Sefer Halil Morina (10.4.1964 – 17.5.1998)

Sefer Halil Morina (10.4.1964 – 17.5.1998)

Sefer Morina u lind në fshatin Rixhevë të komunës së Klinës, më 10 prill të vitit 1964. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Kijevë. Ishte i biri i Halilit dhe i Zelihasë, bijë e Begajve të Banjës së Malishevës. Halili dhe Zelihaja patën katër bijë: Sylejmanin, Ramadanin, Seferin dhe Miftarin.
Gjatë shkollës së mesme në Kijevë, Sefer Morina vë kontakt me disa veprimtarë të lëvizjes ilegale si, Haki Morina, Tafil Morina, Hajdar Morina, Habib Morina e të tjerë. Pasi kishte kryer shkollën e mesme, regjistrohet në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, mirëpo ndërkohë merr ftesë për të shkuar në shërbimin e obligueshëm ushtarak jugosllav, me ç rast rekrutohet dhe dërgohet në Trebinje të Bosnjës e Hercegovinës. Pas gjashtë muaj shërbimi, dezerton nga armata e pushtuesit dhe kthehet në vendlindje. Ndërkohë, një njësit i forcave ushtarake jugosllave dhe milicia vendore e Klinës, kishin rrethuar shtëpinë e Halil Morinës dhe kishin arrestuar Seferin, pasi ikjen e tij nga ushtria e kishin denoncuar edhe disa bashkëpunëtorë të regjimit. Ishte dërguar dhunshëm në Trebinje, ku edhe e kishin dënuar dy muaj burg me akuzën për dezertim nga armata jugosllave.
Në vitet ’90 të shekullit 20, Seferi merr pjesë në aktivitetet e ndryshme, të cilat kishin për qëllim intensifikimin dhe unifikimin e veprimtarisë çlirimtare.
Në dhjetor të vitit 1997, pasi tashmë kishte dalë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vëllai i Seferit, Miftari, nga Gjermania kthehet në Kosovë përmes Shqipërisë, nëpër Han të Hotit, Shkodër, Koplik, Bajzë, duke kaluar ilegalisht nëpër kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi dhe u sjell armë dy vëllezërve të tij, Ramadanit e Seferit. Pas pk, Miftari kthehet sërish në Gjermani nëpër të njëjtën rrugë. Atë e përcjell vëllai Seferi, deri në Kijevë, ndërsa Ramadani e shoqëron deri në Tuz.
M 16 prill të vitit 1998, Sefer Morina i bashkohet njësitit “Graniti” i cili vepronte në kundër të njësiteve të tjera, të cilat më vonë morën emrin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Njësiti asokohe udhëhiqej nga komandanti Agim Pantina.
Më, 16 maj të vitit 1998, forcat e shumta policore e paramilitare që vinin nga drejtimi i Klinës dhe Kijevës futen fillimisht në familjen e dëshmorit Sefer Morina pasi kjo familje kishte larguar gratë e fëmijët. Atë natë kishin ushtruar roje dy vëllezërit: Sefer Morina e Ramadan Morina, si dhe Brahim Morina e Zeqir Morina. Herët në mëngjes forcat policore e ushtarake serbe, kontingjenti prej rreth 300 trupash, 3 autoblinda e një tank si dhe shumë automjete policore hyjnë në oborrin e kësaj familjeje, ndërkohë një helikopter i forcave serbe vëzhgonte nga ajri.
Pas një rezistence të armatosur, në numër krejtësisht të pabarabartë fillojnë luftimet. Seferi, së bashku me vëllain bashkëluftëtar, pozicionohet në shtëpinë e vet, prej ku kishte filluar kundërsulmi mbi forcat serbe me tërë municionin që kishte. Në këto luftime, në altarin e lirisë bien dy vëllezërit dëshmorë, Sefer e Ramadan Morina. Po në të njëjtat pozicione, pas një rezistence të armatosur bie heroikisht edhe vëllai tjetër i tyre, Brahim Morina. Pas rënies së Seferit, Ramadanit dhe Brahimit, forcat serbe zënë të gjallë vëllanë e Seferit e Ramadanit, Sylejmanin, të cilin e ndëshkojnë fizikisht në mënyrë çnjerëzore duke e torturuar dhe duke e sjellë herë te Ramadani, te Seferi e te Brahimi, me qëllim për t’i parë vëllezërit e vrarë. Ata, duke e rrahur dhe duke e përbuzur po i thoshin, “ja si i kemi vrarë tre terroristë”.
Forcat policore zënë gjallë edhe djalin e axhës të Ramadanit, Hajdin Morinën të cilin e torturojnë barbarisht, duke ja futur thikën në fyt e duke u krekosur sesi i kishin vrarë tre kushërinjtë e tij.
Atë ditë, pasi kishin rënë Ramadani, Seferi dhe Brahimi, forcat policore e paramilitare serbe kishin arrestuar shumë kushërinj e bashkëfshatarë të tyre të cilët i kishin rrahur mizorisht. Ata i kishin lidhur dhe i mbanin me kokë për toke bashkëfshatarët e tyre: Sadik Bajram Morina, e Avdullah Deli Desku nga Siqeva (mysafir i Sadikut), Imer Azem Morina, Ajet Sylë Nevada, Brahim Halil Morina, Alush Sylë Musaj, Haxhi Shaban Musaj, Ramadan Shaban Musaj, Halil Shaban Musaj, Brahim Ramadan Musaj, Bashkim Ramadan Musaj, Ramadan Kadri Berisha, Dinore Kadri Maliqaj, Milazim Kadri Maliqaj, Jakup Halil Musaj e shumë të tjerë e gjithashtu djegin shumë shtëpi në këtë ditë, si shtëpinë e Sahit Bajrush Hysenaj, shtëpinë e Hasan Demush Loshit si dhe shtëpia e Brahim Kadri Maliqaj.
Prej orës 7 e 20 minuta e deri në orën 14.00 sa kishin qëndruar forcat serbe në shtëpinë e familjes Morina, i kishin vrarë dy vëllezërit, Ramadanin dhe Seferin, si dhe kushëririn e tyre Brahimin, plaçkitin shtëpitë ua marrin armët dhe uniformat e dy vëllezërve, veturën dhe traktorin dhe gjësende të tjera.
Atë ditë, para se të rrethohej shtëpia e dëshmorit Sefer Morina, babai i tij, Halili, nuk po dinte se ç’kishte ndodhur në familjen e tij. Më vonë, për atë që kishte ndodhur, merr vesh nga disa bashkëfshatarë të cilët tanimë ishin drejtuar në drejtim të malit, Te Çuka e fshatit Rixhevë.
Pas tërheqjes së forcave serbe nga Rixheva, rreth orës 14:00, në një organizim të mirë nga shumë luftëtarë të lirisë në krye me Bajram Rexhepajn, tani dëshmor i kombit, trupat e tre luftëtarëve të rënë për liri i kishin vendosur në një rimorkio të traktorit, dhe ishin betuar se do të marrin hak. Trupat e tre luftëtarëve tërhiqen në fshatin Zabergjë, ku në mes të dy bijve të rënë qëndronte i ati Halili. Në orët e mesnatës, në kushte dhe rrethana lufte, luftëtarët e rënë për liri, bashkëluftëtarët e tyre i varrosin me nderime ushtarake në varrezat e fshatit Zabergjë.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëjnë betimin se do të marrin hak. Atë natë me zbrazjen e armëve, në shenjë nderimi ishin betuar për luftë deri në fitoren e plotë: Bajram Rexhepaj (Murrizi), Halit Gashi, Bedri Gashi, Arsim Rexhepaj, Bekim Shala, Agim Pantina, Bekim Shyti, “Komandant Shkupi”, luftëtarë të njësiteve “Graniti”, “Alfa”, “Beta” si dhe shumë luftëtarë të tjerë. Forcat serbe nga pozicioni i tyre te mulliri “Prapashtica”, në Kijevë kishin filluar goditjet në drejtim te vendit ku ishin varrosur me nderime luftëtarët e lirisë, vëllezërit dëshmorë Sefer e Ramadan Morina dhe Brahim Morina.
Sefer Morina ishte i martuar me Hava Gashin nga Qabiqi i Klinës. Ata lindën e rritën bijtë: Liridonin, Idrizin, Getoarin dhe Arbrin. Po ashtu ai la edhe prindërit dhe vëllezërit: Sylejmanin e Miftarin.
Në shenjë respekti për trimërinë e treguar të dy vëllezërve: Sefer e Ramadan Morina, kanë ndarë mirënjohje: Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Kuvendi Komunal i Klinës. Emrat e të dy vëllezërve dëshmorë, janë vendosur në qendër të Klinës në Kompleksin Përkujtimor të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Emrat e tyre janë skalitur edhe në pllakën përkujtimore, në shkollën e mesme “Lasgush Poradeci” të Kijevës, pasi kishin qenë nxënës të kësaj shkolle. Një pllakë përkujtimore është vendosur në dyert e oborrit të shtëpisë së tyre për kujtim e mos-harrim të rënies së tyre heroike, duke mbrojtur nderin e dinjitetin e luftës për liri.
Në shenjë respekti të luftëtarëve të lirisë, Sefer dhe Ramadan Morina, familja e tij ka emërtuar me mbishkrimin “17 Maji 98”, dyqanin dhe sallonin e ondulimit në Rixhevë. Gjithashtu në shenjë respekti për luftën e lavdishme të UÇK-së, vëllai i dëshmorëve, Miftar Morina, ka pagëzuar djalin e tij me emrin UÇK. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …