Sindikata e Administratës Publike kërkon rritje 50% të koeficientit: Paga e 13-të nuk i plotëson pritjet

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës ka kërkuar rritje të koeficientit të pagave për 50 për qind, duke vlerësuar se paga e 13-të, e përmendur si mundësi nga institucionet, nuk është e mjaftueshme për të përmirësuar realisht mirëqenien e zyrtarëve publikë. Kryetari i sindikatës, Ali Gashi, ka deklaruar se sindikata e përshëndet çdo vendim që ndikon pozitivisht në mirëqenien e punonjësve të administratës publike, por theksoi se paga e 13-të nuk i përmbush pritjet dhe nevojat reale të tyre. “Çdo vendim që kontribuon në mirëqenien e një zyrtari publik për ne është i pranueshëm, megjithatë konstatojmë se paga e 13-të nuk është brenda pritjeve tona dhe nuk adreson problemet thelbësore që kanë të bëjnë me nivelin e ulët të pagave dhe rritjen e kostos së jetesës”, ka thënë Gashi. Ai ka theksuar se rritja e koeficientit është zgjidhja më e qëndrueshme dhe afatgjate, pasi ndikon drejtpërdrejt në strukturën e pagave dhe siguron trajtim më të drejtë për administratën publike. Sipas tij, pa një ndërhyrje serioze në koeficient, pakënaqësitë e zyrtarëve publikë do të vazhdojnë të rriten. Sindikata ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë dialog me institucionet përgjegjëse, në mënyrë që kërkesat e saj të merren parasysh në politikat e ardhshme buxhetore.

Kontrolloni gjithashtu

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë: Ligjshmëri e konfirmuar, narrativë e shtrembëruar nga mohuesit e së drejtës ndërkombëtare

Debati mbi ligjshmërinë dhe legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë (1999) po rikthehet në …