Shënimi i 22 vjetorit të Radios Kosova e Lirë, është mirëpritur kudo në vendin toe Lirë me rastin 22 vjetorit të themelimit

Shënimi i 22 vjetorit të Radios Kosova e Lirë, është mirëpritur kudo në vendin tonë

Shënimi i 22 vjetorit të Radios Kosova e Lirë, është mirëpritur nga dëgjuesit dhe disa nga zyrtarët e lartë të vendit. Në vazhdim po japim disa nga prononcimet e tyre:

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli përmes një shkrimi e ka kujtuar 22 vjetorin e themelimit të radios Kosova e Lirë. Ai thënë së kjo radio gjatë luftë jepte  kurajo, vullnet dhe motiv për jetë e luftë. Por Pacolli ka theksuar se ndaj këtij mediumi është bërë padrejtësi institucionale ngase kjo radio e meriton të jetë medium kombëtar. “JU FLET KOSOVA E LIRË.. Ishte zëri i ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nusret PLLANA, përmes valëve të cilave transmetoheshin ngjarjet, betejat dhe sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër hordhive serbe të cilët me të gjitha asetet njerëzore dhe arsenalin luftarak bënin kërdinë në popullatën civile dhe të pambrojtur në Kosovë! Në vend se ky medium sot dëgjohet në përmasa kombëtare, institucionet tona përgjegjëse e kanë reduktuar në mbulueshmëri lokale. Besoj të korrigjohet ky gabim mos të them ndëshkim. Uroj z. Ahmet Çeriqi dhe stafin e tij redaktues për punën dhe angazhimin që bëjnë çdo ditë për të mos e letë të shuhet ky zë i shpresës”, ka shkruar Selim Pacolli.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka kujtuar 22 vjetorin e themelimit të radios Kosova e Lirë dhe ka shkruar se kjo radio ishte zëri që buronte nga bardhësia e shpresës, që e mbushte popullin me optimizëm dhe kurajo për lirinë. “Ju flet Kosova e Lirë… Ky ishte zëri që u dëgjua me 4 janar nëpër të gjitha shtëpitë tona para 22 vitesh. Sot, shënojmë ditën e themelimit të një prej radiove më emblematike të Kosovës, Radios Kosova e Lirë. Në një kohë të trishtueshme  lufte e mes ankthesh, Radio Kosova e Lirë ishte zëri që buronte nga bardhësia e shpresës duke na mbushur me optimizëm e kurajo për lirinë. Me Kosovën e Lirë kemi qëndruar pa gjumë gjatë raportimeve për betejat e vona, kemi vuajtur rëniet e heronjve tanë, por, me Kosovën e Lirë edhe jemi gëzuar të gjithë së bashku për fitoret e mëdha që UÇK-ja shënonte nëpër fronte të ndryshme të Kosovës. Mirënjohës dhe falënderues të gjithë gazetarëve që ishin edhe luftëtarë të lirisë, por edhe të gjithë ekipit realizuese e të guximshme të Kosovës së Lirë, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të mbajtur lartë moralin e popullit të Kosovës. Mos u ndaltë asnjëherë Zëri i Kosovës së Lirë, ka shkruar ai.

Roli dhe rëndësia e Radios Kosova e Lirë është vlerësuar lartë nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në 22 vjetorin e themelimit të këtij mediumi. “22 vite më parë, në janarin e ftohtë të vitit 1999, nisën punën Radio “Kosova e Lirë”  dhe “KosovaPress”. Radio “Kosova e Lirë” dhe “KosovaPress” me raportimet e tyre u dhanë forcë e moral të gjithë luftëtarëve të UÇK-së gjatë gjithë kohës. Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjencia e lajmeve “Kosova Press” i kanë dhënë zërin meritor pushkëve të lirisë, që me zë e shkrime të njoftojnë opinionin e brendshëm e të jashtëm për luftën e drejtë e çlirimtare të popullit e ushtrisë së tij. Mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që në kushte aspak të lehta bënë të mundur të transmetojnë atë që po ndodhte ato ditë të vështira në Kosovë”, ka shkruar Limaj.

Luftëtari i lirisë, Ernest Luma, ka shkruar me këtë rast. Snajperistë të armikut, të vendosur në Sukë të Cërmjanit, e thyenin kohë pas kohe heshtjen atë pasdite janari 1999, në drejtim të konakut të familjes së nderuar Nimani, në Gërgoc të Dushkajës. “Çerqizi” i UÇK-së në atë zonë, Samiu, i “neutralizonte” krismat armike me këngën dhe humorin e tij, që nuk mungonte as në ato momente, ndërkohë që në një tranzistor dore, bashkë me komandant “Tigrin” – Fadil Nimanin dhe me shumë ushtarë të tjerë të lirisë, e pritnim edicionin e parë të lajmeve në Radion “Kosova e Lirë”, në orën 16:00. Pikërisht sot dy dekada më parë. “Ju flet Kosova e Lirë”, tingelloi përshëndetja, që na rrëqethi të gjithëve. E, pas saj, një batare automatiku nga Komandant “Tigri” dhe togu i tij i ushtarëve, në rresht. Atë natë, në Gërgoc, festuam, derisa jashtë shtrihej ngadalë terri, mbi borën e bardhë dhe lisat e borëzuar të Dushkajës tipike në dimër. Qetësinë e jashtme e thyenin vetëm lehje sporadike qensh dhe snajperët e armikut. Por, festën s’e zbehnin ato, as humorin e “Çerqizit”, e as gëzimin në sytë e “Tigrit” dhe të secilit prej nesh.

“Ju flet Kosova e Lirë”. Për herë të parë u ndjeva triumfues dhe shumë më i fuqishëm ballë atyre që e kishin pushtuar përkohësisht Sukën e Cërmjanit. Sot, u mbushën 22 vjet të Agjencisë së Lajmeve Kosovapress dhe të Radios “Kosova e Lirë”, të themeluara më 4 Janar 1999, me vendim të SHP të UÇK-së. Urime të gjithëve e, veçanërisht, atyre që ishin bartës të themelimit, ngritjes dhe zhvillimit të këtyre dy prej institucioneve të para të lirisë sonë!

Blerim Latifi në ka në kujtim të datës në të cilën u themelua radio e luftës “Kosova e Lirë”, në Malet e Berishës ka shpalosur një kujtim shumë emocional që lidhet me këtë radio. Ishte muaji maj dhe unë ndodhesha në Malet e Koshares. Safet Geci, bashkëluftëtari im, i cili kishte ardhur nga Gjermania për të luftuar në Kosovë, kishte sjellur me vete një radio të vogël me bateri. Ashtu siç ishte gjithë kohën gazmor, erdhi një ditë tek transheja ime dhe më tha: Dëgjoje këtë! Ishte zëri i Radios “Kosova e Lirë”. Valët e saj arrinin deri në majat e Koshares. Për një moment më shkuan të dridhura në trup. Kishim kaq kohë që ishim larg familjeve dhe nuk dinim asgjë se çfarë po ndodhte në Drenicën e mbërthyer nga makineria serbe e luftës.I emocionuar i thashë Safetit: Ky za po tregon se Drenica ende po mbahet! Abazi, shoku ynë nga Hasanbegu i Shkupit, i emocionuar nga këngët patriotike që Radio Kosova e Lirë po transmetonte në ato momente, morri mitrolozin tim dhe shtiu me një rafale të gjatë.

Veprimari, Isuf Ismajli, ka shkraur se Sado që mund të flasim, sado që mund të shkruajmë për Radion Kosova e Lirë është pak, është pamundur t’i themi e t’i shkruajmë të gjitha ato që duhet e ato që kjo radio meriton, sepse kjo radio është zëri i lirisë së vërtetë, është radio që është themeluar e ka vepruar në flakët e luftës heroike të UÇK – së, e cila luftoi për jetë a vdekje me bishat e tërbuara serbe, për lirinë e përcaktimet e shëndosha shqiptare të bashkimit të tërësishëm shqiptar. Radio Kosova e Lirë ka qenë dhe mbeti përherë besnike e këtyre përcaktimeve, sepse udhëhiqet nga shpirti i dëlirë i shqiptarit, ky është shpirti i vazhdimësisë së shqiptarit në shekuj, që ka gjetur vend e hapësirë të gjerë në emisionet, lajmet, në analizat e në vështrimet, në këngët e poezitë e në veprat e shumta që publikohen, dëgjohen me ëndje nga valët e kësaj radio e  paraqiten në faqen e publikimeve të shkuara të kësaj radio.

Veterani i arsimit dhe i luftës  së UÇK-së Ramadan Rizani shkruan se  4 Janari i vitit 1999, në Malet e Berishës. “Ju flet Radio Kosova e Lirë, ishte Zëri i lirisë, zëri i qëndresës, zëri i luftës çlirimtare. I vetmi institucion informativ që për hapte zërin e luftës në çdo cep të Kosovës, ishte Radio Kosova e Lirë. Ishte kënaqësi kur dëgjoja për herë të parë,” Zëri I lirisë”edhe” Radio i Agjencisë Kosova Pres”. Kishte fituar besimin mediatik tek, populli I Kosovës, ishte kënaqësi dhe stimulim I veçantë për të luftuar shantazhet dhe kurthet serbo vrastare ndaj Kosovës. Radio Kosova e Lirë, ishte si lokomotivë që në lëvizje trenin vetiak dhe pjesë tjera përcjellëse, që thotë të vërtetën në ngjarjet që zhvillohen gjatë luftës çlirimtare dhe asaj barbare serboçetnike.

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …