E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, deklaroi se mundësitë për bashkëpunim mes Kosovës dhe SHBA-së në mbrojtje, energji, tregti dhe investime janë të pakufishme, por mesazhi i saj u lexua edhe si një thirrje e qartë për vendime më të guximshme në sektorin energjetik. Në ceremoninë për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, ajo theksoi se kompanitë amerikane kërkojnë partnerë të besueshëm dhe se Kosova ka potencial për të tërhequr investime të rëndësishme. Deklaratat e saj vijnë në kohën kur Uashingtoni po kërkon që Kosova t’u bashkohet projekteve rajonale të gazit të lëngshëm amerikan, ndërsa Qeveria në detyrë vazhdon të favorizojë gazifikimin e thëngjillit vendor, duke refuzuar përfshirjen në këto iniciativa. Ky qëndrim ka nxitur kritika edhe nga komuniteti i biznesit, i cili paralajmëron se mos angazhimi në projektet rajonale të energjisë mund të ndikojë negativisht në partneritetin ekonomik me SHBA-në, në një kohë kur vendet fqinje tashmë po thellojnë bashkëpunimin me kompanitë amerikane. Pavarësisht këtyre dallimeve, Prattipati ritheksoi se SHBA-ja mbetet pranë Kosovës në forcimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e konsideruar aleancën ndërmjet dy vendeve si një partneritet strategjik afatgjatë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
