Republika e Maqedonisë

Shtetasit maqedonas sot do të deklarohen për riemërtimin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut

Rreth 1.8 milion votues janë ftuar të deklarohen të dielën për Marrëveshjen me Greqinë, që parasheh riemërtimin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, me çka do t’i jepej fund kontestit 27-vjeçar me fqinjin jugor. Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni vlerësojnë se referendumi i së dielës paraqet një shans historik, i cili do t’ia hapte Maqedonisë rrugën për anëtarësim në NATO dhe në Bashkim Evropian. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoni kanë bërë të ditur se ata janë unikë sa i përket votimit të referendumit. Por pavarësisht këtyre, ka të atillë në Maqedoni të cilët tashmë kanë bërë thirrje që referendumi në fjalë të bojkotohet. “A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO, duke pranuar marrëveshjen e Republikës së Maqedonisë dhe të Republikës së Greqisë?”. Kjo është pyetja e vetme e referendumit, së cilës do t’i përgjigjen gjatë së dielës qytetarët e Maqedonisë. Teksa ka folur rreth këtij referendumi, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se synimi i shqiptarëve atje çdoherë ka qenë dhe mbetet anëtarësimi i vendit në NATO dhe në BE.  “Për neve si shqiptarë është shumë e rëndësishme që dita e diel të jetë momenti kur do të jemi me shpresën se do të ndahemi nga e kaluara e hidhur e vendit. Me shpresën që njëherë e përgjithmonë të marrin fund proceset e montuara politike pas kësaj dite”, ka deklaruar ai. Sela më tej është shprehur optimist se pas referendumit do të hapet një kapitull krejtësisht tjetër në Maqedoni. “Është thjesht një moment kur ne shpresojmë që do të hapet një kapitull i ri i funksionimit të shtetit, do të ndërpritet diskriminimi dhe do të jetë një rrugë më e lehtë për t’u arritur barabarësia e tërësishme ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve”, ka potencuar ai.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …