Rushit Rrahman Shala (27.1.1978 - 15.5.1999)

Rushit Rrahman Shala (27.1.1978 – 15.5.1999)

Dëshmori i kombit, Rushit Shala, u lind me 27 janar të vitit 1978, në fshatin Kopiliq i Ultë në një familje të ndershme, dhe atdhetare ai ishte fëmija i dytë në familje por për nga vëllezërit ishte më i madhi. Prindërit Rrahman e Hamide Shala lindën e rritën dhjetë fëmijë, pesë vajza e pesë djem: Shpresen, Rushitin, Vjollcen, Beqirin, Bajramin, Arbenin, Bernadeten, Fazilen, Avdullahun dhe Arbenitën. Dëshmori i kombit Rushit Shala e ka kryer shkollën fillore dhe atë të mesmen në shkollën “Liria” në Turiqevc, ai ka qenë një nxënës i dalluar në mësime, por edhe në sjellje shumë të mira dhe miqësore më çdo njeri. Rushiti në moshë të re ka marrë pjesë në çdo aktivitet apo formë tjetër të masovizimit popullor për të kundërshtuar masat represive që po i ndërmerrte Serbia për çdo ditë e më shumë në Kosovë. Në një fare forme ai u rrit para kohës për të marrë pjesë kudo ku kërkohej të shprehej pakënaqësia popullore e djaloshare. Më paraqitjen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, babai i tij Rrahman Shala ishte një ndër të parët që u bashkëngjitë trimave çlirimtar në fshatin Kopiliq i Ultë në fillim të vitit 1998, por jo vetëm ai por se bashku me djalin e tij 20 vjeçar Rushitin.
Dëshmori kombit, Rushit Shala u rreshtua përkrah më babin e tij në radhët e ushtrisë ngase kjo ushtri e lindur e krijuar nga gjiri i popullit nuk kishte kriter moshën rinore apo atë të mesme për të qenë pjesë e sajë por kriteri i sajë ka qenë devotshmëria e vendosmëria për të luftuar për t’i dal armikut përpara por edhe gatishmëria për të vdekur për lirinë e atdheut. Prandaj Rushit i kishte thënë babait të tij në luftë do më kesh për krah sepse unë jam lind e rrit pikërisht për moment historik kur Kosovës i duhet me shumë së kurrë gjaku rinor. Ai donte që të shkruaj një faqe lavdie në historinë e kombit shqiptar duke qenë luftëtar i denjë, besnik dhe i pathyeshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e kishte dhenë betimin ushtarak së do të luftoj deri në momentin e fundit dhe po të është e nevojshme do ta sakrifikoj edhe jetën për lirinë e atdheut si gjënë më sublime. Rushiti është treguar si ushtar i dalluar më trimërinë që e shfaqte në fronte më armikun në betejat e ndryshme si në Turiqevc, Aqarevë, Llaushë dhe Kopilq ai ka qenë në vijë të parë me pushkën e tij, ai hedhtë zjarr mbi hasëm pasi që paraprakisht kishte kryer më sukses stërvitjet ushtarake në Likofc, aty është trajnuar dhe përgatitur nga pjesëtaret e Njësisë Speciale “Tigrat e Zi” për t’u përballur më luftë ballë për ballë më armikun. Prandaj artin luftarak Rushiti shumë shpejt e kishte mishëruar në shpirtin dhe në reflekset e tij pasi që shuhej me një shkathtësi dhe precizitet në përdorimin e armëve të zjarrit.
Drenica që i printe valles së lirisë më trima çlirimtar si Rushiti që për çdo ditë po zhvillonte e korrte beteja, çdo ditë e pranverës së vitit 1999 që po kalonte e po afrohej vera e bashkë më të po afrohej edhe liria por liria e kishte çmimin e shtrenjtë ajo e donte gjakun e bijve e bijave më të mirë të atdheut. Në mes të majit më datën 15 të këtij muaj të vitit 1999 pas një beteje të afërt dhe shumë të ashpër më forcat gjakatare serbe bie heroikisht dëshmori i kombit luftëtari i lirisë Rushit Shala në fshatin Tushilë. Atë ditë Zona Operative e Drenicës, Brigada 113 “Mujë Krasniqi” dhe në përgjithësi Ushtria Çlirimtare e Kosovës e humbi njërin nga luftëtarët më të guximshëm. Atë ditë maji kur qanë edhe lulet e pranverës për rënien e këtij trimi, nënë lokja e tij Hamidja vendosi të bëhej e fortë e të qëndroj si ajkunë, duke u bërë e fortë e mos nxjerr lot së për lirinë e Kosovës e dhuroi një djalë trim, gjaku i të cilët do të bëhet gur themel i lirisë dhe pavarësisë. Në momentin e rënies dëshmori Rushit Shala ka qenë ka qenë vetëm më gradën e ushtarit të cilin ai e ka çmuar dhe vlerësuar shumë, pasi që për të ka qenë kënaqësia më e madhe e jetës së tij t’i shërbej atdheut të tij deri në flijim.
Trupi i tij është varrosur në fshatin Klinë e Ultë një ditë pas rënies më 16 maj. Ndërsa pas luftës është rivarrosur në fshatin e tij të lindjes Kopiliq i Ultë në varrezat e dëshmorëve të tjerë. Nga ky fshat janë shpallur dëshmorë Sejdi Shala, Xhevat Shala, Rushit Shala, Sala Jashari, Fatmir Sahiti dhe Shefqet Shala. Dëshmori Rushit Shala nuk ka qenë i martuar por ai pas vetës la vëllezër e motra të cilët sot e gëzojnë lirinë e atdheut. Në vendin ku pushon trupi i këtij dëshmori dhe dëshmorëve të tjerë të fshatit Kopiliq i Ultë është ngritur një lapidarë i përbashkët i këtyre trimave, ky lapidar do ti rezistoj kohës, atë nuk do ta prish as shiu, as dielli as i ftohti sepse ai do të jetë pikë reference për brezat që do të vinë në mënyrë që ata ta dinë së ku i ka rrënjët liria e këtij vendi, së kush ka derdh gjakun e ka dhenë jetën që ky vend të frymoj lirshëm e të flas shqip. Pas luftës familja Shala ka marrë mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nga Shtabi i Përgjigjëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe nga Komuna e Skenderajt. Ndërsa një rrugë në fshatin Kopilq i ultë është emërtuar më emrin e dëshmorit Rushit Shala. (L. D.)

Kontrolloni gjithashtu

Mursel Rrustem Boletini (19.11.1977 - 4.5.1999)

Mursel Rrustem Boletini (19.11.1977 – 4.5.1999)

Dëshmori i kombit Mursel Boletini rrjedh nga familja e njohur Boletini, e cila dha shumë …