Shahin Qerim Jashari ka lindur më 19 gusht 1973 në Skënderaj, nga prindërit Qerim dhe Hajrije Jashari. Shkollën fillore e kreu në Skënderaj, të mesmen e vazhdoi në degën Teknike të Makinerisë. Ai ishte një sportist i dalluar në karate, duke u bërë pjesë e Brezit të Zi, dhe duke marrë pjesë aktivisht në gara në Mitrovicë. Shahini, me gjithë suksesin e arritur në arsim dhe sport, ndjeu thellë në shpirt detyrimin ndaj vendit të tij dhe kauzës së lirisë. Ky vendim i rëndësishëm u mor nga baba Qerimi, i cili vendosi që fëmijët e tij të mos i lë në tokë të okupuar nga forcat serbe. Luftës për liri, Shahini iu përgjigj me vendosmëri dhe pa hezitim, duke u bërë pjesë e një historie të madhe të familjes së tij, Familjes Emblemë të Prekazit Heroik. Shahini, megjithë moshën e tij të re, u bë simbol i vendosmërisë dhe krenarisë për të mbrojtur tokën e mëmë. Në kohën kur familja dhe fisi Jasharaj ishin në shënjestër të forcave policore dhe ushtarake serbe, ai u bë bashkë e i pandarë me babin, vëllain Ukshinin, xhaxhallarët dhe tërë fisin, duke treguar përkushtim të pakufishëm ndaj një ideali më të lartë.
Dita e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 do të shkruhej në faqet e arta të historisë shqiptare, si dita kur forcat ushtarake dhe policore serbe filluan një sulm të paparë ndaj lagjes Jashari të Prekazit. Në këtë betejë heroike, Shahin Jashari, bashkë me babanë Qerimin, nënën Hajrije, vëllain Ukshinin dhe dhjetëra të tjerë nga fisi i ngushtë e i gjerë i tij luftuan tre ditë e tre netë kundër forcave pushtuese, policore e ushtarake serbe. Në këtë betejë heroike, përveç Jasharajve të tjerë ka rënë edhe Shahin Jashari me dy prindërit: Qerimin dhe Hajrjen, dhe vëllain Ukshinin.
Shahin Qerim Jashari është një figurë e shquar dhe e nderuar në historinë e shqiptarëve. Në momentin e rivarrimit të tij, në trupin e Shahin Jasharit iu gjetën plumba në xhepa. Këta plumba sot ruhen me nderë në Muzeun e Prekazit, një vend i posaçëm që ruan trashëgiminë e tyre.
Shahin Qerim Jashari është një burim frymëzimi për gjeneratat e ardhshme. Eshtrat e tij prehen në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz. Familja e Shahin Jasharit ka marrë mirënjohje nga Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së, etj. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje, janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (Hatixhe Qerim Jashari)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
