Nestrete Kumnova

Shoqata “Thirrjet e Nënave” i ka drejtuar një letër të hapur proteste emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak

I nderuari z. Lajçak,

Shoqata “Thirrjet e Nënave”, e udhëhequr nga unë Nesrete Kumnova nga Gjakova, ju dërgojmë këtë letër të hapur për faktin se ju jeni treguar shpërfillës ndaj vuajtjeve tona, duke na shtuar edhe më tej dhembjen për bijtë dhe bijat e tona të pagjetura e që cilësohen ende si pengje të Serbisë.

Z. Lajçak,

Edhe pak muaj behën 21 vjet prej ditës kur biri im Albioni, u rrëmbye dhe zhduk nga duart kriminale të ushtrisë dhe policisë serbe. Ai u rrëmbye e u zhduk bashkë me nipin tim Artanin, dhëndrin Gëzimin, fqinjët, Lutfiun, e Bekimin dhe Shkëlzenin. Unë dhe shoqata që e drejtoj, bashkë më familjet tona, kemi mbi dy dekada që i kërkojmë, shumë nga ne ende nuk e kemi një varr ku të dërgojmë lule për fëmijët tanë.

Ditën kur e rrëmbyen dhe e zhduken djalin tim, ai ishte shumë i ri, vetëm 22 vjeçar, “krimin” e vetëm që e kishte kryer ishte se fliste një gjuhë tjetër nga e rrëmbyesve të tij dhe i takonte një kombësie tjetër. Ato ditë serbët kishin bërë gjenocid të vërtetë në qytetin tonë, vranë me mijëra civil të pafajshëm, përfshirë foshnje dhe gra shtatzëna. Të tjerët që nuk i vranë i çuan në burgjet e Serbisë, ndërsa qytetin e Gjakovës pothuajse e dogjën të tërin. Njëjtë vepruan kudo në Kosovë. Sot mbi 1 600 persona vazhdojnë të jetë të zhdukur, nga mbi 6 000 sa ishin të evidentuar.

Z. Lajçak,

U nxita t’ju shkruaj meqë edhe së fundmi lexuam që shqetësoheni për lëvizjen e lirë të politikanëve serb që ndjehen krenar për varrezat masive në territorin e Serbisë.
U nxita t’ju shkruaj e t’ju lutemi e t’ju kërkojmë të flisni edhe për ne, edhe për fëmijët tanë, t’ju kërkoj respektimin e një të drejte elementare, të drejtën për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm.

Së fundmi lexuam që kërkuat që Vuçiqi të defiloj lirshëm nëpër Kosovë përkundër faktit se i njëjti, para pak ditësh e kërcënoi më luftë të re Kosovën, edhe pse e dinte që trupat e viktimave kosovare të luftës së fundit, Ministër i Propagandës së cilës ishte vetë Vuciqi, po zhvarrosen pikërisht këto ditë nga miniera e Kizhevakut në Rashkë të Serbisë.

Z. Lajçak,

Si një person që përfaqësoni Bashkimin Evropian, do të ishte e udhës që të flisni edhe për ne, për fëmijët tanë që nuk na i ktheu Serbia. Flisni e veproni e shkruani edhe në letrat tuaja përmes të cilave kujdesni për lirinë e lëvizjes së politikanëve. Kujtohuni edhe për ne, të paktën shprehni një ngushëllim për trupat e viktimave që po zhvarrosen nga varreza masive në Serbi.

Ata që po zhvarrosen këto ditë nga varrezat masive në Serbi janë bashkëqytetarët tanë, janë fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat tona, ata kanë ekzistuar dhe jetuar me ne, kanë ëndërruar lirinë dhe kanë besuar në parimet evropiane si dhe vlerat e saj të dinjitetit të njeriut, lirisë, demokracisë, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Para se të merrnit mundin që të kërkoni lejimin e kthimit të Vuçiqit në vendin e krimit të bashkëkombësve të tij, ju z. Lajçak, do të duheshit ta dënonit kërcënimin e Daçiqit ndaj atyre që e tregojnë vendndodhjen e varrezave masive në Serbi. Viktimat kosovare prisnin nga ju që ta dënonit gjuhën kërcënuese, raciste, ksenofobe të Vulinit ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ne prisnim nga ju ta dënoni kërcënimin me luftë të Vuçiqit ndaj Kosovës, kërcënimet deklarative dhe me armatosjen e çdoditshme nga Rusia. Deklaratat e tyre provokuese dhe rënduese nga Batajnica, nga zona ushtarake ku janë gjetur dhe zhvarrosur më shumë se 700 familjarë tanë. Këto deklarata nuk e di sesi iu janë interpretuar Ju, në Bruksel, por ne na kanë hapur plagët e pashëruara, po na e rëndojnë jetën edhe ashtu të rëndë.

Z. Lajçak,

Flisni , mendoni, veproni edhe për ne. E më së shumti presim nga ju që të kërkoni nga Vuçiq ti hapë arkivat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, sepse aty është e vërteta për vendndodhjen e familjarëve tanë. Ai si ish-ministër i Kasapit të Ballkanit e di shumë mirë, që ankthi ynë për më të dashurit tonë përfundon me një urdhër të tij, për publikimin e dosjeve të gjenocidit serb që i mban në sirtarë.
Detyrojeni Serbinë të na i kthejë më të dashurit tanë.

Z. Lajçak,
Dhembja për mungesën e njerëzve tonë na mban në pritje dhe shpresë, ju në vend se të kërkoni ndriçim të së vërtetës për fëmijët tanë, po kërkoni që ata të defilojnë, manifestojnë dhe të na fyejnë, pikërisht nga vendi i krimit.

Kjo nuk ka të bëjë asgjë me vlerat evropiane z. Lajçak, kjo nuk ka të bëjë asgjë me humanizmin, ju po i dilni në krah të keqes, në vend që ta luanit rolin e paqësorit, që kërkon që drejtësia të vihet në vend dhe të prehen zemrat e shumë nënave, baballarëve, bashkëshortëve dhe fëmijëve, të cilët në ankth për më shumë se dy dekada po presin lajmin për më të dashurit e tyre.

Ju z. Lajçak duhet t’i bëni thirrje Vuçiqit që të kërkoj falje për gjenocidin, të pranojë përgjegjësinë në emër të Serbisë, të paguaj për dëmet e luftës dhe ti çoj kryerësit e gjenocidit para drejtësisë. Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare, dhe ju lutemi bëjeni këtë për familjarët tanë, për të gjithë ata që na mungojnë, bëjeni edhe për ne që edhe jetën nuk jemi duke e jetuar.

Me shpërfilljen tuaj, i nderuar z. Lajçak, na keni fyer rënd!

 

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …