Sheradin Berisha: Kur Thaçi dhe SHP i UÇK-së akuzonin Bujar Bukoshin për keqpërdorim dhe krime

Këto ditë opinioni publik ka mësuar se, Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i qeverisë së Kosovës në exil, është njëri nga kandidatët e mundshëm për ambasador të Republikës së Kosovës, dhe kjo fushë e diplomacisë është në kompetencë të ministrisë së punëve të jashtme që drejtohet nga Hashim Thaçi, ministër dhe zv.kryeministër në qeverinë aktuale. Bujar Bukoshi një kohë ishte ministër i shëndetësisë, ndërsa në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që u mbajt më 22 shkurt 2011, kur u votua qeveria e re ne krye me Hashim Thaçin, njëri nga zëvendëskryeministrat e kabinetit ‘Thaçi – 2’ ishte edhe Bujar Bukoshi, si lider i “listës Ibrahim Rugova”. (Atë ditë Behgjet Pacolli, lideri i AKR’së – me vota të manipuluar u zgjodh President i Republikës së Kosovës!). Të gjitha këto i vura në pah për të argumentuar faktin se, Hashim Thaçi dhe Bujar Bukoshi, si dy figura kryesore të “armiqsuar” dhe të “përqarë” gjatë luftës (1998-1999), pas luftës, gjegjësisht pas shpalljes së pavarësisë, u bën miq dhe partnerë politik e institucional në ekzekutivin e Kosovës!

 

Dihet mirëfilli se, Bujar Bukoshi nga tetori i vitit 1991 e gjer në përfundim të luftës, (qershor 1999), ishte “Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës në Exil”, ndërsa Hashim Thaçi gjatë luftës mbante pozitën e “Shefit të Drejtorisë Politike pranë SHP të UҪK-së”.

 

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (SHP i UÇK’së) përmes komunikatave dhe deklaratave të lëshuar gjatë vitit 1998 – 99, shumëherë i ka bërë thirrje Bujar Bukoshit, ish Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës me seli në Ulmë të Gjermanisë, që ta ndihmojë financiarisht luftën e UÇK’së dhe paratë e grumbulluar në fondin e qeverisë së tij (fondin e 3%’shit) t’i derdh në Fondin e UÇK’së “Vendlindja Thërret”. Më 17 janar 1999 (vetëm dy ditë pas vrasjes së 45 civilëve shqiptar të paarmatosur në fshatin Reçak të Shtimjes) z.Bukoshi, në programin satelitor të Televizionit Shqiptar (TVSH) ka deklaruar se për nevojat e luftës ka shpenzuar 60 milionë marka gjermane. Ndërkohë i menjëheshëm ka qenë reagimi i Hashim Thaçit, ish’Shefit të Drejtorisë Politike pranë SHP të UÇK’së. Z.Thaçi në një deklaratë të lëshuar për opinion (më 18 janar 1999) deklarimet e Bujar Bukoshit i ka cilësuar “mjaftë irituese, tendencioze e fyese për realitetin kosovarë”. “SHP i UÇK-së nuk ka njohuri për mjetet e mbledhura në emër të luftës, se në ç´drejtime janë dedikuar” – ka thënë Hashim Thaçi, dhe prandaj ka kërkuar nga Bukoshi që “të qartësoj para popullit dhe bashkatdhetarëve të nderuar …, ku janë ato mjete dhe për çka shfrytëzohen”. Ndërkaq “fton bashkatdhetarët që…, për kontributet e tyre financiare që mbahen të bllokuara t’u bëjnë presion ‘institucionalistëve’ që ato të derdhen në fondin e UÇK-së ‘Vendlindja Thërret’.” Me këtë rast Hashim Thaçi ia kujton Bujar Bukoshit se, “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ka të dhëna të sigurta që janë keqpërdorur rreth 100 milion DM nga ju dhe suita që ju rrethon;” dhe se me këto mjete “vazhdoni të financoni vëllavrasjen”.

 

Për më tepër Hashim Thaçi, sipas të dhënave të ‘Shërbimit Informativ të UÇK-së’, Bukoshin e akuzon se e ka financuar ‘Ministrinë e Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme 1991-1993″ dhe mëpastaj i ka denoncuar; se ka gisht në arrestimet e ‘veprimtarëve të LPK-së dhe LKÇK-së’ në vitin 1993; se financon ‘organizimet mercenare të FARK-ut dhe…Ministrinë e Brendshme’; se ka “financuar në vrasjen dhe tentim vrasjet e komandantëve të UÇK-së”; se “dosja juaj flet për planet tuaja për likuidimin e SHP të Përgjithshem të UÇK-së, dhe disa personaliteteve eminente të skenës kosovare”, e të tjera.

 

Në vazhdim lexoni të plotë deklaratën e ish’shefit të Drejtorisë Politike pranë SHP të UÇK-së, z.Hashim Thaçi:

 

DEKLARATË PËR OPINION

 

Populli i Kosovës nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke kaluar periudhën më të rëndë të luftës për liri, pavarësi e prosperitet demokratik. UÇK ka mbledhur rreth vetes bijtë dhe bijat më të çmueshme të Kosovës, që çdo ditë përballen me luftime dhe fitore të reja. Rreth programit politiko-ushtarak të UÇK-së janë pozicionuar subjekte politike e jo politike shoqata, intelektualë me influencë në skenën kosovare e më gjerë. Rreth UÇK-së është mbledhur ndërgjegjsia kombëtare. SHP i UÇK-së është në procesin e konkretizimit për krijimin e institucioneve të Kosovës. Fillimi i 1999 shënon fillimin e punës së Agjencisë Informative Shtetërore „Kosovapress“ dhe radios „Kosova e lirë“ si dhe punën këmbëngulëse në krijimin e organeve legjislative dhe ekzekutive (Asamblenë dhe Qerverinë e Kosovës). Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, është duke punuar sistematikisht në drejtim të integrimit të UÇK-së në mekanizmat politike – ekonomike, paktin verio-atlantik, partneritet për paqe e pastaj në NATO si garancë më e fuqishme për siguri e stabilitet kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Popull shqiptar!

 

UÇK është duke zhvilluar luftë pothuaj të përgjithshme kundër pushtuesit serb i cili është duke i përdorur format më barbare që mund t´i shfrytëzoi një pushtues kundër një populli që zhvillon luftë çlirimtare. Nga zhgënjimi për humbjet e mëdha në front që pësoi ushtria serbe nga trupat tona, ata si edhe më parë kanë kaluar në aksione vrasëse shfrenuese, terroriste kundër popullsisë civile shqiptare (rasti i fundit masakra në fshatin Reçak). Në kohën kur UÇK ndan dhëmbjen dhe pikëllimin me të afërmit e të të vrarëve dhe popullin në përgjithsi, dalin deklarata të papërgjegjshme nga disa zëra që në emër të kësaj ngjarje dhe nga frika e afrimit të potencialit ushtarak të Kosovës, mundohet t´i mbulojnë veprimet e tyre kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Deklarimet e fundit të “qeverisë” Bukoshi janë mjaftë irituese, tendencioze e fyese për realitetin kosovare më gjerë të përcjellura me të pavërteta, shantazhe deri në kërcënime. – Qeveria Bukoshi nuk ka njohur dhe ndihmuar me përgjegjësi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

 

– SHP i UÇK-së nuk ka njohuri për mjetet e mbledhura në emër të luftës, se në ç´drejtime janë dedikuar.

 

– Shtabi i përgjithshëm UÇK-së, fton bashkatdhetarët që të mos bien në grackat e konstruktuara nga ‘institucionalistët’, kurse për kontributet e tyre financiare që mbahen të bllokuara t’u bëjnë presion „institucionalistëve“ që ato të derdhen në fondin e UÇK-së ‘Vendlindja thërret’.

 

– Bukoshi duhet të qartësoj para popullit dhe bashkatdhetarëve të nderuar që nuk kursyen e nuk po kursejnë edhe kafshatën e gojës ta ndajnë për UÇK-në, ku janë ato mjete dhe për çka shfrytëzohen.

 

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ka të dhëna të sigurta që janë keqpërdorur rreth 100 milion DM nga ju dhe suita që ju rrethon; (60 milion më në fund i pranuat se janë shpenzuar, 10 milion dollarë vetëm në emër të një kontrate të dështuar) në „shërbim të popullit“. Ju nga këto mjete financuat dhe vazhdoni të financoni vëllavrasjen.

 

Shtytja për veprim të të ashtuquajturit FARK dhe ministrisë së punëve të brendëshme nuk janë asgjë tjetër veçse organizime mercenare të ndihmuara dhe të financuara nga ju.

 

Të dhënat e Shërbimit Informativ të UÇK-së rezultojnë se;

 

– ju keni mbështetur e financuar organizimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme 1991-1993, e pastaj i denoncuat kujto veprimet minuese në Kroaci. Ju keni gisht në arrestimet e vitit 1993, ndaj veprimtarëve të LPK-së dhe LKÇK-së.

 

– Ju keni gisht në ngjarjen e turpshme të Tiranës në verë 1994.

 

– Ju mbështeteni dhe financoni organizimet mercenare të FARK-ut dhe tash së fundi Ministrinë e Brendshme.

 

– Ju keni financuar në vrasjen dhe tentim vrasjet e komandantëve të UÇK-së, dosja juaj flet për planet tuaja për likuidimin e SHP të Përgjithshem të UÇK-së, dhe disa personaliteteve eminente të skenës kosovare.

 

– Popullit duhet t´i tregohet se ç´rezultate pati puna e FARK-ut, kur ju organizuat shpërnguljen e 20 mijë shqiptarëve nga Dukagjini, pastaj tentim shpërngulja nën inspirimin e farkistëve në Suharekë?!

 

– Pse tentoni të përsëritni veprimet farkiste në Suharekë?!

 

– Ju keni mbështetur e financuar tentim grushtetin në Shqipëri,

 

– ju edhe tash punoni në drejtim të destabilizimit të instutitucioneve të shtetit shqiptar.

 

– Pse keni frikë dhe pengoni afrimin e potencialit ushtarak kombëtar të Kosovës, rreth UÇK-së.

 

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së do të punojë në drejtim të afrimit të të gjithë potencialit politik e ushtarak të Kosovës, dhe këtë do ta arrijë.

 

Ftojmë të hamendurit që të ndërgjegjësohen dhe të largohen nga veprimet esadiste “qerveritare”.

 

Prishtinë, 18. 01. 1999  Hashim Thaçi Udhëheqës i Drejtorisë Politike pranë SHP të UÇK-së

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Vetëvendosja në pushtet po refuzon të hetohet për skandalet që ka bërë

Deputeti i LDK-së, Arben Gsshi ka thënë se Vetëvendosja  në pushtet po refuzon të hetohet …