Qëndresa e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, Shembullin e trimave për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Sabrije me tërë familjen. Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve, djemve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe të cilët për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.
Sabrije Zymer Jashari u lind në vitit 1976, në Prekaz të Poshtëm. Baba Zymeri dhe nëna, Mihrije, lindën e rritën 12 bij e bija.
Sabrija mësimet fillestare i mori në Skënderaj, ku ka mbaruar edhe tetëvjeçaren. Ka vazhduar mësimet në Klinë, ku ndodhej paralelja e ndarë e shkollës së mesme, nga ku serbët kishin dëbuar nxënësit shqiptarë.
Sabrija ka qenë nxënëse e mirë. Ishte shembull për të mirë dhe lavdërohej si nga arsimtarët ashtu edhe nga shokët e gjeneratës.
Prej kohës së daljes publike të UÇK-së, në nëntor të vitit 1997, familja e ngushtë dhe e gjerë Jashari e Prekazit kishte marrë të gjitha masat për të rezistuar kundër forcave okupatore. Pothuajse çdo natë mbaheshin tubime në odat e këtyre trimave, të cilët po projektonin rezistencën e cila parashihej të përfshinte tërë Kosovën.
Natën e 4 marsit të vitit 1998, Sabrije Zymer Jashari ndodhej në shtëpi, së bashku me nënën, Mihrije, motrën Hanifen si dhe vëllzerrit Hajzerin, Murtezin e kushërinjtë e tjerë. Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serbe kundër Jasharëve kishte filluar para orës 6 të mëngjesit të 5 marsit. Në të njëjtën kohë, me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Legjendarit Adem Jashari, shtëpia ku ishte Sabrija dhe të tjera, ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Forcat serbe kishin zënë pozicione te vendi i quajtur “Mali i Premë”, rreth 200 metra përballë shtëpisë së Halit Jasharit, nga ana lindore. Baza ishte sulmuar nga serbët edhe nga Fabrika e Municionit. Jasharët po sulmoheshin me armë të rënda të artilerisë nga të gjitha anët. Goditjet ishin fatale për të gjitha familjet nën rrethim. Sapo pushonte granatimi dhe forcat e këmbësorisë merrnin turr drejt kullave, ata ndesheshin me breshërinë e kallashëve të Jasharëve çlirimtarë. Këmbësoria sërish tërhiqej dhe sërish fillonte sulmi nga artileria e rëndë. Në një gjendje të tillë të sulmit mizor Jasharët e Prekazit rezistuan rreth 80 orë.
Në shtëpi, të rrethuar nga të gjitha anët ndodheshin: Sabrija me vëllëzërit Hajzerin e Murtezin, nënë Mihrijen, dhe motrën Hanifen. Pastaj, Halit Imer Jashari me bashkëshorten e tij Elhemen. Në kullë ndodhshin edhe tre bijtë e bashkëshortja Zenë Jasharit, Abdullahu, Bujari dhe Blerimi me nënë, Bahtijen.
Prej ditës së parë të sulmit të forcave ushtarake e policore serbe kanë rezistuar me armët e tyre e gjithë familja e Sabrijes.
Në rrethana të një rrethimi të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Sabrije Zymer Jashari, Hajzer Zymer Jashari, Mihrije Jashari Murtez Zymer Jashari, Hanife Zymer Jashari, Halit Imer Jashari, Elheme Jashari, Abdullah Zenë Jashari, Bahtije Jashari, Bujar Zenë Jashari dhe Blerim Zenë Jashari.
Në ditën e kartët, serbët kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt. Në mesin e të viktimizuar mungonin kufomat e Sabrije Jasharit dhe nëna të saj, Mihrijes. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së këtyre kufomave, por dihet se shtëpia ku kanë qëndruar Sabrija me familjarët është bërë blozë nga granatimet dhe flaka e zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë. Mendohet se serbët i kanë tërhequr kufomat për shkak se ishin femra dhe me qëllim, që të fshehnin sadopak krimin kundër grave dhe fëmijëve. Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompleksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, së bashku me legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari.
Para shtëpisë së rezistencës është ngritur një Kompleks Përkujtimor, ku janë skalitur në mermer, fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit. Nga familja e Sabrije Jasharit kanë shpëtuar: Enveri, Zyhrija, Hajrija, Drita, Veseli, Naxhija, Imeri, Sherifja dhe Hamidja.
Familja e Sabrije Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skenderajt për të rënët: Myrtezin, Hajzerin, Mihrijen, dhe Hanifen.
Fatkeqësisht, nuk ka mbetur asnjë kujtim për familjarët nga Sabrija, madje as eshtrat e saj.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdimësojnë jetën, krenarë për veprat e baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (Vlorë Sahit Jashari)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
