Sadik Halitjaha: AKADEMI NË NJË VJETORIN PËR AHMET QERIQIN

Sadik Halitjaha: Ahmet Qeriqi dhe historia e pathënë e organizimeve ilegale shqiptare

Prof. Ahmet Qeriqi, si në të gjitha shkrimet, edhe në këtë shkrim për grupet e fshehta revolucionare, paraqet të vërteta dhe fakte pa anshmëri, pa fryrje dhe pa u përpjekur të promovohet, sikur bëjnë të tjerët.

Ahmeti i paraqet grupet dhe organizimet ashtu siç ishin, pa i hyrë në hak asnjërës. Këndin e duhur e paraqet pa u lëshuar në detaje dhe thellësinë e tyre, i vetëdijshëm se veprimtaria e fshehtë dhe e copëzuar në grupime, pa lidhje mes tyre dhe pa koordinim të veprimeve, si dhe mosnjohja mes grupeve dhe individëve, ishte pikërisht rezultat i veprimtarisë në konspiracion të thellë.

Prof. Ahmet Qeriqi spikat ekzistimin e shumë grupeve, duke i goditur fragmentaristët dhe rrahagjoksat, në kuptimin “ishim ne e jo ju të tjerët”. Me këto qëllime janë mohuar shumë grupe si të paqena. Autori i shkrimit përpiqet t’i shpalosë të gjitha pa hezitim, por me vetëdije sqaron se mund të mos përfshihen të gjitha dhe të gjithë, pasi ishin në veprimtari të fshehta dhe nuk janë mbajtur shënime e regjistra zyrtarë, pikërisht për të mos rënë në dorë të pushtuesit.

Shumë shënime janë zhdukur për të mos rënë në dorë të armikut. Të shumta janë shkatërruar edhe nga kushtet në vendet e fshehta. Ka raste kur kanë rënë në dorë të armikut gjatë bastisjeve, si dhe janë kopjuar apo përshkruar nga spiunët brenda grupeve, si dhe nga UDB-ja.

Pastaj janë hapur hetime, ku nga thyerjet nën tortura janë nxjerrë shokë të veprimtarisë. Disa që kanë zgjedhur ta konsiderojnë veten ideologë dhe liderë, duke iu shmangur torturave dhe duke dashur të faktorizohen vetë, janë hapur dhe kanë folur për qëllimet dhe strategjinë, si dhe për mënyrën dhe rrugën drejt Republikës.

Shpesh edhe programin dhe statutin i kanë paraqitur para gjykatave, sidomos kur ka pasur rënie të shumë shokëve veprimtarë në burg. Kjo ka qenë thikë me dy tehe: në njërën anë u bë e ditur për popullin shqiptar se çfarë kërkohej dhe pse burgoseshin veprimtarët, si dhe ndikonte te popujt e Jugosllavisë se ne kërkonim të ishim të barabartë, asgjë më shumë dhe asgjë kundër tyre.

Në anën tjetër, dëmtohej organizata dhe anëtarët që duhej të vazhdonin veprimtarinë. Tani edhe UDB-ja i dinte parimet, si funksiononin dhe mënyrën e veprimtarisë. UDB-ja krijonte inskenime e mashtrime dhe, me tortura kriminale, u kërkonte të arrestuarve zbërthimin e të gjithë veprimtarëve, që t’i pranonin dhe t’i nxirrnin shokët e veprimtarisë.

Unë, pa dashur të flas për veten time, në tri hetuesitë (1979, 1981, 1986), si dhe në atë të APJ-së në ushtri, në të gjitha rastet nuk kam pranuar asgjë, asnjë të dhënë. Qëllimi i parë ishte të mos i dëmtoj shokët veprimtarë, të mos dëmtohet vazhdimësia e organizatës, të mos vuajnë të tjerët atë që vuaja unë dhe të mos vuajnë familjet e tyre si familja ime.

Kjo më ndihmoi që të dilja më shpejt nga burgjet dhe të vazhdoja gjithnjë e më shumë, me më shumë intensitet dhe urrejtje kundër armikut, derisa krijuam një përvojë të madhe dhe vendosëm të mos dorëzoheshim pa rezistencë. Filluam armatosjen dhe aksionet i bënim me armë.

Ahmeti i sheh dhe i shpalos të gjitha rrjedhat dhe pozicionet e grupeve. Vetë Prof. Ahmet Qeriqi ishte i pozicionuar në krahun e fortë, që të ardhmen e realizimit të Republikës e shihte me luftë, dhe finalizimin e shihte në Bashkimin Kombëtar.

Ky karakter e mbajti të pathyeshëm Ahmetin deri në fund të jetës.

Lavdi veprës dhe jetës së çlirimtarit e shkrimtarit Ahmet Qeriqi.

Kontrolloni gjithashtu

Makfire Beqiri Asllani: Për këtë ditë nuk mund të them ‘urime’.”

 I përjetshmi BACË Ahmet Qeriqi, faleminderit për gjithçka që i dhe vendit tonë, neve, brezave, …