Seanca e sotme në Hagë ka nisur në një atmosferë të ngarkuar emocionalisht, teksa katër ish-krerët e UÇK-së përshëndetën familjarët e tyre të pranishëm në galeri. Me hapjen e perdes që ndan galerinë nga salla e gjyqit, Dhomat e Specializuara të Kosovës u mbushën me momente simbolike, kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kthyen vështrimin nga e majta e sallës, duke buzëqeshur dhe përshëndetur me dorë të afërmit e tyre. Një moment i veçantë u vu re kur Rexhep Selimi formoi simbolin e “zemrës” me duar në drejtim të familjarëve, ndërsa në galeri ishte e pranishme edhe bashkëshortja e tij, Shqipe Selimi. Po ashtu, në sallë ndodheshin edhe familjarë të Thaçit, Veselit dhe Krasniqit, të cilët kishin ardhur në numër të madh për të ndjekur zhvillimet e procesit. Seanca nisi në orën 09:00 me parashtrimet e mbrojtësit të viktimave. Më pas, avokatët e mbrojtjes pritet të paraqesin komentet e tyre lidhur me deklaratat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar , të dhëna në seancën e mëparshme. Pas pushimit të drekës, janë paraparë deklarimet personale të katër të akuzuarve, në një seancë që pritet të ketë zhvillime të rëndësishme procedurale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
