SHBA riafirmon mbështetjen për Kosovën përmes Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar të premten Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara. Në këtë ligj është përfshirë edhe Kosova, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve. Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington ka vlerësuar se miratimi i këtij ligji përbën riafirmim të qartë dhe të fuqishëm të mbështetjes amerikane për Kosovën, veçanërisht në aspektin e sovranitetit, sigurisë dhe rrugës së saj euro-atlantike. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të fuqishme për Republikën e Kosovës përmes miratimit të National Defense Authorization Act (NDAA). Ligji nënvizon përkushtimin e SHBA-ve ndaj sovranitetit, sigurisë dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës, mbështet dialogun Kosovë–Serbi të bazuar në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim kufijsh”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës. Sipas këtij njoftimi, përfshirja e Kosovës në NDAA është dëshmi e rolit të saj si partnere e besueshme e SHBA-ve në rajon dhe e angazhimit amerikan për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Ambasada ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kongresit amerikan, Shtëpisë së Bardhë dhe të gjithë akterëve që janë angazhuar për përfshirjen dhe miratimin e dispozitave me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kapje brutale e shtetit: Dosja e Mujkës tregon se si pushteti ndërhyri për të dhunuar ligjin dhe konkurrencën

Bisedat e zbardhura nga telefoni i Faruk Mujkës përbëjnë një aktakuzë të rëndë morale dhe …