Rufki Suma kujton “Krismën e Parë të Lirisë” në Han të Elezit: 26 Shkurti 1999, ditë që vulosi rezistencën e UÇK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rufki Suma, ka kujtuar sot 26 Shkurtin – ditën që njihet si “Krisma e Parë e Lirisë” në Hani i Elezit, duke përkujtuar përballjen e parë të armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë zonë gjatë vitit 1999. Në një mesazh përkujtimor, ai theksoi se më 26 shkurt 1999, të frymëzuar nga veprimtaria e simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçi dhe heroizmi i komandantit legjendar Adem Jashari, njësitet e UÇK-së në Puset e Nikës u përballën me forcat ushtarake dhe policore serbe që synonin rrethimin dhe asgjësimin e tyre. Sipas Sumës, luftëtarët e UÇK-së, nën udhëheqjen e komandant Hoxhës, i dolën në pritë forcave serbe duke mos lejuar depërtimin në rajon, ndërsa përleshjet u zhvilluan vetëm pak ditë pas vrasjes së atdhetarit Gafurr Loku dhe djalit të tij, Dritonit. Ai rikujtoi se ofensiva serbe vazhdoi më 2 dhe 3 mars 1999 me granatime të shumta dhe angazhim të mijëra forcave ushtarake e policore, por pa arritur të thyejnë rezistencën e UÇK-së. Gjatë luftimeve nga 26 shkurti deri më 3 mars ranë dëshmorë dy ushtarë të UÇK-së dhe pesë të tjerë u plagosën. Suma përfundoi mesazhin me homazhe për dëshmorët, luftëtarët e lirisë dhe të gjithë kontribuuesit e çështjes kombëtare, duke e cilësuar këtë datë si një nga momentet që vulosi rrugën drejt lirisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Edita Tahiri

Edita Tahiri: Diplomacia ndërkombëtare mund t’i rrisë presionet ndaj Kosovës për Asociacionin

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka paralajmëruar se diplomacia ndërkombëtare mund …