leoni

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: MOS TË NA PËRQAJ FEJA!

Slogani: “Feja e Shqipëtarit ashtë Shqipëtaria”

Sikur të ishte kaq e thjeshtë!
Krejt shqiptarët duhet të jenë të dakorduar; vërtet, duhet të jemi vetëm shqiptarë!
Shqiptarët jemi një popull i vogël dhe nuk na duhen shumë degëzime nëpër fe të ndryshme.

Ja që i kemi fetë, jo për shkak të dëshirave tona, as për shkak të fajit tonë, por për shkak të kryqzatave e pushtimeve të shumta me fe të ndryshme.
Me hir apo jo, u është imponuar popullit shqiptar ndryshimi apo kalimi në fe të dominuara nga pushtuesit.

Edhe sot akoma, faktorë shumë të rëndësishëm janë për shqiptarët, në raport me të tjerët, se cila fe dominon ndër ne.
Lindja na do ortodoksë, Turqia dhe Arabia na duan muslimanë, Europa dhe Perëndimi na duan katolikë.

Shtrohet pyetja: Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët?!
Koha e kërkon që, të ishim katolikë, më lehtë dhe më shpejt do të na pranonin në Europë.
Sa e drejtë është kjo, të mos na duan pse nuk jemi të njëjtës fe e kulturë?
Po aq e drejtë, edhe më shumë se kaq, që ne të jemi vetvetja dhe të mos ndryshojmë sipas dëshirave të të tjerëve!

Ne jemi këta që jemi; të jemi vetvetja do të na vlerësojnë më shumë dhe më me peshë njerëzore.
Na janë 70% e shqiptarëve të besimit islam, duke përfshirë edhe bektashinjtë, të cilët janë një sekt i veçantë.
Përqindja tjetër përbëhet nga fetë e tjera.

Kujt i duhet barazimi në përqindje të feve? Me siguri atyre që përgatisin konfliktin e mundshëm ndër shqiptarë në baza fetare!
Pse nuk shtrohet pyetja dhe nuk ndriçohet historia, ku mbeten katolikët dhe ortodoksët e kohëve të vjetra, pse u detyruan të konvertoheshin dhunshëm në besim islam?
Apo nga imponimi i jetesës nën pushtim?

Sa keq, sa dëm moral, shoqëror e njerëzor kjo dhunë asimiluese!
Por tani, në liri, kush po don të imponojë tjetersimin fetar, me imponim, propagandë, joshje e ndikime të tjera, duke thënë se po kthehemi në fenë e të parëve, në fenë e vjetër?

Edhe nëse njeriu ndryshon fenë, do t’i rritet apo zvogëlohet besimi në Zot? Me siguri do t’i zvogëlohet, duke kaluar herë andej e herë këndej; po dinjiteti, do të jetë më shumë apo më pak, me siguri më pak i dinjitetshëm do të jetë.
Po rrethi shoqëror dhe miqësia – me siguri do të gjejë shokë dhe miq të rinj, por më pak, si dhe do të humbasë miqët e vjetër e të provuar.

Maska e tejdukshme duke u thirrur: “Feja e Shqipëtarit ashtë Shqipëtaria!”
Menjëherë pason thirrja: Hajde bëhu katolik apo ortodoks!
Ku mbeti Shqipëtaria në këtë rast, në bisht të ballinës?!
Unë dhe gjithë populli im besoj se do të ishim bashkë me thirrjen:
“Shqiptarëve nuk ju duhen fet, por Shqipëtaria!”
Kjo kështu bashkon dhe nuk ndan.

Edhe pse përpiqen dhe thrasin këta misionarë, nuk duhet favorizuar as mohuar asnjë palë.
Pasi që të gjitha fetë janë dogmë dhe mashtrim për njerëzimin, sikur zinxhirët e padukshëm që lidhin me anë të frikës imagjinare.

Dogma pengon dhe ndikon në moszhvillimin e lirë, dhe pengon gjetjen e alternativave të tjera për njeriun.
Si dhe e largon nga përpjekjet eksploruese shkencore, në zhvillimin e njerzimit me një botë moderne e të përparuar!
Shkenca dhe feja janë dy gjëra krejt kundërta dhe mohojnë njëra-tjetrën; nuk komplimentojnë! Paradoksi është shumë i madh nga ata që nuk i kuptojnë mirë këto dy fusha. Thonë “shkencat fetare” – kjo është absurde!

Feja është dogmë, sikur që janë ju predikuesit fetar dogmat dhe mashtruesit, duke nisur për t’i kthyer shqiptarët në fenë e të parëve!
Ju silleni sikur ky popull është “dele”; mjafton të thoni: “Mos i besoni Zotit tuaj, se Zoti jonë është më i mirë!
Ose kryqi më i mirë se hixhabi; apo kisha më e mirë se xhamia!”

Edhe kështu, si që jemi, kisha dhe xhamia, dhe ekstremizëm kemi me bollëk.
Shumë sekte të besimit islam, të paqenura kurrë më parë, veç të ardhura tani pas luftës, janë duke u instaluar në Kosovë dhe Shqipëri.
Këta duhet të mohohen dhe të ndalen!
Me fuqizimin e traditës, të mos lejojmë të arrijnë me ndikim në ndryshimin e islamit tradicional.
Këta, të paguar nga Katari, Arabia Saudite dhe vendet e tjera arabe – qofshin si Sufistë, Vehabistë e të tjerë – nuk duhet lejuar të ndryshojnë praktikën dhe besimin islam tradicional.

Kjo gjë nuk duhet t’u mundësohet as atyre që abuzojnë me shqiptarët, për të u kthyer në fenë e vjetër!

Kryeheroi kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, dhe Shënjta Nana Tereze – Gonxhe Bojaxhiu, nuk duhet përvetësuar për mashtrim nga asnjë palë, për t’ua imponuar dhe ndryshuar fenë. Herojtë nuk luftuan dhe nuk u flijuan për fe, por për Shqipëri dhe Atdhe!

Me këtë që e shkrova më lartë, asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk bien ndesh heronjtë e më vonshëm!
Se paku nga këta që i dimë ne: Avdyli, Naimi, Samiu, vëllezërit Frashëri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të Atdheut – nuk mund të konvertohen e të tjetersohen!

Mos na i ndani dëshmorët! Mos na ndani gjakun dhe gjenetikën!
Mos na ndani, o ju të mashtruar apo të paguar nga cilido ekstrem që jeni!

Lërini njerëzit të zgjedhin se cila u duket më e mirë, pa imponim; mos impononi, mos ushqeni ekstremizmin, se vetë të parët e popullit e pësuan!
Pse të mos lidhim martesa e të miqësohemi që të jetojmë të bashkuar në Atdheun e përbashkët, në kombin dhe gjenetikën e përbashkët, në shqiptarin që e kemi të gjithë shqiptarët!
T’u lëmë mundësi për zgjedhje që i duan vetë populli ynë!

Pse nuk sqarohet që besimi është një kompleksitet në vetvete, ndërsa feja është degë (repart) e kompleksitetit në vetvete?
Pse nuk sqarohet se kultura, tradita, gjuha dhe kombi janë të tjera nga besimi, feja dhe veshja?
Pse nuk sqarohet se kombi, gjuha e atdheu – liria jonë – nuk kanë asgjë të përbashkët me papatin e Vatikanin, as me Islamin, gjihad-in dhe ISIS-in?

Kanë përfunduar kohërat që të kërcënoni njerëzit me frikën e ferrit, xhehennemit, zjarrin e pezmatueshëm!
Të mos i përjashtoni, të mos i pagzoni, të mos i përsekutoni si në kohën e inkuzicionit!
Njerëzit mund të mos besojnë fare, mund të mos përcaktohen për asnjërën fe, dhe të jenë të lidhur vetëm për atdheun, kombin, gjuhën, flamurin, kulturën dhe traditën, që të jenë vetëm shqiptarë!

Poshtë përçarësit, misionarët e të paguarit për ta denigruar popullin shqiptar!
Feja është opijum për popullin; populli e mposht fenë!

Rroftë Kombi Shqiptar! Rroftë populli ynë i lirë e i pavarur në Shqipërinë e lirë e të ribashkuar!

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha: DY FJALË PËR HEROJT E PAEPUR, AFRIM ZHITIJA E FAHRI FAZLIU

Si ndihemi pranë jush kur vijnë përvjetorët!Më vjen keq që nuk mundën shokët e idealit …