Shkrimtari dhe diplomati i Shqipërisë, Laun Rama ka kërkuar nga Greqia që t’i kërkoi falje kombit shqiptar për krimet e bëra në Çamëri. Ai ka shkruar më tutje se arkivat shqiptare, greke, britanike, të OKB-së etj, ruajnë fotografi dhe dëshmi të atyre që i shpëtuan kosës së urrejtjes dhe barbarisë së kolonel Zervës etj. “Do duhet të ngremë zërin e fuqishëm përsëri, siç bëri shkrimtari Emile Zola me artikullin e tij të famshëm “J’accuse!”, “Akuzoj”, një pamflet që tronditi politikën franceze në fillim të shekullit XX për të mbrojtur dinjitetin e një njeriu, të një hebreu të pafajshëm, kapitenit Alfred Drejfus ashtu si më pas gazetari i famshëm Albert Londres që denoncoi kampet barbare të punës së detyruar në Guajanën franceze. Por sot unë ju akuzoj juve si kryetar i qeverisë greke, presidentin e Republikës së Greqisë dhe Parlamentin grek që gjatë 80 vjetëve shteti grek ka heshtur për masakrat e ushtrisë greke në Çamëri në vitet 1944-1945. Ata jo vetëm kanë heshtur, por kanë bërë ç’është e mundur që çështja çame të mos përmendet, të heshtet, të harrohet dhe të mos flitet më kurrë për afro 3000 shqiptarët e pafajshëm të Çamërisë që u prenë dhe u vranë vetëm pse ishin çamë muslimanë, duke e spastruar kështu Epirin nga popullsia çame dhe duke i shpërngulur me dhunë dhe me forcën e armëve nga shtëpitë dhe tokat e tyre si banorë shumë shekullorë që ishin” thuhet në mes tjerash në letrën e hapur të diplomatit dhe shkrimtarit të Shqipërisë, Luan Rama drejtuar qeverisë së Greqisë.
