Më 27 shtator, ora 5:15 minuta në mëngjesin e ditës së diel, posa ishim zgjuar, filluan granatimet. Ndër dy-tri granatat e para, njëra ra në oborr, shumë afër shtëpisë. Nga detonimi i fuqishëm u rrëzuan disa tjegulla nga kulmi i shtëpisë së Ramush Matoshit, ku ne ishim. U detyruam të dilnim dhe të largoheshim nga shtëpia.
Në të kaluar lumin prapa shtëpisë, në një urë të vogël, i thashë Kujtimit: “Shko deri te shtëpia e Skënder Bashës, thirre Zaimin dhe Skënderin të vijnë me ne.” Por Kujta, kur shkon, i sheh lopët nëpër oborr, shtëpia me dyert e hapura, asnjë njeri aty s’kishte. Ky thërret dy a tri herë dhe bindet që s’ka njeri aty. Erdhi shpejt, na zuri deri te shtëpia e fundit e Vraniqit në drejtim të Maqitevës nga rruga e re që e kishim hapur për lidhjet e njësive tona mes njëra-tjetrës. Kësi rrugë, pos Maqitevë–Vraniq, kishim hapur Budakovë–Bukosh–Papaz–Racë, që do të thotë rreth tridhjetë kilometra rrugë të reja kishim bërë me punimet e gjenios ushtarake.
Pasi u bëmë bashkë të katërtit: unë, Sadik Halitjaha, Kujtim Braha, Fadil Halitjaha dhe Hava Bytyqi, na u bashkua edhe Ramush Matoshi. Ramushi kishte veç një revole, pasi tha që kishte përdorur mortajë krahu në shërbimin ushtarak jugosllav. Ia dhashë Zolën time, duke i shpjeguar si përdoret. Ne të tjerët ishim mirë të armatosur dhe me municion të mjaftueshëm. Por unë vetëm dorën e djathtë mundesha me e përdorur.
Ne zunë një pozicion nga ku mund të shiheshin disa nga pikat e batalionit. Përafërsisht ishim mbi shtëpinë e fundit të Vraniqit me një pikturë të drerit. Aty ishte një përrockë e vogël, gati si kanal i thelluar, dhe nga ana e epërme kishte një mbyllje. Aty na zinte tamam neve dhe nuk dukeshim, ishim të mbrojtur. Ne aty më shumë u strehuam, sepse nuk kishim mundësi veprimi, ngaqë ishim në rrethim nga të gjitha anët. Tankset dhe autoblindat i kishim aq afër sa tymi i tyre na mbulonte.
Një rast, një plumb snajperi na depërtoi mua e Fadilit në mes dhe u fut në dhé. Nga aty përcillja luftimet në pikën dy mbi Mohlan, mbi Bukosh dhe pikat e Hoxhës e Budakovës. Pas një qëndrese heroike të luftëtarëve tanë, duke i kthyer dy herë forcat armike, Jetulla Qarri (Guri) me një skuadër kishte ardhur dhe ishin vendosur mbi ambulanten të Palushtë me topin pa dridhje 75 mm. Nga dy topat që kishim, vetëm gjashtë predha i kishim. Guri gjuajti nga aty me top dhe goditi kolonën armike në rrugën që dilte nga Savrova në drejtim të Bukoshit dhe Llugagjisë. Qëllon me dy predha, njërën në mes të kolonës armike e tjetrën në fillim të kolonës. Pos dëmit, u shkaktoi një çrregullim të madh, pasi një goditje e tillë i bënte të kuptonin se kemi armë të kalibrave të mëdhenj.
Njëkohësisht, Gulinovi në pikën dy kishte, pos municionit në krerë, edhe dy sëndukë rezervë, që do të thotë tre mijë fishekë – për ushtarakët e dinë sa është kjo sasi. Mortajat e krahut kishin nga tri deri në gjashtë predha, mitralozat nga dyqind fishekë. Çdo ushtar, pos dy karikatorëve në automatik, kishte edhe nga tre e katër karikatorë në gjoksore dhe nga dy granata dore. Minahedhësit e 82 mm kishin nga gjashtë predha, ndërsa ata më të vegjlit 60 mm kishin më shumë predha, rreth 36–40, Zola gjashtë, snajperë e armë të tjera.
Pas granatimit “qylym” – e dinë ushtarakët ç’do të thotë granatim qylym – tri orë e më shumë, ndërprenë granatimet. Pas tridhjetë minutave të ndaljes së granatimeve, pritej që këmbësorët armiq të afroheshin dhe filluan krismat e luftëtarëve tanë, njëkohësisht edhe të armiqve me rafalë të gjata. Pas një ore, u zmbrapsën armiqtë dhe pas njëzet minutave filluan prapë granatimet nga të gjitha anët: nga Podi i Kshtenjavës, nga Qafa e Dules, Biraqi, nga damperi dhe gjithkund ku ishin të vendosur tanket armike, edhe nga Novaka e Landovica me obuza (llafeta), si dhe nga hyrja nën Mushtisht, nga fabrika, nga antena mbi fshat dhe nga Padeshi.
Krejt këto gjuajtje mjegulluan gjithë terrenin – nuk shiheshin as shtëpitë, as fshatrat e pyjet, që nga Mushtishti, Maqiteva, Vraniqi, Bukoshi, Mohlani, Budakova, Papazi, Grejqevci, Llanishti e majë e Bukogllavës. Tani ndiheshin britma fëmijësh, gratë e zëra të ndryshëm. Filluan djegiet masive të shtëpive dhe plemeve e stallave, sa ndiheshin hingëllimat e kuajve e pallja e lopëve. Kjo zgjati dy orë të tjera, pastaj ndërprenë granatimet, priten këmbësorët duke i shoqëruar edhe helikopterët.
Fillojnë krismat e luftëtarëve tanë, gjë që ishte e njohur për ne dhe e dinim saktë cilat ishin krismat tona. Pos krismës edhe rafalëve të shkurtra dhe gjuajtjeve një nga një me marrje në shenjë. Ndërsa armiku me rafalë të pandërprera dhe dalloheshin krismat. Edhe këtë radhë forcat tona i kthyen mbrapshtë armiqtë pas shumë përpjekjesh dhe luftimeve të rrepta.
Por faza e tretë e granatimeve masive me të gjitha llojet e armëve – tani ata i dinin edhe pozicionet – deri sa filluan rrafshimet e kanaleve dhe dëmtimet e bunkerëve. Gulinovin, në pikën e dytë, mezi e nxorën nga dheu, sepse ishte rrënuar bunkeri, ndërsa këmbët mbajtëse kishin mbetur nën dhe. Tani luftëtarët nuk mundnin të afroheshin njeri me tjetrin; rrëzimi i kanaleve kishte bllokuar gati çdo njeri në hapësirë lëvizëse. Dy të tretat e fishekëve ishin harxhuar dhe, më e keqja, nga ana e Grejqevcit–Papazit kishte depërtuar kolona e autoblindave dhe tankeve, ku do të kalonin përmes Budakovës nga Kodrojt e mbi Palushtë.
Fillon tërheqja e luftëtarëve nga pozicionet. Tani rruga e tërheqjes me luftë ishte bllokuar nga mbrapa shpine, si gjithmonë serbo sllavët, në strategjinë e tyre, e kanë nga krahët dhe prapa shpine. Për fat, kompania e parë, e komanduar nga Isa Morina, ishte mbi Budakovë te Hoxhët; këta dhe një grup ushtarësh nga pika e dytë – Gjevdet Berisha (Gjuvda), Betim Halitjaha, Feride Zenelaj, Tahir Veselaj e disa të tjerë nën komandën e Xhafer Gashit – arritën ta pengojnë kolonën armike deri sa të tërhiqej popullata.
Në këtë rast vlen gjesti i Gjuvdës, ku me shumë vështirësi e bindi Sadri Kokollarin me njërën vajzë të dilnin nga shtëpia. Plaku kishte vendosur të flijohej, duke i pritur armiqtë afër dyerve të shtëpisë me pushkën e djalit dëshmor Kadri Kokollari. Kur kjo gjendje u krijua kaq e rrezikshme, më shumë se çdo gjë duhej ruajtur arsyeja dhe mos rënia në panik.
Për mua ka qenë më e vështirë e përballueshme kjo situatë. Nuk dija sa mund të jenë vrarë luftëtarë e sa civilë, sa kanë mundur me i tërhequr në këto rrethana. Pas thyerjes së Budakovës, thyhet edhe kompania e tretë mbi Maqitevë. Tërheqjet janë bërë me luftë, por jo krejt në drejtimet e parapara, për shkak të forcave të shumta armike.
Në mbrëmje vonë mësuam nga lajmet, në një radio të vogël (tranzitor), se në këtë ofensivë kishin marrë pjesë rreth 22.000 forca armike: brigada nga Prizreni, tjetra nga Hoqa e Rahovecit, nga Brezovica, njësi të veçanta tankiste, një njësi e përhershme në madhësi të një batalioni me 8–10 tanke, 4 kamionë, tri autoblinda, një prag në Qafë-Duhel, tjetra njësi te Pishat, një njësi tankiste në Novak dhe një në Landovicë. Këtyre u vinin në ndihmë dy brigada të korpusit të Nishit nën komandën e gjeneralit Pavkoviq, si dhe një gjeneral që komandonte “Garden” nga Beogradi e quajtur “Havalla”. Bashkë me këta edhe një gjeneral rus, që kuptohej me komunikimin në radiolidhje në gjuhën ruse me Pavkoviqin.
Kaq shumë ishin, dhe pranuan se kishin pasur 31 të vrarë e rreth 50 të plagosur. Ndërsa me mburrje proklamuan se e thyen bastionin e fundit të UÇK-së. Pos Budakovës, pas një rezistence heroike, bie edhe Jezerca dhe pjesë të tjera të Neredimes.
Në këtë gjendje, doja ta mbaja një betim që para disa ushtarëve kisha bërë: se atë ditë që thyhet Budakova, do të hyj në Mushtisht, nëse do të jem gjallë, dhe do t’u hakmerrem forcave serbe. U nisëm nëpër mal të Dovoranit, dolëm te vendi i quajtur Kryqi, mbi pishinën Mustafa. Aty na kaluan një kolonë tankesh dhe autoblindash krejt pranë nesh, por ishte errësuar, nuk na panë.
Ne tentuam t’i sulmonim, por pos një Zole që kisha dhe nga dy bomba dore, nuk ishim as si formacion i kompletuar, as me armët e duhura. Përjetuam torturë psikike që nuk kishim mundësi hakmarrjeje. Kur dolëm pikërisht në rrugë, na gjuajtën me snajper nga antena mbi fshat, nga kodra e quajtur Koka e Popit. Armiku kishte dylbi nate. Ne ishim lodhur shumë dhe nuk i përfillëm fare, edhe pse plumbat na ranë pranë këmbëve, ne vazhduam drejt Mushtishtit.
E pamë shtëpinë e Mehmet Mustafës që digjej e tëra. Për Mehmetin e dija se ishte komandant logjistike në Maqitevë, atje duhej të ishte, por nuk dija për fatin e familjes së tij. Vazhduam rrugës kryesore drejt fshatit. Kur hymë në lagjen e epërme, dëgjoheshin zëra të shkjeve armiq të dehur që bënin shumë zhurmë.
Kaluam shtëpinë e Dautit të Tahir Halitjahës, të shtëpia e Ragip Behlul Halitjaha. Në rrugë hasëm në një tank dhe një kamion ushtarak. Kemi devijuar rrugën kryesore, duke dalë kah shtëpia e Fejzë Emrullahut e përmbi shtëpinë e Qerkinit, për të hyrë në lagjen ku e kisha vendlindjen unë. Aty kishte shtëpinë edhe Fadil Halitjaha. Ishte një lagje krejt shqiptare dhe shumë e dendur mendoja se do të gjenim njerëz tanë dhe ta ndanim fatin me ta. Ky edhe ishte vendimi im, përndryshe nuk do të rrezikonim aq shumë. Më lehtë do të ndaleshim në mal për sigurinë tonë. Pastaj e dija se te stanet e mia në Padesh, deri para një jave, kanë qenë baba dhe bacë Rexhi në stane, dhe skuadra e Padeshit u ushqye aty. Por, ruaja në mendje betimin e dhënë!
Kur kemi dalë mbi shtëpinë e Qerkin Hamitit, rreth orës 12 të natës, rigonte nga pak shi dhe ishte shumë errësirë. Duke kaluar gjembat e livadhit të Fejz Emrullahut, unë i mbaja të shtypur telat, të tjerët të kalonin, dhe kemi pëshpëritur. Me siguri ishte natë — u ndie zëri.
Mbi shtëpinë e Qerkinin na kishin zënë pritë armiqtë. Qerkini kishte pasë prerë lëndinën për të rrafshuar vendin ku do t’i vinte mullarët (stogjit); kjo u kishte përshtatur që të pozicionoheshin armiqtë. Ne kalonim pranë tyre në anën e epërme (sipër), por ecnim në distancë nga tri metra mes veti. Fadili ishte i pari, Kujta pas tij, pastaj unë — Sadik Halitjaha — dhe pas meje Hava Bytyqi e Ramush Matoshi.
Kur arritëm ballë për ballë, piskati: “Ndal!” (stoj). Ne që kemi bërë ushtrinë jugosllave e kuptonim. Fadili, për habi duke menduar se do të ishte ndonjë kojshi i yni e po bënte shaka, tha: “Mu duk zani i Ragipit”, dhe ndalet. Gatitu! Ndërkohë, derisa shkjau e mbushi armën, unë para tyre i dhashë një rafal duke u piskatur me zë të madh: “Na keni hyrë në oborre, he shkit e shkines, he nën…!”
Kur dhashë zjarr, luftëtarët e mi të ushtruar mirë, në sekondë ranë për tokë. Mirëpo ishim në një afërsi shumë të afërt me armiqtë, ne nuk kishim asnjë gur, asnjë kaçubë që të na mbronte, pos errësirës. Distancën që e kemi matur pas lufte, duke u bazuar në gëzhojat tona të derdhura (ngjyrë ari) dhe gëzhojat e atyre (ngjyrë të gjelbër si bari), kishte qenë 6 metra e 37 centimetra.
Në këtë moment, kur ne jemi shtrirë për tokë, ata kanë shtënë sikur ne të ishim në këmbë. Ndërkohë shtiu Fadili dhe Kujtimi. Fadilit i kishte mbetur në “njësh” automatiku, Kujtimi zbrazi krejt karikatorin me një rafal pa shkëputje. Nga zjarri i automatikut të Kujtes, që kishte edhe plumba ndriçues, unë iu pashë kokat e armiqve — vetëm tri koka i pashë. Kur mora pozicion gjuajtjeje, më parapanë rafalët e tyre, më shpuan jakën e palltos rreth qafës në tre vende dhe më qëlluan në cep të krahut të majtë.
Më dhembi krahu. U ngrita në gjunjë dhe shënjestrova; më goditën te thika e automatikut, në ballore gati në grykë, dhe më u ngrit automatiku përpjetë. Atëherë u ngrita në këmbë dhe piskata: “Ahë, më verbo-ve (qorrove), he nën… shkin…!” Futa një rafal deri në fishekun e fundit. Atëherë dëgjova piskamën e tyre dhe vërejta se u bënë grumbull (lamësh). Përpiqeshin të ndihmonin njëri-tjetrin, ndërsa njëri tërhiqej me zjarr dhe me zëra “zik-zake” — siç dukej ishte oficer.
Fadili e gjuante pa ndal, por në asnjë mënyrë nuk pati kohë as mundësi ta çonte në rafal automatikun. Derisa unë dhe Kujta ndërruam karikatorët, na mbuloi me një rafal Hava. Ramushi ishte tërhequr prapa, se kishte përroin afër.
Me zë të madh thirra Fadilin pasi ata që ishin në pritë u asgjësuan; ai që shpëtoi hyri në shtëpinë e Qerkinin. “Fadil, shpejt te unë!” — thirra. Erdhi me vrap; qëllimi im ishte që ta lëvizja nga vendi ku vazhdimisht qëndronte, se nga flaka e automatikut mund ta qëllonin. Ndërsa ai e kuptoi, për shkak të plagosjes e thirra, erdhi me vrap. “A prap u plagose, he kuku për ne?” — “Jo, jo,” thashë, “një copë guri më ka kapur në cep të krahut.” — “Aha, këtu po digjet palltoja jote dhe po të vjen era mish të pjekur!”
Kur provoi të ma fikte pallton që të mos digjej, më erdhi shumë keq t’i thosha se më dhembte edhe po të thosha “era mish të pjekur po vjen…”.
U tërhoqëm për nja 20–30 metra. Aty zumë pozicione të mrekullueshme, sepse muri rrethues i livadhit të Fejza e kishte mbuluar me dhe kështu ishte ideal për pozicion. Njëri nga shokët tha: “Komandant, shumë janë tuj dalë nga dera e dritaret e shtëpisë së Qerkinin, qenkan shumë, do na vrasin.” — “Mirë,” thashë, “që janë shumë, ata mund të na vrasin neve që jemi veç katër, ndërsa ne i vrasim dyzet. Kish me qenë bilanc i mirë.”
Ata gjuanin në ajër dhe tërhiqeshin. Kur dëgjuam kamionin dhe tankset duke ikur, me siguri kanë menduar që i kemi rrethuar. Unë deri aty mezi ecja, sepse tri ditë më parë isha plagosur rëndë, dhe atë natë rastësisht bëra dy rrotullime. Kujta tha: “Ti si Rambo, komandant, na hallin tanë, metë fut në fshat e me i thirr mjekët, me t’i përpunuar plagët, ti e shpagove veten dhe na shpëtove ne.”
Fadili: “Po pse shaje, komandant, nuk e kuptoj?” — “O, thashë, kur më rroku automatikun nën grykë, thika ma ndali plumbin, por sytë më panë flakën e verdhë; i thashë ‘më qorrove’, he nën… Po pse nuk thashë ‘më vrave’? Jo, ishte shumë fatale ajo, Shprehje — ju do të ishit frikesua r se u vrava dhe ata do të gëzoheshin se e vramë një. “Më qorrove” — nga inati, kjo shprehje më doli. Qeshëm të gjithë pasi kuptuam se nuk kishim plagë të tjera, pos asaj që mora unë në cep të krahut.
Nga aty jemi kthyer drejt staneve të mia në Padesh. Pastaj jemi bashkuar me kompaninë e tretë në Maqitev, në kasollet e Riza Miftarit. Nga aty kam futur në lëvizje korrierët dhe radio-lidhjet. Kompania e III, nga 73 ushtarë, veç një kishte të plagosur lehtë.
Mua më kishin plasur plagët e vjetra e të reja. Nuk kishim mjek në Maqitev; kërkova nga Bali Muharremaj ta sillte një mjek. Erdhi pas tri ditësh me mjekun Sali Asllanaj, i cili m’i përpunoi plagët dhe më dha injeksion Novalgetol, dhe më solli një lloj kokrra antibiotik, fasha, jod e tjera. Qëndruan katër–pesë orë për të mbërritur kohën edhe një injeksion me ma dhanë. “Hajde,” thashë, “ma jep e mos t’ju vonoj, pasi doni me u kthyer!” Ma dha dhe më la për t’i pirë të tjerat.
Pastaj u lidha me njësinë speciale dhe e ftova komandant Xhafer Gashin. Ky e kishte njoftuar Aqifin, Gurin, Zenunin dhe kishin ardhur në mbrëmje vonë. Unë kisha dërguar Fadilin në Bukosh, Buzhal, Budakov për të marrë informacion për të vrarët e të plagosurit, si për luftëtarët edhe për civilët; në anën tjetër, Kujten në Sallagrazhd e Grejkoc. Bashkë me informacionin ishte edhe urdhri që çdo njësi me u pozicionuar në pozicionet e fillimit të luftës.
Kur u bëmë bashkë në mbrëmjen e 3 tetorit, mora raportet dhe mësova shumëçka, gati të gjitha në detaje. U qetësova pasi kuptova se vetëm 4 luftëtarë janë vrarë, 9 të plagosur jo rëndë dhe 16 civilë të vrarë në Budakovë, 22 te shkolla e Bukoshit, ndërsa janë marrë rob 13 civilë.
Me gjithë atë që kishte ndodhur — 12 orë luftime me gjithë atë armatim dhe gjithë atë arsenal armesh?! Dikush mund të mendojë se duhet të isha pa ndjenja. Jo, e pamundur. Edhe pse isha i përgatitur se lufta merr jetë njerëzish dhe se lufta është padrejtësia më e madhe e njerëzimit, kur është e domosdoshme duhet bërë.
Kur dëgjuam lajmet në B2 në gjuhën serbe, thanë se e asgjësuam bastionin e fundit të UÇK-së dhe i q farosëm terroristët. Ndërsa për humbjet e veta thanë 31 të vrarë dhe rreth 50 të plagosur. Pastaj një fletore që ma prezantoi Selim Haziraj, të cilën e kishin gjetur luftëtarët tanë ku kishin hasur edhe disa qese shiringash — që ishin droguar armiqtë. Në atë fletore kishte formacione ushtarake nga skuadra deri në brigadë, bashkë me pozitat komanduese të tyre.
Vlen të përmendet se të vrarët i kishin shlyer me ngjyrë të kuqe dhe u shkruante “i vdekur nga sulmi në zemër” (srčeni napad), ndërsa të plagosurit me ngjyrë të verdhë dhe shkruante “pushim mjekësor” — që kuptohej se ishin të plagosur. Kështu që veç aty, sa i pamë, ishin 172 të vdekur nga “zemra” dhe mbi 280 të plagosur. Kjo nuk do të thotë që mund të ishin vetëm të kësaj beteje, por edhe në betejat paraprake.
Nuk ishte bilanc shumë i rëndë për ne, ngase u përballëm me forca shumë të mëdha e të sulmuar me të gjitha armët e mundshme. Pastaj ata edhe fshihnin humbjet.
Fadili më tregoi se e kishte takuar Skënder Bashën — gjë që e kisha porositur — për të mësuar për gjendjen e Zaimit. I kishte thënë: “Mirë është Zaimi, me një grup ushtarësh të Vraniqit.” Pastaj i kishte shpjeguar si i kishte shpëtuar një numër të madh civilësh mbi Vraniq, nën stane, duke ndjekur një skuadër vrastare serbe. Për pak sa nuk e zënë gjallë Zaimin, i cili mundej të përdorte vetëm dorën e djathtë. Duke u shtrirë për tokë, në një afërsi shtatë apo tetë metra, i vret tetë ushtarë armiq. Kështu i shpëton një numër të madh civilësh, të cilët edhe sot tregojnë në detaje si ka qenë rasti.
Guri, Mefaili, Gjafa e veçmas Aqifi kishin ardhur me më vizituar rreth datës 10–12 tetor. Ngulën këmbë me më marrë me vete; u dhashë fjalën do të vij pas tri ditësh në kompaninë tuaj. Aqif Guri tha: “E kam biseduar me babën e Vehbi Beqollit të vendosesh deri të shërohesh në shtëpinë e tij, janë familje besnike dhe përkrahës të zjarrtë të luftës.” Vazhdon: “Kam biseduar me Imer Beqen, doktorin, të na furnizojë me ilaçe.”
“Mirë,” u dhashë fjalën, por insistova: “Pse më lëvizni pa u shëruar mirë?” — “Komandant,” tha Zenun Kadrija, “u përhap një propagandë e keqe dhe lajmi ka marrë dhenë sikur ti ke ikur bashkë me shkijet; paske qenë gjoja i marrë vesh e paske marrë mbi 80.000 marka, dy femra e gjithë arin e plaçkitur nga serbët e paska ndarë mes jush.”
Ndërhyri Guri: “Po komandant, kjo është arsyeja. Sepse shumë nga komandantët kanë ikur! Femiun e vranë dy ditë para se të plagosesh ti; veç ti dhe Ramush Haradinaj nuk keni ikur kurrë nga fushëbeteja.”
Fillova ta kaloja me shaka, por pak edhe për t’ju treguar se unë u plagosa prapë të dielën mesnatë në pritë. Fillova, po u përpoqa të bëj dialog në Mushtisht, por s’munda me u marrë vesh, se shava unë e për pak më qorruan. Fadili, Kujta, Hava që e dinin, filluan të qeshnin, por Guri, Mefaili, Aqifi, Zenun Kadrijaj u ndezën edhe më shumë, sepse ishte situatë shumë serioze. Aqifi tha: “Jemi kanë ka vritemi mes veti!”.
“E pse?” – thashë.
“Deshën të më çarmatosnin!”
“Po kush, kush?” – tani shpërtheva unë.
“Tha kompania e Is Morinës, më thanë: A je me ne apo me Sadikun?”
“Kush jeni ju?” – pyeta.
“Më thanë: Ne jemi të Qeverisë në ekzil.”
“Çka thue mor?! O ti, nuk din çka u ba! U azdisur reaksioni i brendshëm. Isa po pretendon të jetë komandant pasi u përhap se ti ke ikur me helikopter, të kanë marrë shkijet e të kanë përcjellë për Zvicër.”
“Po, Aqif, kjo përrallë si besohet? Ju më shihni mua?!”
“Po, po, populli po e han mashtrimin. Të lutem, eja shkojmë bashkë. Isa nuk po i lejon as ushtarët e vet të dalin në pozicione dhe të patrullojnë me armë! Bile, ti se din, forcat serbe para tri dite i kanë zënë rob Arif Dakën dhe Gani Sallauken, për pak i ka shpëtuar vdekjes Haxhi Sallauka.”
“Po ku kështu?” – pyeta.
“Në rrugë këtej ambulantes të Kolollët.”
“Pse s’kanë rezistuar?” – pyeta.
“Auuu komandant, të thashë, pa armë, s’po i lan me patrulluar me armë, veç vëzhgim paqësor.”
O Zot – më rrotulloheshin mendimet – si ka mundësi? Po të isha vrarë unë, çka paskësh me ndodhur?
Ndërkohë vjen një korrier i imi që kishte vizituar Bukoshin dhe thotë: “Më ka porositur Shaban Gashi, që kishte marrë vesh nga Fadili se ti je gjallë dhe je në kompaninë e tretë. Vjen nesër ora dhjetë në shtëpinë e Skënder Buzhalës, Kurtesh Fandaj, kemi një mbledhje!”
Këtij menjëherë i thashë: “Po, tregoja Shabanit se vi.” Ata i ndala atë natë, të nesërmen zbritëm në Buzhalë. Unë, Sadik Halitjaha, Xhafer Gashi, Jetulla Qarri (Guri), Mefaili, Aqifi dhe Zenun Kadrija bashkë me shoqëruesit e mi, Fadilin dhe Kujten.
Kur shkuam aty, nuk vonuan erdhën edhe ata me Kurteshin dhe dy shoqëresë e tij: Shaban Gashi, Mus Kololli, Isa Morina dhe Rexh Buzhala e Skënder Buzhala, i zoti i shtëpisë.
Kur filloi mbledhja, Kurteshi tha: “Sadik, unë i kam liruar për 20 ditë luftëtarët në pushim, asht mirë të veproni të gjithë kësisoj!”
“E pse?” – e pyeta.
“Po,” – tha, “pas krejt kësaj katrahure, u shpartallua UÇK-ja dhe janë lodhur ushtarët e asht harxhuar municioni.” Filloi ta përdredhtë bisedën.
“Po ku shkojnë luftëtarët?” – pyeta me habi.
“Na, ti fshehin armët, shkojnë dikush te dajtë e te farefisi i tyre.”
“Po kush u marrë vesh për paqe të përkohshme me Serbin?!”
“Jo, jo, mos u nxeh. Janë marrë vesh Rugova dhe Qeveria e Bukoshit në ekzil dhe kjo marrëveshje pas 15 ditësh hyn në fuqi, asht punë e kryer! S’ka luftë ma, neve po na japin autonomi substanciale në kuadër të Jugosllavisë së mbetur. Krejt të drejtat do t’i kemi, por veç kufirin e ruan ushtria jugosllave dhe gjykata kushtetuese e saj, të tjerat do t’i kemi krejt. Vazhdon 10 milicë – 9 shqiptarë e një serb – kështu ka me funksionuar në Kosovë, ushtri nuk na lejohet.”
“Po kush asht garant i kësaj marrëveshje?”
“Po vetë Milloshi e ka nënshkrua,” – tha!
“Aha, si puna e Shën Egjidios për arsim?!” – pyeta.
“A është në dijeni Shtabi i Përgjithshëm?”
“Po, po, krejt janë dakord,” – tha Kurta.
“Po pse nuk vijnë ata me urdhër t’i demobilizojnë luftëtarët dhe ta dorëzojnë luftën?” – pyeta me mosbesim.
“Asht krejt e kryer, e shihni pas 15 ditësh vijnë ata të Qeverisë Bukoshi, por unë po e parapërgatit terrenin, kam vendosur Isa Morinën me bë komandant të milicisë për Suharekë. Qe, ku e ke edhe Musen, krejt jemi dakord.”
“O Kurto,” – me zë pak më të plotë, duke bërë veten gati edhe për veprim, – “kësaj i thonë kapitullim i luftës pa kushte, ksaj i thonë Kosova Toplicë të bëhet! Ti je tuj kryer shërbim tradhtie dhe për kësi sabotimi duhet të vritesh.”
Guri dhe Xhafa prisnin shenjën e veprimit. Guri tha: “O Kurtesh Fandaj, ti banë milici e bëju me shkije, na do t’ju luftojmë dy palëve, koka shkruar të bredhim maleve me vite deri sa t’ju mundim dy palëve.”
Kurta u skuq si spec i kuq dhe u gjind pa dalje nga kjo situatë. Për fatin e tij dhe tonin, një kolonë serbe me pak tanke e autoblinda, një kamion ushtarësh ngjitej përballë nesh për Budakovë, mbi mullirin e Buzhalës. Filloi të rrëshqasë nga ulësja, sepse shiheshim nga rruga, dritaret pa perde dhe të ulëta.
Ngrita zërin: “Çohu,” – thashë, – “mos rrëshqit në dysheme, çoju e dil para, thuaju se i ke aleat e je ka vepron për realizimin e marrëveshjes!!!”
Krejt kjo tregon qartë përpjekjet e kuislingëve për ta shkatërruar UÇK-në dhe për ta dorëzuar luftën. Pastaj me i luftuar luftëtarët në autonominë nën Serbi e në vasalitet kolonial.
Jemi dalë nga aty pa u përshëndetur, kemi shkuar në dy grupe: unë, Guri, Aqifi, Zenuni e Xhafa në drejtim të Budakovës për grykë të Buzhalës, e ata të tjerët në drejtim të Bukoshit. E hidhur e vështirë e përballueshme! Më e rëndë se plagët e plumbit – lufta ballë për ballë me armikun dhe tradhtia në mes nesh!
Vazhdon tutje se si bahet mobilizimi dhe fuqizimi i UÇK-së….