja një traktat të tillë e ka quajtur të pamundshëm dhe të paarsyeshëm në rrethanat aktuale.


 


Dihet tashmë se Qeveria e Kosovës, në bisedime me Serbinë, detyrimisht e ka pranuar “fusnotën”, e cila nënkupton një mbështetje, jo vetëm sa për sy e faqe,  në Rezolutën 1244. Kjo ide e Serbisë ka qenë projektuar si nismë për rifillimin e bisedimeve politike mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilat tashmë nuk po quhen bisedime teknike, meqë asnjëherë edhe nuk kanë qenë të tilla, por ishin kamufluar për t’ i qitë hi syve opinionit të painformuar.


Duke lëshuar pe në të gjitha proceset e deritanishme gjatë bisedimeve me Serbinë, Qeveria e Kosovës ka hyrë në rrugë pa krye, nga ku nuk mund të dilet me pranimin e kompromiseve të një pas njëshme, as me retorikë boshe e bombastike, se gjoja Serbia me vetë faktin e pranimit të procesit të bisedimeve e paska pranuar pavarësinë e Kosovës. Këto dëngla naive, nuk i beson askush, nuk i besojnë madje as ata që i deklarojnë, sepse vetë realiteti që po mbretëron në Kosovë i demanton më së miri ato deklarata boshe, të cilat jepen për konsumin ditor politik.


 


Politikanët dhe individët e caktuar edhe mund të pajtohen me Serbinë, edhe mund t’i ringjallin miqësitë e moçme dhe mund të lidhin miqësi të reja, por askush në Kosovë, asnjë instancë qeveritare e shtetërore nuk ka të drejtë të kërkojë pajtim me Serbinë në emër të popullit të Kosovës. Për një vendim të tillë, duhet plebishiti i popullit, i familjarëve të dëshmorëve e martirëve, i invalidëve e veteranëve, i të burgosurve politikë dhe i të keqtrajtuarve nga regjimet okupatore.


Pretendimet për pajtim me Serbinë, për hir të ruajtjes së posteve në Qeveri, Presidencë dhe në Kuvend, janë pretendime të turpshme, sepse pushtetet bien e ndërrohen, por populli mbetet dhe ai nuk mund të anashkalohet me kalkulime e mashtrime të politikanëve. Të kërkosh pajtim me Serbinë, në kohën kur ajo shfaq gatishmëri për të intervenuar ushtarakisht, të kërkosh pajtim me kreun kriminal të Serbisë të trashëgimisë së Milosheviqit, Sheshelit, Arkanit, Stanishiqit, është vetëvrasje, është një “harakiri anakronik”, të cilin  mund ta bëjë secili për veten e tij por jo në emër të popullit pa e pyetur atë dhe pa marrë pëlqimin e tij.


 


Për fatin, apo fatkeqësinë e tyre, shqiptarët dhe serbët kanë historinë 13 shekullore të armiqësisë, dhe kjo armiqësi historike nuk mund të kthehet në miqësi, përmes bisedimeve, traktateve e marrëveshjeve, përderisa, në radhë të parë është vetë Serbia ajo që nuk e dëshiron miqësinë me shqiptarët e pavarur, por e pranon bashkëjetesën  vetëm me shqiptarët e “ndershëm” me shqiptarët e kohës së Sinan Hasanit, Xhavit Nimanit, Azem Vllasit, Rrahman Morinës dhe sojit të tyre.


Serbia nuk heq dorë nga Kosova meqë për më shumë se 80 vjet rresh ajo kishte rekrutuar në radhët e veta  shqiptarë poltronë dhe trutharë, me të cilët kishte bashkë-qeverisur dhe kishte bashkëjetuar në epokën e bashkim vëllazërimit të panatyrshëm dhe antihistorik, të cilin e shembi përgjithmonë Rezistenca aktive gjithë popullore shqiptare dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.


 


Pajtimi “historik” me Serbinë edhe mund të ndodh në të ardhmen e largët, nëse pushon ndonjëherë armiqësia 13 shekullore, që historikisht lidhet me dyndjen e dhunshme dhe barbarinë që ushtruan popujt sllavë në  shkatërrimin e qytetërimeve në Ballkan, qysh prej ardhjes së tyre në shekujt 7 dhe 8 të epokës sonë. Pajtimi mund të ndodh në kohën kur do të bashkohen të gjitha trojet shqiptare në një shtet të vetëm. Pas një procesi të tillë, një traktat paqeje me Serbinë edhe mund të ketë kuptim.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …