Sadik Halitjaha: ME SHKAS NË MBËSHTETJE DHE PLOTËSIM NË SHKRIMIN E AGRON XHEMAJLIT! Të datës 03-02-2026

Tema: Pastrimi etnik i 3-4 Shkurtit të vitit 2000 nga Veriu i Kosovës.

I nderuar Agron Xhemajli, me shkrimin tënd më nxite ta shkruaj këtë shkrim!

Ndarja e veriut jo vetëm me bekimin e ndërkombëtarëve, por edhe me ndihmën e tyre, kryesisht francezët!
Kjo qartë është shpalosur nga komandanti i KFOR-it, francezi me gradën kapiten, në librin e tij.
Si dhe kuptohet në librin e Vesli Clarkut – “Të bësh luftë moderne”.
Clark shpjegon qartë kërkesën ruse me u vendos në veri, si dhe befasinë si i ndërruan rolet: francezët shkojnë në veri, vendosen në urë dhe ndajnë veriun me vijë për lumin Ibër!
Rusët futen në aeroport.

Ndërsa UÇK, e lodhur nga lufta, provoi në dy raste t’i sulmojë forcat serbe!
Ushtarë e milici të shumtë të ndalur në veri, në territorin e Kosovës, me armë dhe artileri të rëndë luftarake!

Ajo ushtri serbe nuk e zbatoi Marrëveshjen e Kumanovës që tërësisht të tërhiqej nga Kosova, pasi që iu bëri thirrje komandanti francez të ndalonin aty të qëndrojnë në veri, duke i siguruar ai me forcat e KFOR-it francez!

Ndërsa francezët nuk i lejonin luftëtarët e UÇK-së ta shkelin këtë marrëveshje, që i obligonte të mos sulmoheshin armiqtë serbë gjatë tërheqjes!

Në dy raste nga UÇK u sulmuan forcat armike!

Ndërsa KFOR-i francez ndërhyri në mbrojtje të tyre me helikopterë e forca të KFOR-it!

Populli reagoi vetëm atëherë kur u vranë me dhjetëra dhe u plagosën gjatë dëbimit në vitin 2000, duke i dëbuar 12.000 shqiptarë nga Veriu, me forcë e vrasje!

Populli me vonesë e kuptoi, i revoltuar nga vrasjet kriminale, u kthye te ura që të futeshin prapë në vendin dhe shtëpitë e tyre në Veri!

KFOR-i francez kërkoi ndihmën e lidershipit të Kosovës, dhe liderët tanë dolën para popullit te ura dhe i bindën ashtu si që i sugjeruan ndërkombëtarët!

U thanë popullit: shkoni ju në shtëpi, s’ka nevojë dhunshëm e me gjakderdhje të ktheheni, ne do të merremi vesh me ndërkombëtarët dhe ju kthejmë! Kjo kurrë nuk ndodhi.

Pushtetarët e bënë këtë në këmbim të besimit, lojalizmit ndaj të huajve, për të mbet në pushtet. Lojalizmi dhe përshtatja ndaj të huajve vazhdimisht u shpërblye me pushtet për lidershipin shqiptar!
Kjo me dekada zgjati, duke humbur në dëm të Kosovës për t’iu hyrë në hatër ndërkombëtarëve!

Si në plotësimin e 6 pikave, kërkesa të Serbisë, Ahtisari plus!
Si me fusnotën edhe më shumë, nga bisedimet teknike u futën në ato politike, në dialog për territorin e brendshëm të Kosovës. U futën në bisedime për Asociacionin e serbëve në veri, po ashtu i bënë 11 komuna me shumicë serbe, e ndanë në formë rripash territorin për t’i bashkuar dy e tre fshatra serbë në një komunë të vetme për të qenë etnike serbe! Kjo ndarje jo vetëm që krijonte lidhje mes fshatrave serbe, por ndante komunat shqiptare dhe i bënte jo funksionale!
Mendo, Graçanica është bashkë me Hajvalinë e ngjitur, por e ndan nga ajo dhe bën një lakore duke marrë tokë të komunës së Lipjanit si Çagllavicën dhe Uglaren e Fushë Kosovës, duke e rrethuar Prishtinën,
duke i mbyllur arteriet kryesore rrugore mes komunave shqiptare! Në këtë rast Prishtinën.
Kush i projektonte dhe kush i pranonte e i legjitimonte këto ndarje?!

Dobësitë e lidershipit e pranuan Listën Serbe me rekomandim nga Beogradi dhe aprovim të ambasadorëve të huaj! Kjo Listë Serbe e organizuar nga Serbia, për të marrë pushtet në pushtetin e Kosovës. Këtyre iu lejua pa afat mandati me 10 vende të garantuara në Parlamentin e Kosovës!
Edhe pse ishin të parapara nga plani i Ahtisarit vetëm për tri vite. Me automatizëm dhe dy ministri në Qeverinë e Kosovës nëse kjo ka mbi 14 ministri!

Lista Serbe legalizoi rojat e urave, krijoi pushtet të vetin në veri, i shkëputi policët dhe strukturat gjyqësore të komunitetit serb nga strukturat e Kosovës! Edhe tani nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Si dhe bllokoi rrugët për strukturat e policisë së Kosovës me barrikada!

Lista arriti deri te krijimi i një bande kriminale ushtarake të furnizuar mirë me armë nga Beogradi dhe të udhëhequr nga Radoiçiqi, nënkryetari i listës!
Këta, pos luftës që filluan me policinë e Kosovës në Banjskë dhe vranë një e plagosën tjetrin,
kriminelët hodhën në ajër me eksploziv kanalin Ibër-Lepenc, bënë aksionin diversionist — ky ishte krim ekonomik dhe njerëzor!

Tani kjo listë akoma gëzon kompetenca e të drejta legale (ligjore) të dyfishta nga Serbia dhe nga Kosova!

Nuk përjashtohet nga e drejta zgjedhore dhe kështu edhe formalisht po e bllokon pushtetin në Kosovë dhe po e ruan pushtetin e Serbisë në veriun e Kosovës!

Ambasadat e huaja, me lojalitetin që kanë ndaj Serbisë, krejt Kosovën e kthejnë nën Serbi, jo vetëm veriun!

Por, pasi që e dinë se populli i Kosovës lufton për lirinë e vet që i takon plotësisht, sepse është fituar me gjak!

Të huajt janë të vetëdijshëm për këtë, por bëjnë padrejtësisht presion mbi Kosovën!

Këtë duhet ta kuptojë Qeveria dhe lidershipi i Kosovës!

03-02-2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: INICIATIVA E QEVERISË NË DETYRË!

Ministria e Arsimit dëshiron të ndërmarrë hapa ndryshimi në kurrikulat shkollore në arsimin fillor, nga …