leoni

Shqipja standarde e sulmuar”, reagim i Institutit Albanologjik të Prishtinës

Në kohët e fundit në Kosovë janë shpeshtuar paraqitjet publike në ligjërimin jostandard. Janë shpeshtuar edhe shkrimet e intervistat që aktualizojnë dhe kontestojnë formimin e gjuhës standarde shqipe duke propaganduar mënjanimin e saj nga përdorimi publik në Kosovë. Kështu së fundi në tregun kosovar bashkë me gazetën ditore “Ekspres” ka filluar botimi i një serie titujsh – përkthime në të ashtuquajturën të folme “gege”. Shmangia nga ligjërimi standard në këto botime nuk është e nxitur nga kërkesa estetike, nga kërkesa letrare e as nga rrethana të veçanta kumtuese. Shmangia e nxitur nga qëllime të tilla do të ishte shumë e natyrshme dhe plotësisht e ligjshme. Përkundrazi, botimi del rezultat i përpjekjeve të autorëve të një rryme që ka nxitur sidomos në këtë dhjetëvjetësh kontestimet e gjuhës standarde, që synojnë: shmangien e standardit ekzistues, legjitimimin e dy standardeve, rishikimin, rivlerësimin e ndryshimin e këtij standardi ose edhe krijimin e një gjuhe tjetër standarde për shqiptarët e Kosovës. Duke i parë këto qëllime të artikuluara herë haptas, herë në mënyrë të mjegullt, s’ka se si të kuptohen ndryshe këto botime, të publikuara në një të folme gegërishte të përzier keq me letrarishten dhe të pakultivuar, pos si shmangie plotësisht të qëllimshme e me prapavijë joestetike e joletrare, në të vërtetë me prapavijë të qartë politike e ideologjike, Shmangiet e qëllimshme nga norma standarde në këto botime kanë motive jo vetëm politike e ideologjike, po edhe ndarëse, krahinoriste e lokaliste.
Argumentet e arsyetimet për nevojën e aktualizimit të gegërishtes, në diskutimet, intervistat, debatet e polemikat që bëhen rreth gjuhës standarde, vishen me trillime, me pohime e me anakronizma. Në të gjitha rastet harrohet qëllimisht ose nga mosdija se norma e dialektet bashkëjetojnë e bashkëveprojnë në mënyrë të pandalshme duke e pasuruar njëra-tjetrën e duke ua zgjeruar kufijtë e epshmërisë: harrohet se dialekti nuk mund të zëvendësojë standardin e pranuar qe afro katër dhjetëvjetësha në mënyrë kaq të thjeshtëzuar e me veprime kaq të pamatura e qëllimprishëse si këto të fundit me botimin e librave në jostandard. Standardin nuk mund ta përmbysin e as s’mund ta shmangin kjo seri botimesh, as edhe shumë seri të tjera si këto, por ato mund të sjellin çorientim, konfuzitet dhe humbje kohe në rrugën standardizuese të shqipes, në rrugën e zhvillimit të saj të hovshëm dhe në rrugën e saj jo të lehtë të përballjes me gjuhë e kultura botërore, me kërkesat e shtuara të komunikimeve të gjera që sjell epoka në të cilën bën jetën ajo dhe bartësit e saj historikë e aktualë.
Shqiptarët tashmë e kanë vlerësuar në mënyrë shumë qytetëruese aktin e krijimit dhe pranimit të një gjuhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, në të vërtetë shqiptarët e kanë kuptuar se gjuha standarde është vlerë e patjetërsueshme kombëtare. Sado e synuar dhe sado e dëshiruar prej grupacionesh të ndryshme e me interesa, po ashtu, të ndryshme, ndarja gjuhësore e shqiptarëve, do të mbetet përpjekje shterpë e mendjeshkurtërve e mendjeve prapakthyese, sepse shqiptarët nuk do të zgjedhin ndarjen: ata i kanë provuar ndarjet e dhunshme shumë herë në historinë e tyre dhe i dinë mirë pasojat e tyre. As shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për një ndarje të tillë: ata në gjithë historinë e tyre kanë kërkuar shkëputjen e pavarësimin nga pushtuesit e ndryshëm, nga Serbia e Jugosllavia e jo nga shqiptarët e hapësira shqiptare. E provon mirë këtë historia e saj me moshë dhe historia e saj e re. Më në fund, një gjë e tillë është krejt e pamundshme dhe me çmim shumë të madh. Do të ishte tepër i shtrenjtë një aventurizëm i tillë për një popull të vogël siç janë shqiptarët, do të ishte një përmbysje rrënuese për shkollën e arsimin shqiptar, për administratën shtetërore e publike dhe për mjetet e informimit publik. Prandaj, shqiptarët do të dinë cila është rruga e tyre: shqipja standarde do të vazhdojë të mbetet gjuha e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, edhe e shqiptarëve të Kosovës, sepse duke pasur një gjuhë të përbashkët, duke pasur një histori të përbashkët e një histori gjuhësore të përbashkët, shqiptarët, do të kenë edhe një ardhme të përbashkët, përparuese dhe qytetëruese.

Shqiptarët sot ndodhen në fazë të re të historisë së kombit, prandaj edhe të shqipes standarde. Nuk do të ishte e tepërt të risillej pohimi se tridhjetë e pesë vjet normimi të gjuhës shqipe janë të mjaftueshme për të sjellë vlerësim objektiv për funksionimin e saj në bashkësinë e shqiptarëve kudo jetojnë ata. Dhe ky vlerësim nga ana e gjuhëtarëve dhe përdoruesve të saj është: gjuha standarde shqipe ka përmbushur dhe përmbush mirë kërkesat komunikative dhe simbolike të tyre, ajo ka funksinuar dhe funksionon mirë në të gjitha rrafshet e përdorimit. Vështirësitë e problemet që kanë dalë e që dalin në rrugën e përvijimit të saj si gjuhë standarde nuk janë të mëdha e as të pakapërcyeshme. Ato janë të ligjshme, të natyrshme, duke pasur parasysh faktin se ka hapësirë të ndryshme përdorimi, shtetërore e politike, dhe shkallë të ndryshme përdorimi.
Në faza të ndryshme në rrugën e standardizimit të gjuhës, qëndrime e çështje të ndryshme sidomos praktike, duhet të shihen, të vlerësohen e të rimerren, kundrejt realitetit të ri. Asgjë nuk është dhënë njëherë e përgjithmonë. Respekti, mirëkuptimi e toleranca për dallimet, për të ndryshmet, edhe gjuhësore, rrjedhojë e realiteteve të ndryshme ekonomike, shoqërore, kulturore duhet të jenë në funksion të zhvillimit e të pasurimit të gjuhës standarde.
Qëllimi duhet të jetë përparimi e jo prapakthimi. Gjuha shqipe sot njeh pasurim të madh dhe nga
shumë anë, por ky pasurim duhet të jetë edhe më i gjerë, prandaj hapja e standardit sot paraqitet kërkesë e natyrshme e saj dhe e folësve të saj. Hapje në periudha të caktuara të zhvillimit të tyre njohin edhe gjuhët e tjera standarde. Për shqipen, kjo hapje nuk do të thotë shmangie e qëllimshme nga norma, nuk do të thotë destandardizim i saj, nuk do të thotë dialektizim i saj. Hapja e saj do të thotë zhvillimi dhe pasurimi i saj në përputhje me zhvillimet e sotme kombëtare dhe përtejkombëtare. Shkrimtarë, përkthyes, publicistë e shqipshkrues të tjerë po e bëjnë këtë pandërprerë. Zhvillimi dhe pasurimi i saj sot duhet të jetë shqetësim i vërtetë i gjithë shqiptarëve, shqetësim që duhet të nxitë energjitë dhe përpjekjet e të gjithë bartësve të saj, institucionalë e individualë, për ta bërë shqipen mjet të komunikimit sa më të lehtë, sa më të vyer e sa më të gjerë.

Shqetësimi kryesor i gjuhëtarëve dhe i të tjerëve duhet të lidhet me shkallën e zbatimit të normës, me mënyrën se si shkruhet në shqipen standard, se si shkruhet në vetë gegërishten më në fund. Vlen të theksohet, po kështu, se është e drejtë e ligjshme e autorëve që të zgjedhin gjuhën përmes së cilës do të shpërfaqin idetë e tyre a krijimtarinë e tyre, të zgjedhin lexuesin të cilit do t’i drejtohen, më në fund të zgjedhin edhe mënyrën si do t’i “plasojnë” ato ide a atë krijimtari. Më në fund, kjo duhet të shihet brenda një pluralizmi demokratik, por një pluralizmi deri në kufirin që nuk do të prekë vlerat e gjuhës së përbashkët standarde shqipe dhe funksionet e saj si gjuhës zyrtare në gjithë hapësirën shqiptare.
Përpjekje rrënuese për kapërcimin e këtij kufiri tashmë po shihen qartë edhe me rastin e editimin të kësaj serie bashkë me gazetën “Ekspres”. Por, lexuesit e dinë se përpjekjet e tilla rrënuese janë të gjykuara të dështojnë. Lexuesit, po kështu, do të dinë të ndëshkojnë botuesit e teksteve të tilla – me shpërfilljen dhe me mosblerjen e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …