Autoritetet në Serbi kanë arrestuar një shtetas të Shqipërisë nën dyshimin për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare”. Sipas Ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, arrestimi u bë në Prokuple në bashkëpunim me Doganat e Serbisë. Në pikë kalimin kufitar të Merdarit, policia serbe ka gjetur në një furgon pesë çanta që përmbanin qindra flamuj, bluza, triko dhe kapele me simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurat e Adem Jasharit e Agim Ramadanit. Autoritetet dyshojnë se këto materiale ishin planifikuar të ekspozoheshin gjatë ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovc, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026. Personi i arrestuar, i identifikuar si D.P. nga Shqipëria, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa pritet që ndaj tij të ngritet aktakuzë nga Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple. Serbia e konsideron UÇK-në organizatë terroriste, ndërsa rivaliteti mes dy vendeve mbetet i ndjeshëm për shkak të tensioneve historike dhe konfliktit në Kosovë. /ReL/
