Lumni Nimani “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”
Motivi i dashurisë është njëra nga shtyllat kryesore në veprën poetike të Lumni Nimanit, ky motiv shfaqet me një thellësi të veçantë dhe me një shumëllojshmëri formash të shprehjes lirike. Poezitë e vëllimit “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, shpërfaqin ndjenjën personale, dhe në anën tjetër pasqyron reflektim të përvojave më universale të nocionit dashuri – duke nis nga malli dhe nostalgjia për atdheun, e deri te dhimbja e skajshme në ciklin “me elegji”, si dhe shpresa për përjetësim lirik. Në poezinë e parë “Iliri”, poeti shprehet: “Je e vjetër;/ sa Tomorri e Shkëlzeni,/ sa Sharri e Luboteni/ dhe e dashur; si askush tjetër”, (faqe 21). Ndërsa vlerësimi im kritik ka për qëllim të analizojë disa veçori që e karakterizojnë poezinë e këtij poeti, i cili ka arritur të ndërtoj motivin e dashurisë si formë lirike, motivin e atdhedashurisë si topikë, dhe motivin e ndjenjës si asociativë e përjetimit, dhe duke u fokusuar kryeisht në simbolet figurative ai ka arritur emocionin personal ta shprehë në mënyrë brilante përmes kësaj poezie.
PËRVIJIMI ARTISTIK
“N’Drenicë, n’atë krenari shqiptare”, (faqe 25), poeti motivin epik e ndërlidh me heroizmin e gjeneratave nëpër epoka të kohës, që nga Ahmet Delia e gjerë tek Hamzë e Adem Jashari. Një përvijim sa artistik po aq epik dhe heroik, përkatësisht: “Krenarinë Kambit lart ja ngriti./ N’luftë kundër hordhisë barbare,/ Adem Jashari, Zahir Pajaziti,/ N’ballë t’Ushtrisë Çlirimtare”, (poezia KËNGA E LIRISË, faqe 25-26).
KOPSHTI I SHPIRTIT
Akoma po kërkon atë që tinëzisht iku.
Në mbrëmjen e asaj nate në mugëtirë.
Duke i lënë dhe portën e shpirtit hapur.
Në mos po rikthehet sërish me pahirë.
Në vend të mallkimit për thyerje zemre.
Ende po ja ruan të freskët atë dashuri,
që pabesisht keq atë mbrëmje ta përbuzi.
Ja ujitë me hoje shpirti me plot ëmbëlsi.
Në kopsht t’shpirtit tim të pata mbjellur.
Në fillim të kësaj pranvere o vasha ime.
Me afsh dashurie të kam mbështjellur.
Qeshu, gëzohu, mos rri në psherëtime!
Se zemërthyerit nuk i do as vet Zoti.
Mallkuar qofshin ata për jetë e mote!
Mos shiko prapa me ata sy të bukur,
por kthehu këndej shiko kah zemra jote!
- 07. 2020
Faqe 57.
Vëllimi me poezi “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, mban brenda vetes peshën e emocioneve më të thella njerëzore – dhimbjen për të birin dhe mallin dhe dashurinë që ka për atdheun, të shprehura me ndjenjë e përkushtimin, sidomos në poezitë që kanë motiv atdheun. Në poezinë “MË MUNGON”, ja si shprehet poeti: “Pritmë Atdheu im i dashur e i shtrenjtë!/ Se malli për ty më është bërë sa një mal./ Me ty të çmallem o Tokë e shenjtë./ Do nisem për rrugë sapo agimi të dal.”, pastaj ai shprehet: “T’kënaqem n’atë vend ku u linda e u rrita./ Në atë Shqypninë teme që më mungon./ Atje ku diellit n’agim i del e bardhë drita./ E shpirtin tim me ngrohtësi ma ledhaton.”, (faqe 27).
VEÇANTIA LIRIKE
Poezia “E HYJNISHMJA DASHURI”, është e llojit të vet, sidomos për strukturën estetike që ka, pastaj për vet prapashtesat përgjat tërë poezisë: “1. (‘irë): Dëlirë, pahir, ogurmirë, gdhirë; 2. (‘esh): Lulesh, puthesh, lutesh, futesh, ngutesh, ruhesh; 3. (‘on): Fton, mjalton, përqafon, dashuron, fluturon; 4. (‘olla): Shkolla, fjolla, holla; 5. (‘init): Drinit, Dukagjinit, Ulqinit, Shkumbinit, synit; 6. (‘inës): Luginës, t’kanarinës, trëndelinës, Prishtinës, tinëz; 7. (‘ane): llapjane, shkupjane, Tirane, kane, nane; 8. (‘isë): Çamërisë, Labërisë, Toskërisë, Gegnisë, Dardanisë, Shqipërisë; 9. (‘ia): djelmënia, njerëzia, dashuria, mia, zilia, Perëndia”. Pikërisht për këtë karakteristikë të sufksit, përkatësisht prapashtesave poezia në fjalë bëhet e rrallë, e mirë dhe artistike, prandaj për bukurinë që ka, po e risjell të plotë edhe këtu:
E HYJNISHMJA DASHURI
Nuk vdes kurrë,
e hyjnishmja dashuri,
sa të ketë:
Lule aromëmirë,
Të çiltër e të dëlirë,
që dashuron me pahir,
atë djaloshin ogurmirë,
që nga muzgu në të gdhirë.
Ai trandofil lulesh;
para se të puthesh,
të bën, që asaj t’i lutesh,
n’shpirt thell që t’i futesh,
të nxitosh, të mos ngutesh,
xhembash kujdes t’i ruhesh.
E që hojesh e fton.
Fjalë e saj e mjalton.
Me afsh shpirti e përqafon.
Me musht zemre e dashuron,
edhe pa krah e bën të fluturon.
Nuk vdes kurrë
e hyjnishmja dashuri,
Sa të dredhet belholla,
aromëftua e kuq si molla;
goca e çuna nëpër shkolla,
ca flokarta e ca fjolla – fjolla
Me sytë e zi e vetullat e holla.
…
Sa të ketë:
djem e vasha t’anës Drinit,
Vasha e djemë prej Dukagiinit,
e vajza të bukura prej Ulqinit,
bardh bash si vala e Shkumbinit,
që çunit ja bäjnë me bisht të synit.
E…
kur sybukura prej Luginës,
me zë t’bukur si t’kanarinës
dhe me aromë të trëndelinës,
e do atë djaloshin e Prishtinës,
e puth jo n’sy të botës – por tinëz.
E pehria t’ëmbla llapjane;
e cuca të majra shkupjane;
e çika malësore tropojane,
me goca belkëputura Tirane,
e bëhen gati për atë natë kane.
Lum ai që i ka kësmet – ai bir nane!
Me arvanitet e Çamërisë.
Me djemë burra të Labërisë,
e me shtojzovalle të Toskërisë.
Me çuna të pashëm të gegnisë,
pa harruar as të bijtë e Dardanisë,
m’ia shtojnë nurin nanë Shqipërisë.
O vajzëri e ju djelmënia,
qëkur në botë u krijua njerëzia,
atëherë lindi e hyjnishmja dashuria.
E ju dëgjoni, e mos i harroni fjalët e mia!
Se s’ka dobi as nga urrejtja dhe as nga zilia
Kush dashuron: është i bekuar nga Perëndia!
- 06. 2020
Faqe 51-53
Vetë titulli i vëllimit me poezi është një metaforë e fuqishme që përmbledh thelbin e poezisë së Lumni Nimanit. Lirikë e ndjeshme sa vetë dhimbja dhe lotët e poetit. “Ditët shpalosen një nga një,/ bëhen javë e javët bëhen muaj./ Atje do të vij se nuk duroj më, më mbyti më treti ky dhe i huaj”, (poezia FJALË E ËMBËL, faqe 29). Në anën tjetër disa nga poezitë e Lumni Nimanit janë thellësisht përjetime personale por, njëkohësisht ato përçojnë vlera universale. Po ashtu motivi i disa poezive kanë burim përvojën e mërgimit, ku dashuria për vendlindjen, ndjenja e ndarjes dhe mallëngjimi për tokën e shenjtë janë të përhershme. Tashmë ato ndjenja janë shprehur përmes vargjeve lirike. Në këtë mënyrë poeti lidh zemrën e shpërngulur me rrënjët shpirtërore, duke krijuar një urë të padukshme midis dy botëve: asaj të ikjes dhe asaj të kujtesës, përmes të të cilave ai ruan kujtimin e gjallë për kohën që tash nuk i kthehet më. “Përveç shpalosjes së kujtimeve,/ për vitet e lumtura në Dardani./ Një pellg i tërë i përjetimeve,/ seç më rinon; më bën prap fëmijë”, (poezia SHPIRT I MEKUR, faqe 32).
MOTIVET DALLUESE
Janë katër motive dalluese, që e përshkojnë poezinë e vëllimit “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”: Dashuria, kurbeti, atdheu dhe dhimbja. a) Motivi i dashurisë, manifestohet si ndjenjë e triumfit dhe, është forca që mban shpirtin gjallë dhe ndriçon muzat e brendshme të poetit është: “Ndjenjë e dashurisë,/ që moti ka mbirë aty,/ ajo n’largësi merr udhë/ e më shpjerë tek ti”, (poezia NGJYRA YLBEROSHE, fqe 50). b) Motivi i kurbetit, është plagë dhe po aq edhe sfidë, motiv ky që ndërthuret me ndjeshmëri të rrallë: “Tretmë o Zot/ nga kjo tokë e mallkueme!/ t’rroj aty,/ ku balta asht,/ ma e amel se mjalta/ e ku, krahëhap m’pret,/ e mira – flokarta./ Në Atdhe, te votra”, (poezia DY DASHNI, faqe 23-24). c) Motivi i poezive për atdheun, që është aq pranishëm, është frymëzim por edhe krenari dhe identitetit: “E kthjelltë si vala e Valbonës;/ e bardhë si vala e Drinit të Zi;/ e qetë si Llapi im i Kosovës./ Me shkrimet e para je histori”, (poezia THESAR I SHQIPES, faqe 30). d) Ndërsa Motivi i dhembjes në ciklin e fundit e shpon edhe gurin, dhimbja e poetit është e papërshkrueshme, dhe duke iu shmangur për një çast kësaj metamorfoze, poezitë janë të ngarkuara me emocione, përjetohen thell dhe mund të konsiderohen më të realizuarat brenda vëllimit, për vet faktin e mesazhit si amanet si trashëgimi e dhembjes që përqojnë. Çasje e mirë estetike dhe realizime të bukura artistike. Vëllimi “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, pa ciklin elegjiak, kushtuar të birit Vetonit – nuk do ta kishin këtë vlerë dhe këtë ndjenjë të veçantë dhe po aq përjetuese.
SHEMBJE SHPIRTI
(Tim bir – Vetonit të dashur ge iku n’amshim)
Nuk i dua më fare lulet e prillit,
as flladin e ngrohtë në pranverë.
S’dua t’ja dëgjoj më as këngën bilbilit.
Pa ty engjëlli im kjo botë është skëterrë.
Ah jetë e padrejtë sa keq më godite…!
Bash mu aty ku më së shumti dhemb.
Më more djalëbukurin fare nuk prite.
Nga dhimbja që kam shpirti m’u shemb.
Përse ishe për mua kaq e pa mëshirë?
Jeta larg Atdheut pak të dukej vallë?!
Përse më le mua kur më more tim bir?
Oh sa shumë ndjejë për të dashuri e mall…!
Shpirtin dhe zemrën në dysh mi çave
Ah mortje e shkretë ti qofsh mallkuar!
Bimën nga shpirti përjetë ma ndave,
Për mua s’lind më diell – ai ka perenduar.
Ah ti toka e shtrenjtë e Llapit tim!
Ty të përgjërohem me një porosi!
Ma ruaj djalin tim që ndërroi jetë n’mërgim!
Se është i ri, i njomë, ma mbaj but në gji!
- 09. 2022
Faqe 115.
Të jemi të sinqert, nuk e shikoj këtë motiv, vetëm si shprehje e dhembjes së poetit për të birin, por e shohë si humbje e besueshmërisë, shprehur me pezmë në vargun “Mos sprovo kështu prindërit o Perëndi”, që është një moment i trishtët, thirrje drejtuar Zotit të mos i sprovoj edhe prindërit tjerë, njëjt si poetin, dhe ky mallkim, tashmë as këtij prindi-poet nuk do t’i errësohej mëtej dritën, por dy pika loti i shkunden sa herë kthehet në vendlindje atje ku e pret varri i të birit, siç shprehet vet poeti: “Nëse nuk vi shpesh, më fal o biri im!/ Në atë tokë të shtrenjtë që në gji të mbanë./ Se jam larg nga ju në këtë t’mjerë mërgim, e ti më ndriçon si yll nga bota matanë...”, (poezia SY YLL MË NDRIÇON NGA BOTA MATANË”, faqe 119).
DHEMBJA SI TRISHTIM
Prandaj ky motiv ka një kujtesë të rënduar nga emocionet, këput shpresën për botën që e rrethon, në anën tjetër kemi një frymëzim të ndjerë e të dukshëm shpirtëror, püer të jetuar, për tu përpjekur dhe për të gjallëruar. Këto nunaca dhembjeje përbëjnë disa nga veçoritë më dalluese të këtij vargu poetik. Andaj kjo përzierje ndjenjash e bën këtë vëllim poetik sikur të ishte një udhëtim emocional përmes rrugëtimit të jetës së poetit dhe përjetimeve të tij si njeri, si prind dhe si krijues.
PA TY
Vitet ndërrohen nëpër motmote.
Por dhimbja për ty sa vjen e shtohet.
Shpirtin ma keputi mungesa jote.
Jeta pa ty është vuajtje – s’durohet…
Në këtë ditë feste të këtij dhjetori.
Kur zemrat gëzohen lumturi mbushen.
Shumë mall për ty kam unë i gjori.
O ylli im në qiell që shndrit mal e fushën.
Në vend që të festoja me ty n’përqafim.
Të ndjenim së bashku gëzim dhe dashuri.
Ti më le dhe ike nxitove për n’amshim.
Mos sprovo kështu prindërit o Perëndi!
- 12. 2022
Faqe 117.
Në këto vargje, dhimbja e poetit është e papërmbajtshme, e zhveshur nga çdo zbukurim, e stolisur me vellin e dhimbjes, prandaj prania e dhembjes bëhet një mjet për të përjetësuar kujtimin e të birit, i cili tashmë prehet në Kosovë. Elegjitë e këtij libri nuk janë vetëm përjetimi personal i poetit, ato janë dëshmi poetike e brishtësisë së jetës dhe vuajtjes njerëzore – dhimbje kjo që do t’i flet çdo prindi, çdo zemre të thyer. Me këto nunaca dhembjeje janë edhe poezitë tjera si: “Ah…”, “Lotë për ty”, “N’vend t’urimit – Lot për ty”, “Kur loti flet”, që janë poezi të dhimbshme dhe përjetuese sepse “vapa e gushtit ato lule,/ i kishte vyshkur e tharë,/ Bash ashtu, siç zemrën time dhimbja për ty…”, (faqe 123), prandaj poeti shprehet se “Edhe varret ia dua…”, Atdheut, sepse poeti-prindi, Atdheut pos tjerash ia ka falur edhe një varr, dhe aty ka të birin e vet Vetonin, i cili si Vetëtima që Veton ia ngjall babit mallëngjimin dhe ia shkund dhimbjen të cilën ai do ta bart gjerë sa të shkoj në varr.
Vëllimi poetik “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, në tërësinë e saj, është një mozaik ndjenjash, një përshkrim i thellë i shpirtit njerëzor dhe i marrëdhënies së tij me dashurinë, mallin, humbjen dhe shpresën. Vëllimi nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një dëshmi e një jete të përjetuar me ndjeshmëri të lartë dhe me një përkushtim të sinqertë ndaj së bukurës dhe së vërtetës poetike. Me “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, Lumni Nimani, na dhuron dhembjen e vet, jo vetëm vargje të bukura, por edhe një pasqyrë të shpirtit të tij – të trazuar, të ndjeshëm dhe të pasuruar me përvojë. Ky vëllim është një ftesë për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për të ndjerë gjamën e Poetit Lumni Nimani!
PËRFUNDIM
Nga analiza e poezive të Lumni Nimanit del qartë se motivi i dashurisë, motivi i mërgimit dhe ai i dhimbjes janë trajtuar me ndjeshmëri, elegancë dhe përkushtim të veçantë. Dashuria, për poetin, nuk është thjesht një përvojë personale romantike, por një ndjenjë e gjerë dhe e thellë që përfshin: Atdheun, kujtimet, hyjnoren dhe dhimbjen. Në vëllimin me poezi “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, ai arrin të krijojë një lidhje të fortë me lexuesin përmes gjuhës së pasur, figuracionit poetik dhe përshkrimeve emocionale.
Poezitë e tij shërbejnë si një reflektim mbi përvojat universale të dashurisë – të bukurën, të vështirën dhe të përjetshmen. Nëpërmjet këtyre vargjeve, lexuesi ftohet të zbulojë thellësitë e shpirtit dhe të përjetojë dashurinë në të gjitha format e saj, duke e bërë poezinë e Lumni Nimanit një burim të çmuar frymëzimi dhe meditimi.
Lumni Nimani “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “LENA Graphic”, Prishtinë 2024, faqe 128. ISBN 978-9951-29-832-2.