Shënohet 12 Qershori-Dita e Çlirimit të Ferizajt

Ferizajasit me një sërë manifestimesh kanë shënuar 22-vjetorin e çlirimit, duke e kthyer kujtesën në këtë ditë që shënoi fillimin e një epoke të re në liri. Kreu i pushtetit lokal, përfaqësues e anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të Dëshmorëve të Kombit, deputetë, nxënës, qytetarë e të tjerë janë përkulur para shtatoreve të Dëshmorëve të Kombit, ndërsa ceremonia e përvitshme e vendosjes së kurorave me lule, në nderim të gjakut të derdhur për liri është zhvilluar në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj. Përpos kësaj, në fshatin Greme është përuruar Obelisku”Maja e lirisë”, kushtuar dëshmorëve të fshatit Greme. Me një fjalë rasti të pranishmëve i është drejtuar, Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili këtë ditë e ka quajtur tejet të rëndësishme. “Sot shënojmë një ngjarje të veçantë në një ditë të veçantë. Një përvjetor të lavdishëm. Një datë që ndërroi epokat për shqiptarët. Është 12 Qershori, dita e lavdisë e triumfit të luftës sonë çlirimtare, këtu e 22 vite më parë, Dita e Çlirimit, lirisë që erdhi me aq shumë sakrifica brezash e pafund gjak dëshmorësh e martirësh. Është dita kur rrezet e lirisë ngrohën Kosovën tonë, është data kur mori frymë lirshëm çdo shqiptarë nga kthetrat e pushtuesve shekullor. Është kaq peshëplotë kjo datë, në faqet e historisë së vuajtjes e sakrificës për lirinë e Kosovës. Natyrshëm, pa asnjë dyshim, gjithë çfarë gëzojmë sot, liria, ka prapa një histori. Ka historinë e bijve e bijave më të ndritura të kombit, luftëtarëve të lirisë, ka lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka në trupin e saj, njollat e robërisë shekullore, ka plagët e thella e gjakun e dëshmorëve e martirëve”, ka thënë Kryetari Aliu. Ai tutje është shprehur se të tillë ishin edhe bijtë e ndritur të Gremes, si dhe dëshmorët tjerë nga gjithë Ferizaj e Kosova. Të tillë ishin dëshmorët Avdylselam Ahmeti, Enver Topalli, Sali Berisha, Agim Matoshi e Ismet Aliu. “Ata i përjetësoi vepra e tyre, sakrifica sublime për atdhe. Sot, po përjetojmë lavdinë e luftës për liri edhe përmes këtij obelisku që meritueshëm emërtohet “Maja e Lirisë”Ata ishin vërtet maja e lirisë, njohën majën e atdhedashurisë e sakrificës, asgjë nuk i trembte djemtë e Gremes, vdekja ishte fare e parëndësishme përkundrejt synimit, sypatrembur të luftëtarëve të lirisë. Avdylselami, Enveri, Saliu, Agimi dhe Ismeti dhe të gjithë Dëshmorët e Kombit e të rënët përgjatë gjithë epokave, janë sot sytë në qiellin e lirë të Kosovës. Mishërojnë ngjyrën, fuqinë, lavdinë dhe emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lirinë që e ëndërruan ata po e gëzojnë bijtë e bijat e tyre, familjet e tyre, familjet krenare e respektplota të Dëshmorëve të Kombit. Po e gëzon Kosova, mundin e tyre. Populli shqiptarë, tok së bashku kundër armikut, lindi Ushtrinë e Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, që sot në këtë përvjetor dhe sa të ketë breza pas nesh, do ta kujtojnë e lartësojnë krenarinë tonë kombëtare. Sot, në këtë Ditë Çlirimi, jemi edhe të mërzitur. Jemi të mërzitur për më të dashurit që nuk i kemi, jemi të mërzitur që këtu, nuk i kemi krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët padrejtësisht po mbahen për gjykim në Hagë. Kjo padrejtësi, kjo marrëzi ndaj luftës çlirimtare duhet të marr fund sa më parë, Kosova e shqiptarët nuk meritojnë gjykimin e lirisë së tyre. E pa me të voglin dyshim, që edhe në këtë betejë për lirinë e Kosovës, ata do të dalin triumfues, siç ishte lufta e drejtë e UÇK-së, siç është e vërteta jonë historike”, tha Aliu. Numri një i qytetit të Ferizajt Agim Aliu, tutje është shprehur se Obelisku i gurtë i lirisë, është personaliteti i gurtë, i pathyeshëm i brezave që sakrifikuan gjithçka për lirinë. “Flamuri i zemrës sonë ka ngjyrën e kuqe, ka ngjyrën e gjakut të dëshmorëve, gjersa yjet në flamurin e Kosovës, janë yjet e rinisë që dhanë jetën për lirinë. Ata janë kudo mes nesh, në emra sheshesh, rrugësh, shkollash, vepra mësimore, në tituj nderi e kudo ku krenaria kombëtare shpaloset triumfuese. Ata janë me ne, e do të jenë me ne, sa të ketë frymë shqiptari mbi tokë. E ju familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe të gjithë ne, jemi krenarë, që rritëm shtatin ndër këto legjenda, ndër Dëshmorët e Kombit, ndër veprat e tyre që flasin kumbueshëm kudo në faqet e historisë. Obelisku sot është dhuratë. Dhuratë për të rinjtë e brezat që vijnë pas nesh. Simbol se dikur të parët mbrojtën me gjak vatrën stërgjyshore. Dëshmi se këmba e okupatorit, asnjëherë nuk mundi të zë vend, sa pati djem e vasha trima e trimëresha, dalzotës të truallit të të parëve”, tha Kryetari Aliu. Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj. Me një fjalë rasti të pranishmëve i është drejtuar edhe Imri Ilazi nga Zona Operative e Nerodimës. Për sakrificën e këtyre dëshmorëve ka folur edhe Sali Aliu, si dhe përfaqësues të shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Ferizaj. Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo-artistik kushtuar dëshmorëve të kombit.

Fotografia e Komuna e Ferizajt

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …