Shyqri Galica: Në LShK U SHËNUA PËRVJETORI I ALBANOLOGUT MILAN SHUFLAJ

Në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës U SHËNUA PËRVJETORI I ALBANOLOGUT MILAN SHUFLAJ Për jetën dhe veprën e studiuesit kroat, albanologut e ballkanologut të shquar, folën prof. dr. Hakif Bajrami, prof. dr. Sabile Keçmezi -Basha, prof. dr. Shyqri Galica, prof. dr. Flori Bruqi.

Historiani i shquar kroat, albanologu e ballkanologu i veçantë, dr. Milan Shuflaj, në mënyrë mizore u nda nga jeta prej të ashtuquajturve organizatorë të Jugosllavisë së Re, më 18 shkurt 1931, në moshën 52-vjeçare. Një muaj më parë, kjo figurë e shquar, njeri model i kombit kroat, studiues i veçantë e njeri fisnik, pikërisht më 12 janar 1931 shkon në Shqipëri për një marrëveshje pune, por pas kthimit i tërhiqet vërejtja që të hiqte dorë nga kjo veprimtari që po bënte dhe 8 ditë më pas, vritet në mënyrë barbare në Zagreb. Shuflaj befasoi parlamentin e Shqipërisë kur po fliste në gjuhën shqipe; ai njihte 11 gjuhë të huaja dhe të gjitha gjuhët sllave, ishte një poliglot i vërtetë dhe një studiues përmasash evropiane, madje që në moshën 24-vjeçare. Ai befason të pranishmit me argumentet bindëse për prejardhjen shqiptare, ndaj duartrokitet disa herë. Janë shumë emra që do të reagonin me rastin e vrasjes së Shuflajt, ndër të cilët Albert Ajnshtajn, Henrik Man, Lumo Skendo, Faik Konica etj., si dhe shtypi më i njohur i botës.

Pos një numri të madh punimesh, që policia ia konfiskon me rastin e vrasjes së tij, ka botuar romanin e parë fantastiko-shkencor të letërsisë kroate, ”Në Paqësor”, si dhe vëllime historike; pastaj veprën “Shqipëria e Veriut”, studimin “Serbët dhe shqiptarët”, 1925, romanin me temë shqiptare “Konstantin Balsha” (1920) me pseudonimin Alba Limi e shumë punime të tjera. Ka shkëmbyer letra me emra të shquar të shkencës e të historisë botërore, ndër të cilët edhe me Mithat Frashërin. Ky albanolog e ballkanolog i shquar një jetë ia ka kushtuar albanologjisë, përkatësisht gjithë historisë kombëtare të shqiptarëve: antikitetit, mesjetës së hershme, mesjetës së vonë, periudhës osmane dhe Rilindjen Kombëtare.

Para disa vjetësh, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, duke shfrytëzuar sesionin shkencor “Shuflaj dhe shqiptarët”, të organizuar nga Akademia Shqiptare e Shkencave në Tiranë, e ka dekoruar Milan Shuflajn, pas vdekjes, me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, me motivacion: “Për kontribut të shquar në studimet albanologjike, për karakterin shkencor dhe objektiv të mbrojtjes së çështjes shqiptare në veprën e tij.” Prandaj, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe Instituti për Siguri, Medie dhe Arsim i Prishtinës, të ndihmuar nga firma “Eltrisi” e Prishtinës, organizuan këtë ngjarje përkujtuese për albanologun e shquar, historianin kroat e ballkanologun dinjitoz në shenjë të 93-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Me veprën e tij jo që krenohet vetëm kombi kroat, por edhe ne për interesimin dhe dashurinë që ka treguar ndaj historisë dhe gjenezës sonë, duke u marrë me shumë përkushtim me historinë e periudhave të hershme. Punime të veçanta paraqitën edhe studiuesit prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha, prof. dr. Hakif Bajrami, prof. dr. Flori Bruqi etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Diaspora do të jetë krah i fortë i ndryshimit që do të ndodh më 9 shkurt

Në një tubim madhështor në Bern të Zvicrës, mes vëllezërve e motrave tona, bashkëbiseduam hapur …