Në një artikull të publikuar së fundmi në të përditshmen prestigjioze amerikane The Washington Post, gazetarja Natalie B. Compton shkruan për sfidat që po përballen turistët amerikanë këtë verë për shkak të rritjes së kostove të udhëtimeve. Sipas artikullit, shumë qytetarë po rishikojnë planet e tyre të pushimeve, duke kërkuar alternativa më ekonomike në Evropë. Ekspertja e planifikimit të udhëtimeve, Melanie Rodriguez, tregon se një numër i madh klientësh kanë anuluar udhëtimet për shkak të kufizimeve buxhetore. Por, siç shton ajo, Evropa ende ofron destinacione të bukura dhe të përballueshme. Në mesin e pesë vendeve evropiane të rekomanduara nga ekspertët e udhëtimeve – përveç Polonisë, Bullgarisë, Sllovenisë dhe Gjermanisë – spikat Shqipëria, si një perlë ende e pazbuluar nga turizmi masiv. Për një atmosferë të ngjashme me Kroacinë, Italinë apo Greqinë, pushimet në Shqipëri janë ideale. Çmimi mesatar për një dhomë dyshe është rreth 96 dollarë nata, thekson Rodriguez. Ajo shton se një javë e plotë pushimi në Shqipëri mund të kushtojë më pak se 2,000 dollarë për person. Vizitorët mund të shijojnë plazhet me ujëra të kristalta, kuzhinën mesdhetare, qytetet e lashta dhe fshatrat piktoreskë, me një të tretën e kostos së vendeve të tjera mesdhetare. Shqipëria po hyn gradualisht në hartën e turistëve amerikanë dhe këtë verë mund të jetë momenti i saj për të shkëlqyer në skenën ndërkombëtare të turizmit.
