leoni

Me shumë aktivitete u shënua 28 nëntori në Malishevë  

Dita e Flamurit Kombëtar, është shënuar me aktivitete të ndryshme në Komunën e Malishevës. Fillimisht, Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur një mbledhje solemne, ndërsa më pas janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, si dhe nderime para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në Malishevë. Po ashtu, homazhe dhe nderime janë bërë edhe në Prekaz, ndërsa në Llapçevë, është zbuluar pllaka me emrat e të vrarëve gjatë luftës së fundit.

Në mbledhjen solemne, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se “nëntori është muaji i ngjarjeve të rëndësishme për kombin shqiptar, ndërsa vet data 28 Nëntor, është e shenjtë, pasi në këtë datë, u ngrit flamuri kombëtar në Krujë, nga Skënderbeu, pastaj në Vlorë nga Ismail Qemali dhe në këtë datë lindi heroi ynë Adem Jashari”. Kryetari Begaj, gjatë fjalimit të tij, përmendi sakrificat e popullit shqiptar, ndër shekuj.

Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, në seancën solemne, për nderë të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, foli për rëndësinë e kësaj date dhe për përpjekjet dhe sakrificat e popullit shqiptar në të gjitha trojet, dhe për luftërat e lavdishme shqiptare për pavarësi dhe liri.

Pas nderimeve dhe homazheve në Malishevë, Kleçkë e Prekaz, në fshatin Llapqevë, është bërë inaugurimi i lapidarit dhe zbulimi i pllakës përkujtimore për 16 viktimat e fshat, gjatë luftës së fundit në Kosovë. “Kjo është një shenjë e sakrificës dhe e përpjekjeve tona për lirinë e fituar me gjakun e atyre që sakrifikuan për vendin. Këta janë emra të paharrueshëm të cilët përgjithmonë do të kujtohen”, tha mes tjerash kryetari Begaj, në ceremoninë e zbulimit të pllakës me emrat e të vrarëve .

16 banorët e fshatit Llapçevë, janë vrarë kryesisht në vitin 1999 nga forcat paramilitare serbe, në Llapçevë dhe në Krelan, ku prej tyre pesë persona ende janë të pagjetur.

Shënimeve të festës kombëtare të 28 Nëntorit, i kanë parapri edhe shumë aktivitete tjera kulturore dhe sportive, ndërsa sot do të luhet edhe finalja në futboll të vogël, si dhe është hapur edhe një ekspozitë artistike në Qendrën e Rinisë në Malishevë.

Kontrolloni gjithashtu

1 maj 1990 – Kuvendi i Pajtimit te “Verrat e Llukës”

34 vite më parë, me 1 maj 1990 u mbajt Kuvendi Gjithëkombëtar i Pajtimit të …