Shefqet Dibrani: Alkimia e mallit për atdhe si ndikim emocional

Shefqet Dibrani: Alkimia e mallit për atdhe si ndikim emocional

(Fatime Kalimashi – Hoti, ”MELODI E DHIMBJES“, poezi, botoi Pen Art ”DALLGËT E DRINIT“, Rahovec 2012, faqe 52.).

Fatime Kalimashi – Hoti, është poete që përmes metaforës së dhembjes, të cilën e ka cilësuar si “Melodi”, i ka pashitur dhembjet, i ka mëkuar plagët dhe ka ecur vertikal. Po cila qenka ajo melodi? Ç’zë paska dhembja poetike, çfarë rënkimesh kanë lirikat e saj dhe cili qenka timbri i zërit që lëshojnë dhembjet, përveç gjëmës e kukamës e cila interpretohet në mënyrë artistike. Por fjala është për dhembjet e motiveve, për dhembjet e mallit, për dhembjen e frikës nga asimilimi dhe tjetërsimi, poezi këto më sa duket sikur janë shkruar në vitet e më hershme, kur poetesha ende nuk e ka gjetur veten si emigrante në një ambient të ri dhe mjaftë i ashpër për tu integruar. E këtë gjendje shpirtërore ajo e shpreh edhe në poezinë “E VETMUAR”, duke qëndruar “në një dhomë të errët”, shkruan poetja që janë drithërima trishtimi, është ajo “Melodia e dhembjes”, me të cilën ajo ka ndërtuar një metaforë të fuqishme përmes së cilave sillet i tërë strumbullari i fenomenit “Melodi” mbi “Dhembje”.

Në anën tjetër është regjistruar edhe fenomeni dhembje, që ka të bëjë me mallin për vendlindje, ku ka ndjerë plagën në shpirt, dhe kështu e plagosur ka nisur jetën e re plotë frikë e pasiguri, por me kalimin e kohës ajo e ka mbushur me angazhime të shumta, andaj edhe motivet poetike i mbulon me ëndrra për tu bërë vetja e saj, tamam siç e thotë edhe në poezinë “JETA”:

Nga puna dituri fitoj

Nga vepra ndihem krenare

Nga mirësia ndjej kënaqësi

Nga dashuria ndihem e lumtur

Nga buzëqeshja ndjej gëzimin

Nga pikëllimi psherëtij

Nga dhembja ndjej plagën në shpirt

Nga mërzia ndjej keqardhjen

Nga sëmundja kërkoj shërim

S’dua asnjë e keqe

Ti ndodh jetës sime

Faqe 27.

Pavarësisht sukseseve në jetën private, në jetën kulturore dhe me poezitë e saj Fatime Kalimashi – Hoti, e plotëson boshllëkun me poezi, ku përmes vargjeve duket se shpirti i saj latent ende nuk e ka gjetur atë ngrohjen të cilën e ka imagjinuar, e ka fantazuar, me një fjalë nuk është e gatshme për të jetuar jetën larg andrallave që i ka pasur dikur në moshën e saj të rinisë. Tashmë dihet se edhe asaj, si shumë të tjerëve, ambiciet kanë devijuar, tamam si gjithë emigracionit tjetër botëror. Vargun poetik i Fatime Kalimashi – Hoti, ka një melankoli të theksuar, sado që aty këto ka dhembej por ka edhe revoltë për të mos u dorëzuar, ka mospajtime dhe paragjykime, e si grua që është ka qëllim të cilin dëshiron për ta realizuar, për ta identifikuar artin e saj kulturor me atë letrar, andaj të gjitha angazhimet e saj në jetën publike kanë një qëllim i cili motivohen nga ky synim, për të cilin ajo ka punuar dhe ka jetuar. Në këtë plan ajo kishte mbështetjen e dikujt siç shkruan në poezinë “TI”, një përkushtim emblematik do të thosha: “Ti mi dëgjove trokitjet e zemrës/ Ma tregove rrugën e lumturisë/ Nga gjumi më zgjove/ Me ndjenja të dashurisë/ Ti dhe vetëm ti je bota ime”. Një përkushtim fisnik dhe dinjitoz, që e bënë atë “melodinë e dhimbjes”, edhe më përjetuese por nga ky fragment edhe më fisnike dhe ledhatuese.

Gjithçka që bëri kjo poete, janë sfida mbi risocializimin në jetën e re, në përpjekjet e saj për tu ambientuar por duke mos harruar vetën se është shqiptare, krenare dhe bujare. Në këto rrethana poetesha e mbyt pesimizmin dhe dëshpërimin, pikërisht me vargje lirike: “Më në fund e gjeta/ Dashurinë e vërtetë/ Më në fund mësova/ Si duhet vepruar në jetë”.

Ambienti i ri e ka sfiduar, por edhe i ka mundësuar të shijoj përvoja të shumta, prandaj intuita e saj për të shkruar, themelet i ka në dhembjet e brendshme shpirtërore të cilat pasqyrohen kudo në poezitë e saj, sikurse edhe në këtë libër. “Të lutem më ndihmo/ Kërkoj ndihmë/ Të lutem më ndihmo…”, është një klithmë e veçantë dhe e sojit të vet.

Por ajo që bie në sy nëpër këto lirika, duket jep një tablo tjetër nga ajo që njohim poeten në realitet që e ka jetën të mbushur plot hare dhe duket sikur kurrë nuk ka pasur nevojë ta sfidoj vetën, në pengesat dhe vështirësitë që mund t’ia ketë sjellë jeta në mërgim, qoftë si nënë, qoftë si mërgimtare e qoftë si aktiviste kulturore e letrare. Andaj simbolika e rezistencës intelektuale, për të ngadhënjyer mbi dogmat dhe paragjykimet ka dhënë si rezultat edhe këto përmbledhje me poezi të cilat sado që janë modeste, është jeta e saj, janë dhembjet e saj, por janë edhe sukseset dhe ngadhënjimet që kanë rezultate të prekshme. D.m.th se Fatime Kalimashi – Hoti, është vetja e saj, dhe këtë e ka realizuar duke e mbushur ditën me angazhime prindërore në familje dhe fundjavat duke ua kushtuar aktiviteteve të shumta kulturore, qoftë si valltare, këngëtare, moderatore e më në fund edhe si aktore. Karshi këtyre veprimtarive ajo ka mbushur edhe një boshllëk tjetër duke shkruar poezi me të cilat, e përmes të cilave, jo vetëm i ka shprehur ndjenjat e brendshme shpirtërore por ka përmbushur edhe një mision tjetër që kanë shkrimtaret për të lënë pas tyre vepra të artit dhe të letërsisë.

 

SYTË E BUKUR

 

Sytë e tu të bukur

Ndriçojnë si yjet e qiellit

Sytë e tu të shkruar

Shkëlqejnë si ngjyrat e ylberit

Sytë e tu të bukur në agim

Rrezojnë si rrezet e diellit

Sytë e tu të shkruar

Ndriçojnë në natën e errët

Sytë e tu të ëmbël

Më dhurojnë lumturi

Faqe 24.

Poezitë me përkushtime të kësaj natyre, qofshin lirika apo epika të saj, janë një ndjenjë e rrallë, kanë një fuqi tërheqëse që shfaqin një sinqeritet absolut në raport me njerëzit e zemrës së saj, jo vetëm në planin letrar, por edhe në raportet njerëzore, sepse pa pas njerëzi dhe fisnikëri nuk dalin as motivet kaq të fuqishme.

            Libri me poezi ”MELODI E DHIMBJES“, i Fatime Kalimashi – Hoti, është vazhdimësi e librave paraprak, me nuanca të stërholluara dhe me vargun e çrregullt, si një meditim artistik duke e bërë poeten më të kompletuar në fushën e poezisë. Fatime Kalimashi – Hoti, është këmbëngulëse në kërkimet e saja poetike për të rrëfyer jetën e saj e cila i ka ecejaket e veta specifike dhe shumë ngjarje të tjera që mund të jenë ngujuar në shpirtin e saj pa i thënë dhe pa i rrëfyer. P.sh.: “Me sy të përlotur/ Shikoja në dritare/ Në xhamin e vjetër/ Shkrova disa vargje”, dhe për ta sublimuar këtë ndjenjë ajo do të vazhdojë: “Më mungon drita e hënës/ Dhe rrezet e diellit/ Marr një copë letër/ Ca fjalë të bukura shkruaj/ Nga shkronjat e arta/ Më del kjo psherëtimë”. Këso nuancash përjetimi gjejmë me bollëk, vetëm se të thëna përmes poezisë. Natyrisht edhe Fatime Kalimashi – Hoti, ka bërë përpjekje intelektuale për tu formësuar e për tu diferencuar, duke u dalluar nga një rreth shoqëror i cili si tërësi ekzistenciale e posedon ndjenjën e frikës nga shthurja, shpërbërja dhe asimilimi, pasi çdo gjë letrare e artistike tek Fatime Kalimashi – Hoti, është bërë e krijuar në mërgim andaj kjo “MELODI E DHIMBJES”, duhet kuptuar si refleksion i asaj situate. Prandaj mundësia e një frikë është bërë pjesë e qasjeve edhe poetike, që janë thënë drejtpërdrejtë, duke mos bërë përpjekje për ngritje e ngjitje artistike. D.m.th. poezia e saj është vetja e autores me të gjitha huqet e truçet që mund ti ketë njeriu i zakonshëm, por përmes poezisë këto ndjenja relativizohen mjaftë mirë dhe suksesshëm.

 

PRANË TEJE

 

Pranë teje kur jam

Nuk di çfarë të them

Edhe pse dhimbje kam

Vështirë e kam ta shpreh

Pranë teje kur jam

Dhimbjen harroj

Ngase sytë e tu të bukur

Si yje ndriçojnë

Nuk mund të të them

Se shpirti ende më dhemb

Kur jam me ty

Nuk jam e vetmuar…

Faqe 31.

Kjo përmbledhje me poezi është strukturuar si një tërësi tematike, e cila sikur ka për qëllim të mos lejoj fragmentarizmin e mendimeve poetike. Pavarësisht nga ky mendim, rrëfimi poetik, qasja artistike dhe shumë elemente estetike janë përbërës të kësaj poezie të cilat poeten e shtyjnë edhe një hap drejt suksesit drejt një profilizimi më artistik. Në anën tjetër mjaftë metafora na sforcojnë këtë mendim të shprehur më parë se Fatime Kalimashi – Hoti, do ti avancojë këto vlera letrare e kulturore për t’i ngjitur lart në piedestalin e suksesit të saj letrar e artistik, më shumë si revoltë, estetikisht mbi realitetin objektiv i cili e rrethon dhe e shoqëron poeten.

E nëse “rreth xhamit të dritares/ një zog fluturon”, natyrisht cicërimat e tij të ëmbla kujtimet ia trazon. E ky trazim për “Zogun Shtegtar” sikur paraqesin atë metaforën për fatin e vet autores e cila, sigurisht e frymëzuar nga poezitë e Rilindësve tanë, bënë një bisedë metaforike në të cilën shprehet: “Më prit tek dritarja e vjetër/ do të ndalem aty tek je ti”, dhe vetëm për ty shkruan se “këngë këndoj”. Natyrisht secili lexues beson se me një zë të mekur me vetën e saj të rrethuar nga vetmia poetesha edhe ka kënduar, por nëse vështrimin e shtrijmë përtej kësaj metafore dhe i kërkojmë sukseset e poetes në fushën e këngës dhe muzikës atëherë lehtë kuptojmë se bashkëbisedimi i poetes me Zogun këngëtar nuk është gjë tjetër vetëm një bashkëbisedim i poetes me vetën e saj, veçmas kur tashti ajo dallohet edhe si soliste e këngës artistike.

Gjithsesi kjo magjepsje poetike, ky komunikim me zogun shtegtar, e bënë metaforën e poezisë më përjetuese pasi si fiksion artistike duket se çdo gjë është e mpiksur mbi qerpikun artistike të autores. Metaforat e këtij dialogu vazhdojnë edhe në poezinë “GJUMË NUK KAM”, në të cilën ëndërron një çast të bukur dashurie, si lirikë e shprehur mirë artistikisht. Po ashtu metaforat e mallit të saj vazhdojnë edhe në poezinë “RRUGË PA MBARIM”, në të cilën shprehet “Udhë e gjatë/ Lindje dhe perëndim/ Ikim çdo ditë e natë/ Në këtë rrugë pambarim”, që paraqesin shqetësimet e autores për ikjet e shumta, ndonëse ajo shprehet se kur duhet të flejë nuk mundet të shti gjumë në sy, dhe kur është zgjuat ashtu kot së koti i shkon jeta. Kjo alkimi malli e përjetimi lexohet nëpër të gjitha poezitë të cilat janë ndjenjë, janë shqetësim, janë malli për Kosovën, janë malli për motrën e saj, janë ëndrra të prera përgjysmë nga udhëtim kthimin e përhershëm as vet nuk e di, por ajo mbetet “Zog shtegtar”, atej e këndej me mallin për atdheun që nuk i shuhet kurrë. E këtë mendim e shprehin edhe vargjet:

 

Tani nuk mund të shqiptoj

As fjalën e fundit si amanet

Jo nuk dua të derdh lot

Kërkoj dritë në dhomën time

Nuk dua të jem hije

E të frikohem nga vetja ime…

Poezia: “E VETMUAR”,

faqe 12.

 

Metaforë të ndjeshme idilike gjejmë me bollëk nëpër poezitë e Fatimes, të cilat sikur kanë për qëllim hyjnor ngase poetesha shihet se ka kaluar nëpër një purgator me pak shpresa se do t’i mbijetoj, ku në mënyrë artistike është shprehur: “Në tokë dua të vdes/ Drejt qiellit të fluturoj/ Si një engjëll i bukur/ Në parajsë të shkojë”. Këtë ndjenjë idilike autorja e asimilon përmes motivit lirik që e shpreh tek poezia “SYTË E TU”, në të cilën “Lotët më pikojnë/ Në sytë tu shoh dashurinë/ Ai shikim yti magjik/ Më bën të vuaj për ty”, duke motërzuar këtë motiv edhe në poezinë “TË KËRKOVA”, në të cilën do të shprehet:

Në qiellin e kaltër të kërkova

Në mes rrezeve të nxehta

Të kërkova në kopsht me lule

As aty nuk të gjeta

Të kërkova në folenë time

Ku pushoja për herë në vetmi

Të kërkova në mes yjeve

Askund nuk të gjeta shpirt

Ti ishe në zemrën time

Në misteret e fshehta…

Faqe 18.

            Nga vargjet e cituara më parë metafora e mallit të përgjëruar është ngritur në nivel artistik e cila e përshkon poezinë e Fatime Kalimashi – Hoti, duke e mbështjell edhe me motive të tjera, madje shpesh lirike dhe aty këtu edhe me nota pesimiste dhe të dëshpërimit që hasen nëpër poezitë: “I thash”; “Të dua”; “E mbyllur në qeli”; “Një letër”; “Larg”; “Natyra”; “Motrës sime”; “Poezia ime”; “Asnjëherë”; “Bukuria jote”; “Valonit”, etj., ku nëpërmes tyre ajo: “Do të fluturoj në qiell/ Do të ndërtoj një fole/ Do të marr dhe ty me vete/ Të ndërtojmë një jetë të re…”, faqe 43.

Duke lexuar poezinë e Fatime Kalimashi – Hoti, kuptohet më lehtë edhe melankolia e një shpirti të përvuajtur me ambicie të qarta për tu bërë vetja e saj. Ajo është e vetëdijshme për sfidat që i ka përpara, por aq është e vetëdijshme se asgjë nuk të zbret nga qielli pa e kërkuar, pa u përpjekur dhe pa punuar. Janë këto sintagma që zbërthen duke lexuar me vëmendje vargjet e poetes e cila nëse punon edhe në poezi si në sferat tjera padyshim do të ketë sukses dhe arritje të tjera, duke i perfeksionuar vargjet, simbolin dhe metaforën pa të cilat nuk imagjinohet një poezi e arrirë.

Megjithatë të regjistrosh jetën, edhe kështu përmes poezisë është një sukses të cilin me sa duket Fatime Kalimashi – Hoti e ka realizuar qëllimin për tu bërë vetja, për tu bërë një zë dhe një emër që dita ditës të respektohet ma shumë.

 

 

POEZIA IME

 

Ndoshta nuk beson

Që shkruaj poezi

Me shkronja të arta

Shpreh gjithë dashurinë

Është dëshirë e imja

Të shkruaj për jetën

Gjënë më të shtrenjtë

Që tregon të vërtetën

Shkruaj poezi

Nga ndjenjat e mia

Një rrëfim të hidhur

Që peng mbajti shpirtin tim…

Faqe 41.

 

Pavarësisht anëve pozitive dhe vlerësimeve tejet inkurajuese, ky libër, si dhe ata më parë, është dashur të rishikohet pak më shumë dhe të hiqen nga poezitë vargjet retorike dhe ato që kanë prozaizëm, të cilat sikur prishin nganjëherë mendimin e fuqishëm që ka poezia dhe vargu i saj në përgjithësi!

St. Gallen, 17 korrik 2019.

SHËNIME PËR AUTOREN:

Fatime Kalimashi – Hoti, (21.11.1975). U lind në Ratkoc të Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa gjimnazin në Rahovec. Që nga fëmijëria është marrë me shkrime letrare. Në Zvicër ka emigruar në vitin 1995. Jeton në Saint-Prex të Zvicrës në kantonin Vaud.

VEPRA TE BOTUARA:

– ”Shtegtime të shpirtit” – poezi, Rahovec 2009.

– ”Në universin e dashurisë” – poezi, Rahovec 2010.

– “Melodi e dhembjes”, poezi, Rahovec 2012.

– “Voyage”, poezi e zgjedhur, Rahovec 2012.

 

Shefqet Dibrani: Alkimia e mallit për atdhe si ndikim emocional

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …