leoni

Rrahman Hyseni: Botohet libri,“Tomografia e kompjuterizuar – principet fizike, mbrojtja nga rrezatimi dhe kontrolli i cilësisë”

Rrahman Hyseni: Botohet libri,“Tomografia e kompjuterizuar – principet fizike, mbrojtja nga rrezatimi dhe kontrolli i cilësisë”

 Ditë më parë u botua libri monografik “Tomografia e kompjuterizuar – principet fizike, mbrojtja nga rrezatimi dhe kontrolli i cilësisë” nga autori Dr. Sehad Kadiri. Kadiri, me profesion fizikant mjekësor në Klinikën e Onkologjisë, si dhe profesor asistent në Kolegjin AAB, në një prononcim, shpjegon për përmbajtjen e librit, duke theksuar se libri në fjalë është i fokusuar në çështjen e përdorimit të aparateve të avancuara CT për qëllime diagnostifikimi në mjekësi.

“Në lidhje me çështjen e përmbajtjes së tekstit (librit) monografik, me titull “TOMOGRAFIA

E KOMPJUTERIZUAR: principet fizike, mbrojtja nga rrezatimi dhe kontrolli i cilësisë” është tekst në të cilin i është kushtuar një vëmendje e theksuar cështjes së përdorimit të sigurt të aparateve të avancuara që përdoren për qëllime diagnostikimi në mjekësi (aparateve të CT-së)”,shpjegon ai.

Prof. Kadiri tutje shpjegon se tomografia e kompjuterizuar si metodë ndihmon shumë në diagnostifikimin e patologjive të ndryshme. Përmes ekzaminimit që realizohet nëpërmjet kësaj metode, me sajë të rrezeve X, përfitohen imazhe aksiale të trupit të cilat përpunohen nga një kompjuter. Imazhet e përfituara mund të analizohen dhe studiohen në monitorin e kompjuterit apo edhe të printohen. Për shkak të dëmtimeve që mund të shkaktojnë në organizëm rrezatimet jonizuese, sipas prof. Kadirit, është shumë e nevojshme që të përmirësohen metodat detektuese të rrezatimit, si dhe vlerësimet e dozës për qëllime të ndryshme, në veçanti të mbrojtjes së shëndetit të popullatës.

Duke i pasur parasysh këto rreziqe që mund t’u kanosen pacientëve përmes rrezatimeve jonizuese, prof. Kadiri në librin e sapopublikuar ofron zgjidhje që pacientët të mbrohen nga ekspozimet mjekësore. Sipas tij, që kjo gjë të arrihet, duhen përcaktuar dy hapa: vendosja e disa standardeve për ekspozime mjekësore dhe kontrolli e zbatimi i këtyre standardeve. “Për arritjen e këtij qëllimi përcaktohen dy hapa: i pari konsiston në vendosjen e disa standardeve për ekspozimet mjekësore dhe i dyti në kontrollin për zbatimin e këtyre standardeve gjatë procedurave diagnostikuese dhe terapeutike. Në këtë kuadër një rëndësi të veçantë merr monitorimi i ekspozimeve mjekësore”, shtoi tutje prof. Kadiri. Kur flitet për tomografinë e kompjuterizuar, sipas prof. Kadirit, rëndësi e vecantë duhet t’i kushtohet edhe përcaktimit të rrugëve për zvogëlimin sa më të mundshëm dozave nga këto ekspozime, duke ruajtur përherë cilësinë e imazhit. Ky element është vecanërisht i rëndësishëm për pacientët e moshave të reja, te të cilët mundësia e shfaqjes së efekteve stokastike është më e madhe se te pacientët e rritur.

Një element tjetër që shtjellohet në libër, dhe është i rëndësisë së vecantë, është edhe ai i kontrollimit sistematik të aparatëve CT, që këto të fundit të funksionojnë sipas parametrave optimal.

Të gjitha këto cështje mjekësore kanë qenë motivi kryesor që prof. Kadiri ta botojë një libër me sqarime të detajshme rreth tyre. Ai për fund shpreh falënderimet për recenzentët shkencorë që i ndihmuan, përmes këshillave e sugjerimeve shkencore, në përmirësimin e përmbajtjes së librit.

“Në fund, shpreh mirënjohje të sinqertë për recenzentët shkencorë, të cilët me këshillat dhen sugjerimet e tyre, ndihmuan në përmirësimin e cilësisë së këtij teksti”, përfundoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani, nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin …