Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)[1] shpreh shqetësimin për publikimin e fundit të Kornizës së Shpenzimeve Afatmesme…

Mungesa e Konsultimeve Publike për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH)

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Kurti,

I nderuar Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Murati,

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)[1] shpreh shqetësimin për publikimin e fundit të Kornizës së Shpenzimeve Afatmesme (KASH) të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) për vitet 2025-2027. Me publikimin e KASH u anashkalua procesi i konsultimit publik i mandatuar nga Rregulloria (QRK) nr. 05/2016 mbi standardet minimale për procesin e konsultimit publik. Konsultimet publike janë thelbësore për transparencë dhe për të siguruar që KASH të pasqyrojë nevojat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë gratë, burrat, vajzat dhe djemtë. Kjo mungesë transparence pengon gjithashtu aftësinë e qytetarëve dhe ekspertëve për të analizuar ndikimet në buxhet, veçanërisht në lidhje me barazinë gjinore.

Për më tepër, MFPT nuk ka publikuar një Deklaratë të Buxhetit Gjinor (DBGJ), dhe as nuk ka publikuar shtojcat e kërkuara të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. DBGJ është kritike për nxitjen e barazisë gjinore në buxhet duke përshkruar se si buxheti ka planifikuar të caktojë burime për të çuar përpara barazinë gjinore duke trajtuar nevojat dhe përparësitë specifike të grave dhe vajzave. Kosova është zotuar për buxhetim të përgjegjshëm gjinor në Ligjin për Barazi Gjinore. Publikimi i mëtejshëm i DBGJ do të ishte në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (OZHQ) dhe interesin e Kosovës në zbatimin e kornizave si Llogaridhënia për Shpenzimet dhe Financat Publike (PEFA), që theksojnë rëndësinë e menaxhimit të financave publike të përgjegjshme ndaj gjinisë GPFM (Korniza Suplementare për Vlerësimin e Menaxhimit të Financave Publike të Përgjegjshme Gjinore)  si dhe respektimin e treguesit OZHQ 5.c.1. Deri më sot, këto nuk janë publikuar në faqet e internetit të Qeverisë në drejtim të transparencës në përputhje me treguesin e OZHQ 5.c.1. Publikimi i DBGJ dhe shtojcave, do të demonstronin se si buxheti avancon barazinë gjinore dhe siguron qasjen e publikut ndaj informacionit të qartë dhe gjithëpërfshirës të buxhetit.

RrGK kërkon nga MFPT që të marrë masa në adresimin e kësaj situate të krijuar. Konsultimet publike për KASH duhet të nisin menjëherë, duke iu përmbajtur Rregullores (QRK) nr. 05/2016 mbi standardet minimale për procesin e konsultimit publik. Këto konsultime duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të arritshme për një gamë të ndryshme të palëve të interesuara, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, grupet e grave dhe publikun e gjerë. Pjesëmarrja e publikut në procesin e zhvillimit të KASH u lejon qytetarëve të kuptojnë se si do të ndahen fondet publike dhe të mbrojnë përparësitë e tyre. Kjo nxit transparencën, përgjegjshmërinë dhe një shpërndarje më të barabartë të burimeve.

Prandaj, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që Qeveria e Kosovës dhe në mënyrë të veçantë MFPT:

  1. Të nisë urgjentisht një konsultim publik mbi KASH, si dhe për buxhetet e ardhshme vjetore sipas Rregullores (QRK) nr. 05/2016 mbi standardet minimale për procesin e konsultimit publik.
  2.  Të Publikohet një Deklaratë e Buxhetit Gjinor në përputhje me treguesin 5.c.1 të OZHQ-së, duke ilustruar se si buxheti do të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore në Kosovë në përputhje me zotërimet e Qeverisë.
  3.   Të publikohen në mënyrë transparente online të gjitha shtojcat e buxhetit gjinor, siç është mandatuar nga qarkoret buxhetore, të cilat duhet të dorëzohen nga organizatat buxhetore.

Shpresojmë që këto kërkesa do tё pёrkthehen nё veprime konkrete. Ne jemi të gatshme tё takohemi për të diskutuar nё detaje këto rekomandime.

Sinqerisht,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grave të Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Me 27 shtator ora 5:15 minuta në mëngjesin e ditës së diele po sa ishim zgjuar filluan granatimet nder dy tri granatat e para njëra ra në oborr

Sadik Halitjaha: KUSH MOHON VLERAT SHQIPTARE!

Unë nuk do të isha lëshuar shumë në komente se kush është Taravari apo (taravoli)! …