Na mungon shumë idhulli, babai ynë i shtrenjtë, Tefik Ruçi!
26 vjet ndarë nga jeta
Veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare;
Kuadër profesionist e i përkushtuar;
Besnik i idealeve komuniste;
Ushtarak brilant karriere;
Me një formim të përgjithshëm të shkëlqyer, ideopolitik dhe profesional;
I apasionuar dhe i përkushtuar ndaj Ushtrisë Popullore, për 40 vjet me radhë.
Shërbeu kudo dhe në çdo skaj të vendit, aty ku e kërkonin interesat e popullit dhe të atdheut.
Jeta e tij ishte e gjallë, dinamike dhe plot humanizëm.
Babai ynë u nda shumë shpejt nga jeta, në moshën 72-vjeçare, si rezultat i emocioneve që përjetoi në tokën shqiptare të Kosovës, që i shkaktuan atak në zemër — më 8 tetor të vitit 1999, në Vojnik të Drenicës së Kosovës.
Vdekja e Tefikut nuk ishte rastësi.
Ajo përkon, si koinçidencë, me përvjetorin e rënies së dëshmorit të Kosovës, Abedin Rexha (Sandokani), siç e thërrisnin shokët; ku Tefiku ishte nisur për të bërë homazhe.
Ajo përkon edhe me pjesëmarrjen e tij, me armë në dorë, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e tokave shqiptare në Kosovë e më tej;
në ato toka martire të Kosovës ku kishin rënë dëshmorë shumë trima luftëtarë kundër shovinëve serbë.
Aty ku nuk e mori plumbi, si koinçidencë e mori vdekja —
duke u bërë pjesë e të gjithë luftëtarëve që kishin rënë për atdhe, për liri dhe pavarësi.
Vdiq në tokën amtare shqiptare, për të cilën aq shumë kishte luftuar e punuar, dhe aq shumë e donte.
Siç shprehej ai në librin e kujtimeve të tij:
“Do të vdes në mes shokëve të mi komunistë;
Do të vdes në këmbë si ushtarak;
Që me trupin tim do të mbuloj një pjesë të tokës time amtare shqiptare.”
Në të vërtetë, ashtu siç kishte menduar dhe dëshiruar — ashtu edhe vdiq.
Sepse ëndrra dhe dëshira e babait ishte ta shihte Kosovën e lirë;
dhe, para se të vdiste, ëndrra e tij u bë realitet.
Vdiq për të mbetur i gjallë gjithnjë tek ne —
i gjallë me kujtimet dhe kontributin e tij të paçmuar në shërbim të popullit dhe atdheut tonë të dashur.
E si mund të vdiste ndryshe Tefik Ruçi?!
Që gjithë jetën pati një moto:
“Atdhedashurinë, ndershmërinë dhe mirësinë.”
Kështu do të shprehej shoku i tij i ngushtë në kontributin për mbrojtjen e atdheut, shoku Veli Llakaj, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore të lavdishme enveriane, në shkrimin e tij me titull:
“Komandanti dhe edukatori im i parë”,
botuar në librin e hapur për Tefik Ruçin me titull:
“Komandanti, atdhetari, njeriu…”
Jeta e babait tonë është si një “film serial”, siç shprehet ai në kujtimet e tij në librin
“Ushtar i Partisë dhe i Popullit deri në vdekje.”
Na edukoi neve, fëmijëve, nipave dhe mbesave të tij me dashurinë për popullin dhe atdheun.
Për këtë, ne — fëmijët, nipat dhe mbesat e tij — jemi krenarë dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës babait tonë të shtrenjtë për kontributin e tij në shërbim të popullit dhe atdheut tonë të dashur.
U prehsh në paqe, babai ynë i shtrenjtë!