leoni

Shënohet përvjetori i 18-të i themelimit të Kazermës së parë të UÇK-sënë komunën e Shtimes

Me rastin e përvjetorit të 18-të të themelimit të Kazermës së Parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në fshatin Pjetërshticë, u shënua kjo ditë historike për trevën e Shtimes e më gjerë. Fjalën hyrëse në këtë manifestim e mbajti, kryetari i Nëndegës së Veteranëve të UÇK-së të fshatit Pjetërshticë, z. Agim Dugolli, i cili fillimisht përshëndeti të gjithë të pranishmit. “Sot është festë për të gjithë, prandaj ne jemi bashkuar këtu të gjithë, sepse kjo kazermë ishte e gjithë neve dhe kontributi i luftëtarëve të lirisë ishte për lirinë e të gjithë qytetarëve. Në këtë shtëpi të vëllezërve Amrushi ishte kazerma e parë e Batalionit “Ruzhdi Salihu”, komandanti i së cilës ishte Ramiz Qeriqi – komandant Luani. Kjo shtëpi gjatë gjithë luftës, që nga fillimi e deri në përfundimin e saj ishte kazermë dhe në funksion të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Dugolli.

Ndërkaq, z. Latif Musolli, ish-kryetar i OVL-së në Pjetërshticë, foli për historikun e kazermës së UÇK-së në fshatin Pjetërshticë, i cili tha se: “Kjo shtëpi e pronarit Osman Amrushi, që nga vitet e 90-ta ishte bazë e grupit gueril. Sot, po bëhen 18 vite në Pjetërshticë që nga Njësiti i UÇK-së të udhëhequr nga Ramiz Qeriqi, komandant Luani, i cili me bashkëluftëtarët e tij themeloi kazermën e parë ushtarake të Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu” dhe i doli përballë forcave ushtarake dhe policore serbe më 14 qershor me aksionet e para nga ushtarët e këtij njësiti. Aksionet e para u morën në Grykën e Carralevës. Merita të mëdha kishte komandant Luani me njësitin e përgatitur, ku ju shkaktoi dëme të mëdha forcave të armikut. Në këtë kazermë, çdo mëngjes ngrihej flamuri kombëtar, këtu u dha betimi, këtu ishte qendra stërvitore e pjesës rezervë të UÇK-së, në shkollë ishte spitali ushtarak pastaj kaloi në Grykën e Krojmirit dhe një skuadër në Pjetërshticë. Në kuadër të Batalionit të Dytë, funksiononte edhe sektori i logjistikës, ishin të aktivizuar dy mullinj në Grykën e Pjetërshticës dhe të Krojmirit. Batalioni ynë në fillim nuk kishte emër. Ishte marrë vendim që ushtari i parë që bie dëshmor të pagëzohet me emrin e tij. Dëshmori i parë në komunën e Shtimes është Ruzhdi Salihu, atëherë pas rënies së tij batalioni ynë merr emrin e dëshmorit Ruzhdi Salihu. Për vendosjen e kësaj pllake, ku nuk jemi tubuar rastësisht, iniciativa e parë ishte nga Ramiz Qeriqi, komandant Luani dhe Latif Musolli, pastaj është themeluar Këshilli Organizativ dhe është bërë vendosja e pllakës. Gjatë kësaj periudhe kohore, Kryesia e OVL-së në Pjetërshticë ka ngritur dy pllaka, për dëshmorin Azem Kastrati dhe Besim Sopaj. Nga ky batalion shumë djem u rreshtuan për t’u armatosur dhe shkuan në Shqipëri. Me 14 dhjetor të vitit 1998 gjatë rikthimit, bie në pritë nga forcat serbe, në kufirin më të rrezikshëm Kosovë-Shqipëri, ku ranë 42 dëshmorë, ndërsa prej batalionit “Ruzhdi Salihu” ishin 12. Po ashtu themelues i kësaj kazerme ishte edhe dëshmori i UÇK-së Rrahman Tafa”, tha Latif Musolli

Në vazhdim fjalën e mori kryetari I komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, i cili pasi përshëndeti të pranishmit tha: “Jemi këtu bashkërisht të përkujtojmë një ditë të rëndësishme, Ditën e Shtabit të UÇK-së në Pjetërshticë, i cili u formua më 5 maj të vitit 1998 dhe deri në mbarim të luftës, ishte një ndër pikat më të fuqishme, më të konsoliduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E them këtë duke pas parasysh se ky shtab nuk ishte i vetmuar dhe nuk ishte i braktisur nga qytetarët, secila shtëpi ishte në mbështetje të fuqishme dhe inkurajim dhe nuk kursenin asgjë, edhe pse ishim afër dhe shpesh atakoheshim nga granatat. E them i konsoliduar sepse në këtë pikë kishte rend ushtarak, ishin dhomat që ju përkisnin ushtarëve, ishte kuzhina në funksion të tyre, ishte pjesa e furrës së bukës që gatuante jo vetëm për ushtarët, por edhe për Shtabin Përgjithshëm e më shumë. Prandaj edhe është si pikë e veçantë. Për këtë janë meritorë në radhë të parë ushtarët, në krye me komandantin Ramiz Qeriqi-Luani, por njëkohësisht janë shumë me vlerë dhe kontribut qytetarët e Pjetërshticës. Kemi ndjenja dhembje për dëshmorët e rënë të UÇK-se, por krenar që përjetuam Luftën e UÇK-së, luftë kjo që përfundoi me çlirimin e popullit dhe shtetit të Republikës së Kosovës, i cili po ndërtohet mbi bazën e gjakut të Dëshmorëve të UÇK-së dhe qëndresa e shtetit të Kosovës do të jetë e forte”, tha kryetari Ismajli. Në fund kryetari Ismajli para të pranishmëve tha se në bashkëpunim me Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së kanë marrë vendim që dy pikat simbolike, dy shtabet muze të UÇK-së, në Pjetërshticë dhe Rancë do të jenë të shpallura me vendim të veçantë, në fund të muajit maj të këtij viti. Ai përgëzoi të pranishmit për organizimin.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti uron besimtarët ortodoks me rastin e festës së Pashkëve

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka uruar besimtarët ortodoks me rastin e festës …