Është shtyrë për herë të dytë intervistimi i kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek, i cili është ftuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në kuadër të hetimeve për vendosjen e barrikadave në veri të vendit gjatë dhjetorit 2022. Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, konfirmoi për media se shtyrja është bërë me kërkesë të mbrojtjes, për shkak të gjendjes shëndetësore të avokatit të Elekut. “Z. Zlatan Elek është ftuar për intervistim në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale është duke zhvilluar për rastin e barrikadave në pjesën veriore të vitit 2022, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, tha Luta. Prokuroria është duke zhvilluar hetime të zgjeruara për këtë rast, ku në total janë përfshirë 46 persona. Ndërkaq, për Milan Radojiçiq dhe 10 persona të tjerë tashmë është lëshuar urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar. Barrikadat në veri të Kosovës u vendosën në dhjetor 2022, pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm ndaj zyrave të KQZ-së në veri të Mitrovicës. Ato çuan në tensione të larta dhe ndërhyrje ndërkombëtare për deeskalim të situatës.
